Ambasadorët në terren si vëzhgues

Postuar në 20 Qershor, 2013 02:56

Në zgjedhjet e 23 qershorit regjistrohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 8153 vëzhgues. KQZ akrediton si monitorues në zgjedhje diplomatët në Tirane. 

Ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe stafi i tyre diplomatik do të “përveshin mëngët”, duke vëzhguar personalisht procesin e votimit dhe numërimit të votave më 23 qershor. Në total, në KQZ janë regjistruar për monitorimin e zgjedhjeve rreth 8153 vëzhgues nga OSBE/ODIHR, të selive diplomatike në Tiranë, po ashtu dhe OJF-ve të ndryshme. KQZ ka miratuar dje akreditimin e 68 vëzhguesve të Ambasadës Amerikane në Tiranë, me në krye ambasadorin Aleksandër Arvizu, zv.ambasadori Henry Jardina dhe diplomatët e ambasadës, Glenn Brown, Dennis Marko Cimbaljevch dhe Christopher Carver. 

Lista e vëzhguesve të Ambasadës i është përcjellë Ministrisë së Jashtme me anë të një note, ku thuhet se “ku personel është i gjithi staf amerikan ose punonjës lokalë të qeverisë së SHBA-ve nga ambasadat e Tiranës, Shkupit, Prishtinës dhe Malit të Zi”. Po dje, KQZ miratoi me katër vota pro dhe akreditimin si vëzhgues të delegacionit të BE-së, që do të drejtohet nga ambasadori Etore Sekui dhe diplomati Nikolai Vulchanov. Listës së ambasadorëve të miratuar nga KQZ i është shtuar dhe Ambasada britanike me kryediplomatin e saj, Nikolas Cannon, po ashtu dhe Ambasada franceze me ambasadoren e saj Kristine Moore. Në KQZ u miratua dje lista e diplomatëve të Holandës, Norvegjisë dhe Greqisë. 

DISKUTIMI 
KQZ ka publikuar dje dhe statistikat e organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendase, që do të angazhohen në monitorimin e zgjedhjeve. Nga vëzhguesit ndërkombëtarë janë akredituar rreth 564 vëzhgues dhe 277 përkthyes. Nga këta, 140 vëzhgues afatgjatë dhe 424 vëzhgues afatshkurtër. Ndërsa nga OJF-të vendëse janë akredituar rreth 2402 vëzhgues afatgjatë dhe 5187 afatshkurtër. Në total, deri ditën e mërkurë, numri i vëzhguesve arrin shifrën e 8153. 

Anëtari i KQZ, Hysen Osmanaj, deklaroi dje se KQZ duhet të tregohet e kujdesshme me akreditimet e vëzhguesve në zgjedhje, pasi numri i lartë i tyre do të krijojë anomali në qendrat e votimit dhe në vendet e numërimit. Hysenaj tha se nga KQZ janë akredituar deri tani dhe shoqata vendëse që nuk kanë asnjë lidhje me zgjedhjet dhe se në të ardhmen duhet të tregohet me e kujdesshme. 

“Duhet të bëjmë kujdes me këto që i shtojnë organizatat e vendit, sepse duhet të keni parasysh që edhe forcat politike dhe koalicionet e tyre kanë nga tre vëzhgues në qendrat e votimit, dhe mendoj që duhet bërë pak kujdes se mund të bëhet një anomali e madhe; se shoh disa nga organizatat e vendit që kanë vëzhgues ose s’kanë asnjë element që lidhet me zgjedhjet në programin e tyre, dhe kanë vëzhgues që s’kanë marrë asnjëherë pjesë në zgjedhje. Kështu që duhet të kemi kujdes që të mos pengojmë punën. Nga dëshira e mirë e jona për të pasur sa më shumë vëzhgues, do kalojmë në një anomali në ditën e zgjedhjeve që mund të pengojmë edhe zgjedhësit. Duket të kemi kujdes me këto të vendit, ndërsa me të huajt nuk duhet të ketë kufizime”, u shpreh Osmanaj.

 

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.