Kombi po bëhet edhe me unazë

Postuar në 09 Mars, 2023 15:54

Në një lidhje televizive në Tiranë, Artan Grubi, zv.kryeministër i Maqedonisë së Veriut, ka deklaruar ndër të tjera se:

Do të arrijmë heqjen e kufirit me Shqipërinë. Kjo do të mundësojë shumë më tepër se lëvizje të mallrave e të njerëzve.  

Do të mundësojë që njerëzit të njihen më tepër, martesat të bëhen më të shpeshta midis shqiptarë të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët e Maqedonisë do mund të blejnë prona në Durrës, apo Tiranë.

Është një projekt shumëdimensional të cilin njerëzor do ta kuptojnë sapo të nisë. Do të bëhet nga Prishtina në Shkup autostradë, nga Shkupi në Tiranë autostradë, nga Tirana deri në Prishtinë autostradë.

Njeriu mund të hajë mëngjesin në Shkup, të pijë kafen e drekës në Tiranë, pastaj darkën në Prishtinë dhe të kthehet në Shkup brenda shumë pak orësh. Po mundësojmë një unazë të kombit dhe jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë që kemi arritur

Lexon këtë lloj përshkrimi naiv dhe demagogjik njëherazi dhe nuk gjen dot shpjegim se pse nuk dimë në gjuhën shqipe të flasim ndryshe për procese të tilla. Si mundet që të kesh entuziazëm nacional për një unazë të kombit, një rrugë të kombit, që të jep mundësi të pish kafen aty, hashe drekën atje e pastaj të kthehesh. Z. Grubi e di shumë mirë se nuk ka penguar rruga që shqiptarë të Kosovës apo Maqedonisë së Veriut të blejnë shtëpi në Durrës, apo edhe të martohen, sepse tani njerëzia po martohen në Facebook.

Ne kemi rrugën Durrës-Kukës prej vitesh e në të vërtetë po konstatojmë se ajo rrugë prodhoi një ftohje mes dy anëve të kufirit, pikërisht për shkak se marrëdhënia erdhi në shtrat natyraliteti përmes njohjes dhe u zhvesh nga emotiviteti i mosnjohjes. Si mundet që edhe një investim të tillë që sjell pasoja ekonomike ta inkuadrosh brenda ninullës së bashkimit që nuk dihet pse ka bindur shumëkënd se do na bëjë të lumtur? Mesa duket fabula nacionaliste është më e thjeshta për t’u rrëfyer për këdo dhe në botën shqiptare mesa duket nuk ka guru të tjerë veç atyre që duke kërkuar rrënjët e zhardhokut patriotik, po shkulin nga rrënjët një milet të tërë që edhe pse duartroket po merr rrugët nga sytë këmbët se helbete përralla të tilla të lënë pa bukë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.