Revolucion përmes Gjuhës Kombëtare*

Postuar në 20 Shkurt, 2022 16:12

27 janari 1794 shënon ndoshta rastin e parë në historinë politike kur një trupë e zgjedhur postulon një nevojë imediate për unifikimin e një gjuhe kombëtare. Konventa revolucionare e Francës dëgjon në këtë datë një raport të Komitetit të Shpëtimit Publik, autorizuar nga Bertrand Bariere de Vieuzac, një nga fjalimet kryesore të Revolucionit. Mbi Dialektet(Sur les idiomes) titullohet raporti që konsiston në nevojën e rregullimit me ligj të çështjes së gjuhës franceze, deklamuar këtu si e vetmja që mund të jetë gjuhë universale, gjuhë e Republikës, përçuese e ideve të mëdha të cilat bllokohen nga dialekte “trashanike” që stigmatizohen nga Barere si simbole të reaksionit dhe armiqve të Francës.

Federalizmi dhe supersticioni flasin dialektin breton të poshtëm, emigracioni dhe urrejtja ndaj Republikës flasin gjermanisht, kundër-revolucioni flet italisht dhe fanatizmi flet me gjuhën baske

thotë Bariere.

Nëse rreth 2 shekuj më parë frëngjishtja zëvendësoi latinishten në oborr, Revolucioni këtu, apelon një nevojë për përdorimin e gjuhës si mjet strategjik për unitetin psikologjik të kombit dhe komunikimin e ideve të veta duke theksuar kështu një tipar modern të kohës. Gjuha përcakton gjeopolitikën e një vendi që mëton të ndryshojë narrativën e vet, diçka që vihet re edhe sot kur shihet se vetë interneti ka si të vetmin rajonalizim, atë gjuhësor. Fjalimi është gurthemeli i politikave gjuhësore homogjenizuese që pasuan mandej në mbarë Europën dhe ai ka një rëndësi të madhe historike edhe për ta parë dhunën e tyre përtej bolshevizmit dhe Rusisë, por si një ide që origjinalisht lindi në Europë.

***

Qytetarë, tiranët e bashkuar kanë thënë: injoranca ka qenë përherë ndihmësja jonë më e fuqishme ;le ta ruajmë injorancën; ajo krijon fanatikët, shumëfishon kundër-revolucionarët; le t’i kthejmë francezët pas drejt barbarisë: le t’i vëmë në shërbimin tonë njerëzit e keq-arsimuar, apo ata të cilët flasin një dialekt të ndryshëm nga ai i arsimit publik. Komiteti e ka kuptuar këtë komplot të injorancës dhe despotizmit. Kërkoj sot vëmendjen tuaj mbi gjuhën më të bukur të Europës, ajo e cila, ishte e para që iu përkushtua me të vërtetë të drejtave të njeriut dhe të qytetarit, ajo e cila ka detyrën t’i përcjellë botës mendimet më sublime të lirisë dhe spekulimet më të mëdha të politikës.

Për një kohë të gjatë ajo u skllavërua, lajkatonte mbretërit, korruptonte gjykatat dhe nënshtronte popujt, për një kohë të gjatë ajo u degradua në shkolla dhe mashtronte në librat e shkollës publike; finoke dhe e zgjuar në gjykata, fanatike në tempuj, barbare në diploma, e squllur nga poetët, korruptuese në teatro, ajo dukej se priste, apo më mirë dëshironte një fat më të mirë. 

E purifikuar më në fund dhe e zbutur nga autorë dramatikë, e fisnikëruar dhe brilante në diskutimet e disa oratorëve, ajo nisi të rimerrte energji, arsye dhe liri nën pendën e disa filozofëve të cilët persekutimi i kishte nderuar para revolucionit të 1789-ës. Por dukej se ajo i përkiste ende vetëm disa klasave të caktuara të shoqërisë; ajo kishte marrë ngjyrimet e dallimeve fisnikërore; dhe kurtizani, i pakënaqur se dallohej nga veset dhe shthurjet e tij, kërkoi sërish të shquhej në të njëjtin vend nga një gjuhë tjetër. Mund të thuhej se kishte shumë kombe brenda një të vetmi.

