“Ka një skenar manipulimi të zgjedhjeve nga PD”

Postuar në 14 Maj, 2013 07:39

 

Nënsekretari i Partisë Socialiste për zgjedhjet Bledi Çuçi shprehet për “JAVA” në lidhje me dublimet e listave, procesin e numërimit elektronik dhe punën që po bëhet kundër manipulimeve duke arritur në përfundimin se ka një skenar të tërë për manipulimin…

Nga Ben Andoni

 

Eksperti i njohur socialist i zgjedhjeve flet për një varg problemesh, që po shoqërojnë zgjedhjet e këtij viti. Ato fillojnë nga listat, dublimet e shumta, numërimin elektronik dhe më shqetësuesja nga të gjitha vullneti për t’i manipuluar ato…

Publiku është shumë i shqetësuar për sa i përket listave të dublimit, për të cilat juve jeni shprehur pak kohë më parë se ankimet tuaja ende nuk kanë marrë ende zgjidhje. Ndërkohë, funksionarë të Ministrisë së Brendshme, pretendojnë se po punojnë fort për të eliminuar dublimet. Cilat janë hapat e besueshme, sipas jush, që Ministria e Brendshme vërtetë po merret me këtë proces?

Është për të ardhur keq që ne, edhe pas 22 vitesh diskutojmë për teknikalitete bananale të kësaj natyre që çdo qeveri e përgjegjshme do t’i kishte zgjidhur me kohë. Me sa duket qeveria shqiptare nuk është e tillë, dhe kjo sigurisht nuk përbën lajm. Por le ‘ti kthehemi çështjes. Në amendimet që i bëmë Kodit Zgjedhor vitin e kaluar, një rëndësi të veçantë i kushtuam transparencës së procesit të hartimit të listës së zgjedhësve, duke garantuar edhe disponimin e saj nga ana e opozitës që në momentet e para të fillimit të procesit, si dhe emërimit të një auditi pranë Ministrisë së Brendshme gjatë gjithë periudhës së hartimit të listës zgjedhore. Zotërimi i listës paraprake të zgjedhësve që prej janarit të këtij viti dhe në vazhdim, na mundësoi të kishim një kontroll të plotë të saj dhe të nxirrnim të gjitha parregullsitë që mbarte kjo listë.  Si rezultat i kësaj, ne evidentuam një sërë problemesh por unë do të veçoja dy si më të rëndësishmet.

E para ka të bëjë me evidentimin e shtetasve që ne dyshojmë se janë të regjistruar më shumë se një herë, thënë ndryshe të dyshuar si të dubluar. Kjo kategori krijon mundësinë që një person të votojë më shumë se një herë. Kështu, në janar na rezultoi se në listën e zgjedhësve ishin rreth 40 000 shtetas të dyshuar si të dubluar. Një numër i madh i tyre janë të grupuar në familje. Me gjithë përpjekjet tona të vazhdueshme, qoftë duke i sugjeruar metodën e pastrimit, qoftë duke i vënë në dispozicion listën me këto dublime, Ministria e Brendshme nuk arriti t’i pastrojë plotësisht këto dublime, madje as nuk pranonte që ato ekzistonin, pavarësisht se u përfshi në një proces pastrimi. Si përfundim, në listën e zgjedhësve të majit mbeten ende 25 874 shtetas të dyshuar si të dubluar.

Gjithsesi, unë përfitoj nga rasti të garantoj të gjithë votuesit e opozitës se, PS i ka evidentuar të gjithë shtetasit që janë të dubluar në listën e zgjedhësve dhe ka informacion të plotë se ku ndodhen, kështu që nuk do të lejojë asnjë zgjedhës të kësaj kategorie, të votojë më shumë se një herë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Problemi i dytë me listat ka të bëjë me zgjedhësit të cilëve u mungon adresa e plotë zgjedhore. Pajisja e të gjithë zgjedhësve me adresë zgjedhore ka qenë rekomandim i drejtpërdrejtë i OSBE/ODIHR për MB, në të dyja zgjedhjet, 2009 dhe 2011. Megjithatë, në gjithë këto vite MB nuk ka bërë asgjë për të plotësuar këtë rekomandim të rëndësishëm dhe, ende në listën e zgjedhësve te majit janë 352 337 zgjedhë pa adresë zgjedhore.

Teknologjia e votimit duket se po dështon në procesin e vet, megjithëse duhet thënë se pati shumë optimizëm për të. A mendoni se KQZ-ja duhet të ishte më e transparente për sa i përket kompanisë që do merrej me këtë proces? A nuk ka pak dashakeqësi në gjithë këtë proces implementimi?

