Kompromat

Postuar në 26 Mars, 2023 17:13

"Kompromat" është një film i pazakonshëm për raportin që përcjell në frymën e një aksioni me nuanaca policore dhe spiunazhi pasi ai dominohet nga një dramë personale për të gjithë. Filmi nën regjinë e Jerome Salle sjell deri diku historinë e vërtetë të Yoann Barbereau, një francezi që jetonte në Rusi e që pasi u arrestua nën akuza të rreme, ia doli të arratisej.

Protagonisti mban emrin e Matheiu Roussel, drejtor i Aleancës Franceze në Irkutsk, i cili vihet nën akuzë pas vënies në skenë të një pjese teatrore me përmbajtje erotike homoseksuale. Me deponimin në presion të gruas së tij, Roussel arrestohet për pedofili dhe pornografi për t’u dërguar në burg dhe mandej për t’u ndalur në arrest shtëpie. Elementët e arratisjes kanë pak interes ndonëse ato janë në fakt pjesa plotësuese e një drame që përveçse ngre një akuzë për Rusinë e tanishme dhe natyrën policore të saj, në të vërtetë zbardh një anë tjetër të mirëkuptimit dhe dashurisë njerëzore.

Roussel ndihmohet në ikjen e tij nga Svetlana, një mësuese frëngjishteje, e cila jeton me një burrë invalid, djali i kreut të FSB-së për Irkutskun, Dmitry Rostov. Në film prezantohen dy Rusi: njëra e pushetit konservator dhe autoritar që nuk ka korrigjuar sjelljen e vet nga regjimi komunit dhe tjetra, njerëzore, që refuzon por nuk vepron ndaj kësaj diktature zakonesh shtetërore që e shndërrojnë atë në një mjedis distopik të plotësuar nga grija tipike e Siberisë.

Roussel ngjan më së miri si një huaj në një vend ku veprojnë kode të tjera, ai shfaqet disi naiv në pretendimin për të përshfaqur lirinë e tij duke sfiduar mentalitete të ngulitura. I lënë në baltë nga ambasada franceze që i ngjan një strofke kërmijsh të tulatur, Roussel këshillohet nga avokati rus të arratiset. Svetlana i gjendet në krah dhe rrezikon jetën për ta ndihmuar, diktuar kjo nga një ndjenjë për francezin, e cila zhvillohet në film jo si tradhëti ndaj një burri invalid dhe të alkoolizuar, por si një shkëputje nga mizerja shpirtërore e një rutine vrastare.

Në ndjekje të francezit vihen Spetznatz, njësitë speicale ruse, drejtuesi operacional të cilëve nuk i beson as Rostovit të FSB-së i implikuar për shkak se është vjehrri I “lavires së vockël” që ndihmon francezin. Drama mbyllet natyrshëm, tragjikisht: Roussel ikën nga kufiri me Estoninë, ndërkohë që ndihma që ai merr nga Svetlana zbulohet. Aty ku filmi duhet të mbaronte me një happy end tipik, ai merr rrjedhën finale: bashkëshorti i saj vret veten duke I shprehur asaj ndjesën, pa u ndjerë i tradhëtuar, por duke shpëtuar nga braktisja e gjatë e fatit. Në skenën e varjes hyn Rostov, oficeri i sertë i FSB-së që para djalit të vetëvrarë kupton fundin e vet si njeri duke I kërkuar nuses së tij, “lavires së vockël” që të ikë dhe duke i kërkuar ndjesë për të gjithë atë që ndodhi.

Vdekja e disa njerëzve është kështu zgjidhja e një drame personale për Roussel, që shpëton, por pasi kalon kufirin e di shumë mirë se me lirinë e rifituar ka humbur njeriun e vet më të afërt, Svetlanën, tashmë vetëm në Irkutsk.

Filmi mbyllet me një telefonatë pa përgjigje, që mund të interpretohet në të gjitha mënyrat, por arritja më e madhe e filmit është vënia në krye të tensionit njerëzor. Që lidhet në fakt me kryqëzimin e madh të jetës, aty ku njeriu nuk ka më përgjigje politikisht korrekte, sepse ndeshet me disa ngjarje dhe disa njerëz të cilët deri në atë moment i ka gjykuar, por që befas i bëjnë të kuptojë se ato kanë qenë asgjë më shumë se proteza të një inercie, të një jete të rremë, të një rutine që ka institucionalizuar një normalitet virtual. Në fund njeriu, Roussel e di shumë mirë se ai do Svetlanën, që nuk duhet ta donte, sikundër ajo e do, por duhet të rrijë në Irkutsk. Për të mbrojtur një dinjitet dhe për “të mos urryer veten”. Në botën e sotme të spektaklit dhe mediatizimit të modeleve që tentojnë perfeksionin, një tirani kjo që bart me vete farën e një psikiatrie të përgjithshme, dashuria me kaq pak fjalë e dy të rriturve “të padukshëm”, dy mësuesve në një qytet të Siberisë, përbën një syth të njerëzores, të së vërtetës së madhe që zhurma e madhe e kësaj bote që sa vjen e bëhet më e vockël, e shtyp, e shkel brutalisht. E megjithatë është pikërisht ajo që e bën njeriun të mos jetë automat, edhe këputja e Rostov mbi djalin e vet është e tillë, edhe mbetja vetëm e Svetlanës, sikundër liria e hidhur e Roussel. Në fund ky është fati i dikujt që dashuron, ose i dikujt të cilit jeta ia jep këtë privilegj.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.