Kjo ndodhte në një qeveri monarkike, ku duhet të jepje prova për t’u pranuar në një shkollë, në një vend ku të duhej një farë rrjeti për të pasur një prejardhje nga ajo që quhej shoqëri e mirë dhe ku duhej ta shqiptoje gjuhën në një mënyrë të veçantë për t’u quajtur një njeri për të qenë. Këto dallime fëmijërore u zhdukën së bashku me grimasat e kurtizanëve qesharakë dhe lodrat e një oborri pervers. Madje edhe krenaria e të pasurit të një theksi pak a shumë të pastër apo tingëllues, nuk ekziston më, qëkurse qytetarë të mbledhur në asambletë kombëtare nga të gjitha zonat e  Republikës e thanë fjalën e tyre për lirinë dhe mendimet e tyre për legjislacionin e përbashkët.

Më parë, ata ishin skllevër të shkëlqyer të nuancave të ndryshme; ata debatonin primatin e modës dhe të gjuhës. Njerëzit e lirë janë mbledhur të gjithë: dhe theksi i fuqishëm i lirisë dhe barazisë është i njëjti…Vetëm katër pika në territorin e Republikës meritojnë të kenë vëmendjen e ligjvënësit revolucionar në raport me dialektet që shfaqen më shumë kundër përhapjes së frymës publike dhe janë pengesë për njohjen e ligjeve të Republikës dhe zbatimin e tyre.

Mes dialekteve të vjetra, uellsiane, gaskonje, kelte, visigote, marsejeze dhe orientale, që formojnë disa nuanca të lehta në komunikimin e qytetarëve të ndryshëm dhe vendeve që janë pjesë e territorit të Republikës, ne kemi vënë re (dhe raportet e përfaqësuesve bashkohen në këtë pikë me ato të agjentëve të ndryshëm që veprojnë në departamente) se dialekti breton i poshtëm, ai bask, gjuhët gjermane dhe italiane kanë përjetësuar mbretërimin e fanatizmit dhe të supersticionit, kanë siguruar dominimin e priftërinjve, fisnikëve dhe mjekëve, kanë penguar revolucionin të depërtonte në nëntë departamente të rëndësishme dhe mund të favorizojnë armiqtë e Francës.

Po nis me bretonen e poshtme. Ajo flitet ekskluzivisht në thuajse të gjithë hapësirën e departamenteve të Morbihan, Finistere, Côtes-du-Nord, Îlle-et-Vilain dhe në një pjesë të madhe të Loire – Inferieure. Aty injoranca përjetëson zgjedhën e imponuar nga priftërinjtë dhe fisnikët; aty qytetarët lindin dhe vdesin në padije; ata injorojnë faktin nëse ka apo jo ligje të reja. Banorët e fshatrave nuk kuptojnë veçse bretonen e poshtme; pikërisht me këtë mjet barbar të mendimeve të tyre supersticioze që priftërinjtë dhe  intrigantët i mbajnë nën dominim absolut, drejtojnë ndërgjegjen e tyre dhe pengojnë qytetarët të njohin ligjet dhe të duan Republikën.

Puna juaj atyre u është e panjohur, përpjekjet tuaj për çlirimin e tyre injorohen. Arsimi publik atje nuk mund të vendoset, ringjallja kombëtare është e pamundur. Është një federalizëm i pashkatërrueshëm që ngrihet mbi mungesën e komunikimit të mendimeve; dhe nëse departamentet e ndryshme, vetëm në fshatra, do të flisnin dialekte të ndryshme, federalistë të tillë nuk do mund të korrigjoheshin brenda disa viteve dhe vetëm veçse me ca mësues shkolle.  

Pasojat e këtij dialekti, të ngulitura për një kohë shumë të gjatë dhe të folura në një masë shumë të madhe në pesë departamentet e Perëndimit, janë kaq të ndjeshme saqë vendasit (sipas raportit të njerëzve që u dërguan atje) ngatërrojnë fjalën Ligj dhe Fe, në një shkallë të tillë saqë, kur funksionarët publikë u flasin për ligjet e Republikës dhe dekretet e Konventës, ata përgjigjen në gjuhën e tyre vulgare: Mos po na kërkohet që të ndryshojmë vazhdimisht fenë?

