Italia rishikon skemën e varfërisë, kritika në Bruksel

Postuar në 06 Shtator, 2023 14:22

Qeveria italiane po anulon skemën e saj të të ardhurave minimale për qytetarët në favor të një sistemi të ri që synon nxitjen e punësimit, një veprim që po monitorohet nga Komisioni Evropian.

Ligji i miratuar në maj zhbën skemën e të ardhurave minimale, e prezantuar në vitin 2019, megjithë kundërshtimin e ashpër nga partitë e djathta dhe të ekstremit të djathtë, përfshirë edhe partinë e vetë kryeministres Meloni.

Kjo e fundit argumenton se skema e vjetër ka dështuar, pasi nuk arriti të nxiste riintegrimin e të papunëve në tregun e punës.

Sistemi i mëparshëm, i cili u përdor nga dy milionë njerëz në qershor, u tregua efektiv në uljen e varfërisë, por nuk arriti të rrisë punësimin.

Një pjesë e ekonomistëve e shpjegojnë këtë me krizën ekonomike, kufizimet të shërbimeve përmes të cilave kërkohet punë dhe kërkesës së ulët për punësim, sidomos në jug të vendit.

Sipas sistemit të ri, familjet me të mitur, persona me aftësi të kufizuara ose mbi 60 vjeç do të vazhdojnë të marrin mbështetjen aktuale deri në fund të vitit dhe më pas një shtesë prej 500 eurosh në muaj për person nga janari 2024. Ajo që përfiton kjo kategori nuk do të pësojë ndryshime thelbësore.

Ndërkohë, personat në moshë pune nga mosha 18 deri në 59 vjeç, të cilët më parë përfitonin nga skema, nuk marrin më përfitime, por u jepen 350 euro në muaj për një maksimum prej 12 muajsh, me kusht që të regjistrohen në trajnime për të kërkuar punë.

Sistemi i ri ka ngjallur kritika si në Itali, edhe në Bruksel.

"Komisioni po shqyrton masën e re," tha një zëdhënës për EURACTIV, duke shtuar se ndërsa BE nuk ka kompetenca për këtë çështje, ajo mbështet të ardhurat minimale si "një rrjet i rëndësishëm sigurie sociale".

Në shkurt, Komisioni hapi një procedurë shkeljeje për skemën e mëparshme të të ardhurave minimale të Italisë. Komisioni e konsideroi skemën “në kundërshtim me ligjin e BE-së” pasi ishte e disponueshme vetëm për personat që kanë jetuar të paktën 10 vjet në Itali, dy prej të cilave radhazi.

Skema e re përcakton si kusht që përfituesi të ketë jetuar të paktën 5 vjet, dy prej të cilave pa ndërprerje.

Një rekomandim i Këshillit për skemat adekuate të të ardhurave minimale, i miratuar nga shtetet anëtare në janar, thotë se kërkesa për rezidencë duhet të jetë "proporcionale", por nuk ofron një afat specifik kohor.

Ndërsa qeveria Meloni synon që me skemën e re të nxisë punësimin dhe të riintegrojë një numër më të madh njerëzish në tregun e punës, në BE mendojnë se kjo rrezikon t’i nxjerrë ata jashtë sistemit nëse nuk gjejnë punë brenda një viti.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.