Mendoj se edhe në këtë rast kemi të bëjmë me një përzierje të dashakeqësisë me paaftësinë e kësaj administrate që ka humbur çdo raport moral e ligjor përgjegjshmërie me publikun. Të paktën kjo duket qartë në rastin e pilotimit në qarkun e Fierit të numërimit elektronik.

Me gjithë dëshirën tonë që pilotimi për numërimin elektronik në qarkun e Fierit të funksiononte, për fat të keq, nga ajo që pamë në provën që kompania e zgjedhur nga KQZ bëri në 13 prill, mendojmë se ky projekt nuk do të funksionojë. Ne kemi përgatitur një raport të hollësishëm për këtë qëllim por do të doja të ndaja me ju vetëm një nga shumë vërejtjet e rëndësishme që e bëjnë këtë projekt të papranueshëm për ne, koha e numërimit. Kompania numëroi me sistemin elektronik në një ZAZ, 5 000 vota në 8 orë, ndërkohë që me dorë, bazuar në praktikat e mëparshme, numërohen mesatarisht në një ZAZ, 14 000 vota në 8 orë. Pra shikoni çfarë dështimi duke marrë parasysh që një nga qëllimet kryesore për të cilën do të aplikohej teknologjia në numërim, ishte pikërisht shkurtimi i kohës së numërimit.

Përgjegjësia për këtë dështim sigurisht që i mbetet KQZ-së, e cila në dijeninë tonë ka bërë dhe pjesën më të madhe të pagesës. Për ne është e papranueshme që të harxhohen nga buxheti i shtetit një sasi aq e madhe parash për një projekt të dështuar. I garantojmë taksapaguesit shqiptarë se ne do të bëjmë transparencë të plotë të shpërdorimit të këtij fondi.

Si e shikoni procesin e ardhshëm të zgjedhjeve? Duket që tani ai ka filluar me shumë probleme. Cili është i interesuar sipas jush, që procesi të mos shkojë normalisht?

Në fakt, procesi i përgatitjes së zgjedhjeve këtë radhë ka filluar, si asnjëherë tjetër, me shumë probleme. Përgjithësisht, në zgjedhjet e mëparshme, problemet kanë filluar ditën e votimeve, ndërsa këtë herë megjithëse 45 ditë përpara, kemi pothuajse një ‘paketë’ problemesh; gjeometria elektorale që bëri Kuvendi me ndarjen e mandateve apo vendimi i jashtëligjshëm që KQZ-ja mori për ndarjen e ZAZ-ve, janë vetëm një pjesë e kësaj ‘pakete’. Pa dyshim, që problemi më serioz mbetet zëvendësimi nga Partia Demokratike e një anëtari të KQZ-së nëpërmjet dhunës së numrave në parlament, në mënyrë tërësisht të jashtëligjshme, duke injoruar të gjitha apelet e partnerëve ndërkombëtarë (përfshi BE, Ambasadën Amerikane, etj) dhe në kundërshtim të hapur me parimet e trashëgimisë Europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme të sanksionuara nga Komisioni i Venecias, duke e politizuar në mënyrë ekstreme këtë institucion dhe duke  e futur në një krizë të thellë legjitimiteti.

Unë mendoj se këto probleme nuk janë krejt pa lidhje me njëri-tjetrin dhe janë në funksion të një skenari të mazhorancës për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit, sipas modelit që aplikoi për Bashkinë e Tiranës. Pa dyshim që aktori kryesor me të cilin mazhoranca do të realizojë këtë skenar, është KQZ-ja, prandaj dhe qëndrimi i PS është i qartë në këtë pikë duke kërkuar formatim të KQZ-së duke i kthyer legjitimitetin këtij institucioni sipas frymës së Kodit Zgjedhor. Mendoj se del e qartë edhe përgjigja për pjesën e dytë të pyetjes suaj.

Ka një frymë në publik, sipas të cilës, do ketë manipulime të mëdha. Kjo shihet në lajmet për zhvendosjen e njerëzve në lista. A jeni të përgatitur për këtë skenar, që po ju imponohet nga PD-ja?

E thashë edhe më sipër dhe po e theksoj prapë se, këtë radhë ne i kemi marrë të gjitha masat që të mos lejojmë asnjë shtetas që të votojë më shumë se një herë. Kemi emrat dhe adresat e të gjithë zgjedhësve të dubluar, kemi informacionin e plotë se ku është regjistrimi fiktiv i tyre si dhe kemi të dhëna të plota se kush nga këta zgjedhës janë pajisur me dokument identifikimi. I gjithë ky informacion do të vihet në dispozicion të anëtarëve dhe vëzhguesve tanë në qendrat e votimit. Në këto kushte, çdo “guximtar” do të marrë përgjigjen e merituar.

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.