Çfarë makiavelizmi nga priftërinjtë që kanë pështjelluar mendimet për Ligjin dhe Fenë te këta banorë të mirë të fshatrave! Gjykoni nga kjo karakteristikë e veçantë, nëse është momenti për t’u marrë me këtë çështje. Ju u keni hequr këtyre fanatikëve të humbur shenjtorët nga kalendarët e Republikës; largojini ata prej perandorisë së priftërinjve duke u mësuar gjuhën franceze.

Kush atëherë bashkë me tradhtarët, i ka thirrur në departamentet e Rinit të Sipërm e të Poshtëm, austriakët dhe prusianët në kufijtë tanë të pushtuar? Banori i fshatrave që flet të njëjtën gjuhë si armiqtë tanë dhe që  beson se është më shumë vëllai i tyre dhe bashkëqytetar i tyre se sa vëllai dhe bashkëqytetari i francezëve të cilët i flasin një tjetër gjuhë dhe kanë të tjera zakone.

Pushteti i identitetit gjuhësor ka qenë aq i madh saqë me tërheqjen e gjermanëve emigruan më shumë se 20 mijë njerëz nga fushat e Rhinit të Poshtëm. Perandoria e gjuhës dhe inteligjencës që sundonte mes armiqve tanë të Gjermanisë dhe bashkëqytetarëve tanë të departamenteve të Rhinit të Poshtëm, është  aq e padiskutueshme saqë emigracionin e tyre nuk e ndaloi as ajo që është më e shtrenjta për njeriun, trualli që i pa të lindnin, hyjnitë mbrojtëse dhe tokat të cilat i kishin punuar. Ndryshimi në kushte, krenaria, prodhoi emigracionin e parë që i solli Francës miliarda; dallimi gjuhësor, defekti në arsim, injoranca prodhoi valën e dytë të emigracionit që la thuajse një departament të tërë pa bujq. Pikërisht kështu u vendos kundër-revolucioni duke gjetur strehë në dialektet kelte apo barbare, të cilat ne duhej t’i kishim eliminuar.

Në kahun tjetër të Republikës është një popull i ri, ndonëse antik, një popull pastoral dhe lundërtar, që nuk ishte kurrë as skllav dhe as padron, të cilin Çezari nuk mund ta mposhtte në marshimin e tij triumfal drejt galëve, të cilin nuk mundën ta preknin revolucionet e Spanjës dhe që despotizmi i despotëve tanë nuk mundi t’ua nënshtronte zgjedhës së administratorëve: dua t’ju flas për popullin bask.

Ai zë skajin e Pirenejeve Perëndimore që bie mbi oqean. Një gjuhë tingëlluese dhe imagjinative është konsideruar si vula e origjinës së tyre dhe si trashëgimia e përcjellë nga të parët e tyre. Por ata kanë priftërinj dhe priftërinjtë e përdorin dialektin e tyre për t’i bërë fanatikë; ata injorojnë gjuhën franceze dhe gjuhën e ligjeve të Republikës. Duhet pra që ata ta mësojnë gjuhën, sepse pavarësisht ndryshimit gjuhësor dhe pavarësisht priftërinjve të tyre, ata janë të devotshëm ndaj Republikës të cilën e kanë mbrojtur tashmë me trimëri në Bidassoa dhe me skuadronet tona detare.

Një tjetër departament meriton të ketë vëmendjen tuaj: ky është departamenti i Korsikës. Miq të zjarrtë të lirisë, veçse kur një Paoli perfid dhe administratorët federalistë që bashkëpunojnë me priftërinjtë nuk i çorientojnë ata, korsikanët janë qytetarë francezë; por që në katër vitet e revolucionit, ata nuk i njohin ligjet tona, ata nuk i njohin ngjarjet dhe krizat e lirisë sonë.

