Ambasada amerikane dhe Saliu në Dritaren e reformave

Postuar në 08 Maj, 2024 17:40

Në mbledhjen e tij melodramatike të Grupit Parlamentar, kryeministri Edi Rama, njëherazi njeriu me çdo detyrë shtetërore në këtë vend, ka njoftuar edhe një rezolutë për luftën kundërkorrupsionit. Pas rezolutës premtohet një komision për ndërhyrje të mëtejshme për sistemin e drejtësisë që presupozon amendime dhe ligje për të përmirësuar punën e deritanishme.

Nëse sheh fjalën e z. Rama dhe zotimin e tij se ai do të mbrojë vetëm Zahon, kupton se kryeministri e sheh korrupsionin kudo, veç te vetja jo. Se ai nuk do të ndërhyjë për askënd dhe se është kështu garanti se politika do të respektojë pavarësinë e gjyqësorit. Në këtë kuptim z. Rama po shfaqet edhe si garant i një investimi të perëndimit në Tiranë, mision ky që patjetër do të shpërblehet me ecuri të mëtejshme të karrierës.

Lidhur me këtë “propozim”, ka reaguar sot edhe ambasada amerikane në Tiranë. Në qëndrimin e saj të përcjellë në media të ndryshme thuhet:

Propozimi për të çuar përpara përpjekjet e Shqipërisë që lidhen me qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, dhe anti-korrupsionin është premtues. Si partnerë në mbështetje të Shqipërisë prej kohësh, Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet që bazohen në suksesin e reformave të mëparshme ndërkohë që bëjnë bashkë grupe politike, shoqërinë civile, biznesin dhe të tjerë për të çuar përpara reformat kritike që janë të nevojshme për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe bashkësinë euro-atlantike. Nxisim pjesëmarrjen e të gjithë shqiptarëve që synojnë të përmirësojnë të ardhmen e Shqipërisë dhe presim me kënaqësi të shohim rezultatet e dala nga një proces transparent dhe bashkëpunues

Siç shihet nuk u bëhet thirrje palëve, por nxiten të gjithë shqiptarët që synojnë të përmirësojnë të ardhmen e Shqipërisë. Dhe ndodh kjo sepse ambasadës në fjalë i duhet të çmpijë dhëmbët e kumbullave të “non grata” tani që çdo ndërhyrje e mëtejshme kalon edhe nga votat e Rithemelimit. Dhe këtu gjuha nis e ndryshon. Flitet për shqiptarë të mirë pa dallim feje, krahine e ideje sepse këtë e kërkon aveniri i atdheut tonë të dashur. Po me kë ta bëjë gjellën kryeministri ynë reformator, veçse me Saliun e Dritares të cilin siç u mburr më 2013-n ia la historisë? Ja pra sesi vjen puna që edhe Superfuqia fshihet pas gishtit, ndërkohë që Saliu nuk lë rast pa u shfaqur në dritare!

Dhe themi ne pse nuk kemi fe apo pse nuk besojmë në Zot. Po cili Zot do kalonte këtej e nuk do bëhej qesharak? Ja pra mësimi i parë për këtë ambasadën e mençur amerikane që u ka mbushur mendjen ca shqiptarëve shpatullrënë se çdo gjë që del prej aty ka vulën e profecisë. Shqipëri të kam dhjerë, tha ai terteleci i Kolonjës, por edhe Shqipëria të dhjet mirë ama.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.