Qeveri e re me emra të vjetër

Postuar në 30 Prill, 2024 13:28

Kryeministri i emëruar serb ka propozuar emrat e kabinetit të ri qeveritar. Qeveria e re serbe, e dalë nga zgjedhjet e 17 dhjetorit të vitit të kaluar, të kontestuara nga opozita, në 2/3 e saj ka ministrat e qeverisë së mëparshme.

Millosh Vuçeviç, i cili drejton Partinë Progresive Serbe (SNS) u mandatua nga presidenti serb në detyrën e kryeministrit në fund të muajit të kaluar.

Kabineti i ri që do të udhëheqë zoti Vuçeviç ka disa prej emrave të rëndësishëm të qeverisë Brnabiç, njëkohësisht disa prej figurave kryesore të SNS, partisë së presidentit Aleksandër Vuçiç dhe aleatë.

Sinisa Mali (SNS), i cili ka mbajtur që prej vitit 2022 postet e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Financave do të vijojë në të njëjtën detyrë.  

Ivica Daçiç (SPS), zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm deri në zgjedhjet e dhjetorit 2023, mban postin e zëvendëskryeministrit dhe merr drejtimin e Ministrisë së  Brendshme.

Aleksandar Vulin, i cili ka mbajtur detyrën e ministrit të Brendshëm në qeverinë Brnabiç e më pas ka drejtuar Agjencinë e Sigurisë dhe Inteligjencës, kthehet në qeverinë e re si zëvendëskryeministër.

Në postin e ministrit të Jashtëm është propozuar Marko Gjuriç (SNS), i cili rikthehet në qeveri pasi ka shërbyer si ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara.

Bratislav Gasiç (SNS), i cili ka shërbyer si ministër i Brendshëm që nga vitit 2022, merr detyrën e ministrit të Mbrojtjes, të cilën e ka mbajtur edhe më parë, në vitet 2014-2016.

Qeveria e re me 31 ministra, pesë prej të cilëve pa portofol, pritet të votohet në Parlament pasi kryetarja e re, ish-kryeministrja Ana Brnabiç, të caktojë datën e seancës.  

Dhjetë prej ministrave janë gra dhe katër janë individë të paangazhuar më parë politikisht.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.