Shumë afër me Italinë, çfarë mund të merrnin ata prej saj? Priftërinj, indulgjenca, fjalime rebelimi, lëvizje fanatike. Pascal Paoli, anglez për nga prezantimi, i shtirur për nga zakoni, i dobët për nga mosha e tij, italian për nga parimet, priftëror për nevojë, shërbehet kryesisht me gjuhën italiane për të pervertuar shpirtin publik, për të mashtruar popullin, për të rritur partinë e tij; mbi të gjitha ai shërbehet mbi të gjitha me injorancën e banorëve të Korsikës, të cilët as nuk kanë idenë më të vogël për ekzistencën e ligjeve franceze pasi ato janë shkruar në një gjuhë që ata nuk e kuptojnë.

Qytetarë, kështu lindi Vandeja; djepi i saj ishte injoranca mbi ligjet; rritja e saj u bë përmes mënyrave të përdorura për të penguar penetrimin aty të revolucionit, dhe atëherë perënditë e injorancës, priftërinjtë refraktarë, fisnikët komplotistë, esnafët e pangopur dhe administratorët e dobët apo bashkëpunëtorë hapën një plagë të tmerrshme në gjirin e Francës: ta shtypim pra injorancën, të vendosim mësuesit e gjuhës franceze në fshatra.

Prej tre vjetësh, asambletë kombëtare flasin dhe diskutojnë mbi arsimin publik; prej shumë kohësh është ndjerë nevoja e shkollave elementare; janë ushqimi moral i nevojave bazike që po ju kërkojnë fshatrat; por ndoshta ne jemi ende shumë akademikë dhe shumë larg nga populli për t’i dhënë  institucionet e duhura për plotësimin e nevojave të tij më të ngutshme. Ligjet për arsimin të përgatisin për t’u bërë artizan, artist, shkencëtar, shkrimtar, ligjvënës dhe funksionar publik; por ligjet primare të arsimit duhet të përgatisin për të qenë qytetar; ose për të qenë qytetar duhet t’u bindesh ligjeve dhe që t’u bindesh atyre, duhet t’i njohësh. Ju i detyroheni pra popullit, arsimin elementar që i krijon atij mundësinë të dëgjojë zërin e ligjvënësit.

Çfarë kontradikte paraqesin për mendjet e të gjithëve departamentet e Rhinit të Sipërm dhe të Poshtëm, ato të Morbihan, Finistere, Ille-et-Vilaine, Loire-Inferieure, Brigjeve të Veriut, Pirenejeve të Poshtëm dhe Korsikës! Ligjvënësi flet një gjuhë të cilën ata që duhet ta zbatojnë dhe binden, nuk e kuptojnë. Paraardhësit tanë nuk njohën kurrë kontraste kaq befasuese dhe të rrezikshme. 

Duhet popullarizuar gjuha, duhet shkatërruar kjo aristokraci e gjuhës që duket sikur po krijon një komb të sjellshëm në mes të një kombi barbar. Ne kemi revolucionarizuar qeverinë, ligjet, traditat, sjelljet, zakonet, tregtinë, madje edhe vetë mendimin; le ta revolucionarizojmë pra edhe gjuhën, që është mjeti i tyre i përditshëm!

Ju keni dekretuar dërgimin e ligjeve në të gjitha komunat e Republikës; por kjo punë e mirë ka shkuar dëm për ato departamente që i përmenda pak më parë. Rrezet dritës të çuara me shumë mundim në skajet e Francës, fiken sapo mbërrijnë aty sepse ligjet nuk kuptohen.  Federalizmi dhe supersticioni flasin dialektin breton të poshtëm, emigracioni dhe urrejtja ndaj Republikës flasin gjermanisht, kundër-revolucioni flet italisht dhe fanatizmi flet me gjuhën baske. T’i bëjmë copë mjetet e tyre të turpit dhe padijes!

Komiteti ka menduar se duhet t’ju propozojë, si masë urgjente dhe revolucionare, caktimin në çdo komunë të fshatrave, të departamenteve të përmendura, një mësues të gjuhës franceze, i ngarkuar t’u mësojë të rinjve të të dyja gjinive dhe t’u lexojë çdo dekadë, të gjithë qytetarëve të tjerë të komunës, ligjet, dekretet dhe udhëzimet e dërguara nga Konventa. Si fillim, do t’ju takojë këtyre mësuesve t’i përkthejnë me zë këto ligje, për t’i bërë më të thjeshta e më të kuptueshme. Roma e kultivoi rininë duke e mësuar të lexojë ligjet e 12 tabelave. Franca do t’u mësojë gjuhën franceze një pjesë të qytetarëve me librin e Deklaratës së të Drejtave të Njeriut.

