Si humbi kështu Diktatori i Bosforit?

Postuar në 01 Prill, 2024 16:35

Humbja e Presidentit turk Erdogan në zgjedhjet lokale nuk po dihet si të shpjegohet nga askush mirë. E vetmja gjë që po thuhet është se ndonëse zgjedhje lokale, ato ishin humbje për presidentin turk. Në këtë kuadër, rivali i tij kryesor, Ekrem Imamoglu, po sillet në vëmendje si shpresa e zëvendësimit të presidentit aktual turk, pasi siç cilësonte “France24”:

Ai ka staturën, popullaritetin, sensin e medias dhe mbi të gjitha ambicien

Vetë Erdogan ka deklaruar se në Turqi fitoi demokracia, duke cilësuar se Imamgolu është një kryetar bashkie me kohë të pjesshme pasi po konsumohet nga ëndrra e presidentit. Siç shihet funksionimi i zgjedhjeve në Turqi ka kapur në befasi mediat e Perëndimit, që kanë vandalizuar kritikën reale me propagandën e shfrenuar stigmatizuese. Ç’u bë Autokrati Erdogan? Sulltani, diktatori e kështu me radhë?

Si u tret kaq shpejt pushteti i një politikani që për vite të tëra u epitomizua si një lloj hibridi lindor në terrenin e një demokracie ushtarake turke, megjithatë filoperëndimore?

Këtu mund të aplikojmë edhe një teori konsiprative: Erdogan lëshoi zgjedhjet lokale për të deklaruar se demokracia funksionon dhe mandej për të spastruar partinë nga njerëz që janë kthyer në problem. Mirëpo edhe kjo teori nuk përmbush kushtet përkufizuese të një autokrati që do ta kishte më të thjeshtë dhe më konveniente të mos e ushtronte goditjen me ndërmjetësimin e demokracisë elektorale, por me forcë, për të diktuar vullnetin e vet.

Fiaskoja e establishmentit mediatik perëndimor me një entitet politik si Recep Tayyip Erdogan, është simptomatike pasi përfaqëson jo një keqlexim, por një axhendë që duket se pak ka të bëjë me politikë mirëfilli. Nëse shohim se cili lloj politikani është i mirëpritur sot në Perëndim, ne kuptojmë se korrupsioni i bashkuar me liberalizmin dhe miratimin e axhendave për pakicat gjinore dhe mjedisin, janë të vetmet materie që shihen mirë. Në këto kushte kontestimi me çdo instrument i një modeli si Erdogan, nuk është se synon korrigjim demokratik në rajone si Lindja e Afërme apo Lindja e Mesme, por ka të bëjë me axhendën e ripërkufizimit dhe vetëpercepimit të shoqërive përtej skajeve të ideologjisë nacionale drejt kufijve të tregut, mjedisit dhe lirisë gjinore.

Demokracia është maska perfekte për të gjitha këto dhe kjo është e qartë sidomos nëse pranojmë se që nga Pranvera Arabe politika dhe këmbëngulja për të drejtat e njeriut ka kaluar nga të qenit pjesë e ungjillizimit perëndimor të botës në një aneks të taktikës diplomatike. Nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe mbështetja perverse e Europës sidomos për liderë të hiperkorruptuar si ata në Ballkan.

Një aspekt tjetër që duhet konsideruar është se askush nuk po di dhe nuk po do ta lexojë apo interpretojë se cilat janë pasojat gjeopolitike për Perëndimin të daljes nga skena të një ekuilibristi si Erdogan. Një njeri që diti të luajë edhe në krizën e fundit ukrainase, amortizoi krizën siriane dhe në fund të fundit nuk shkoi përtej shpalosjes së një strategjie turke për Egjeun. Dhe as e islamizoi politikën e jashtme…

Ironikja është se ndoshta për herë të parë në kaq vite funksionimi i demokracisë në Turqi po krijon pasiguri dhe ne e dimë se Pasiguria është alfa dhe omega e kuptimit të vërtetë të politikës perëndimore.

s.zaimi

Comments

Submitted by edi (not verified) on

Kjo tregon se edhe ne Turqi ka zgjedhje me te lira se tek ne, dmth qe eshte nje shtet me demokratik se i yni.

Submitted by Arben (not verified) on

sigurisht qe ka
kemi te bejme me nje popull perandorak dhe nje politike me synime perandorake. ka gare ka lufte adje dhe te ashper por ka zgjedhje

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.