Nuk është se në departamentet e tjera nuk ekzistojnë dialekte pak a shumë trashanike; por ato nuk janë ekskluzive, nuk pengojnë njohjen e gjuhës kombëtare. Nëse ajo nuk flitet njësoj kudo, ajo kuptohet me më shumë vështirësi. Klubet, shoqëritë patriotike janë shkolla kryesore për gjuhën dhe lirinë; ato do të mjaftojnë për ta bërë të njohur gjuhën në departamentet ku ka ende shumë mbetje të këtyre të folmeve, këtyre zhargoneve të ruajtur për forcë zakoni dhe të përhapur për shkak të neglizhencës në arsim apo mungesës së tij.

Ligjvënësi duhet të shohë nga lart, dhe të shohë kështu vetëm nuancat shumë të theksuara, vetëm dallimet e mëdha; për mësuesit e gjuhës ligjvënësi ka detyrim ndaj vendit që, i mësuar ekskluzivisht me një dialekt, është, si të thuash, i izoluar dhe i ndarë nga familja e madhe.

Këta mësues nuk do të bëjnë pjesë në asnjë kult, fund pjesëmarrjes në mësimin publik të priftërinjve; patriotë të mirë, njerëz të pastër, ja cilësitë kryesore të domosdoshme për të qenë pjesë e arsimit. Shoqëritë popullore do të paraqesin kandidatët; këta mësues do të dalin nga gjiri i tyre, nga qytetet dhe do të zgjidhen nga përfaqësuesit e popullit të dërguar për të vendosur qeverisjen revolucionare. Trajtimi i tyre do të përballohet nga thesari publik. Republika i detyrohet arsimin elementar të gjithë qytetarëve; trajtimi i tyre nuk do të nxisë lakminë; do të duhet të kënaqë nevojat e një njeriu në fshat. Paga do të jetë 100 fr në muaj. Frekuentimi i provuar nga autoritetet e konstituuara do jetë garancia e Republikës në pagesën që do t’u bëjë këtyre mësuesve, të cilët do të përmbushin një mision më të rëndësishëm nga sa duket në pamje të parë. Ata po shkojnë të formojnë njerëz për lirinë, të krijojnë lidhjen e qytetarëve me atdheun dhe të përgatisin zbatimin e ligjeve duke i bërë ato të njohura.

Ky propozim i komitetit do të duket ndoshta jo shumë serioz për veshët e njerëzve të zakonshëm, por unë u drejtohem ligjvënësve popullorë, të ngarkuar të drejtojnë më të bukurin  e revolucioneve që shpirti njerëzor dhe politika kanë provuar ndonjëherë.

Nëse do i drejtohesha një despoti, ai do të më mallkonte, në vetë monarkinë, çdo shtëpi, çdo komunë, provincë ishte në një farë mënyre një perandori e ndarë në sjellje, tradita, ligje, zakone dhe gjuhe. Despoti kishte nevojë të izolonte popujt, të ndante vendet, interesat, të pengonte komunikimin, të ndalonte njëkohësinë e mendimeve dhe identitetin e lëvizjeve. Despotizmi konservonte larminë e dialekteve:  një monarki duhet t’i ngjajë kullës së Babelit; nuk ka veçse një gjuhë universale për tiranin: ajo e forcës për të patur bindjen dhe ajo e taksave për të vjelë para.

Në demokraci, përkundrazi, mbikëqyrja e qeverisë i besohet çdo qytetari, për ta mbikëqyrur duhet ta njohësh qeverinë, por mbi të gjitha duhet të njohësh gjuhën e saj. Ligjet e Republikës supozojnë një kujdes të veçantë të të gjithë qytetarëve ndaj njëri-tjetrit dhe një mbikëqyrje konstante mbi vëzhgimin e ligjeve dhe mbi sjelljen e funksionarëve publikë. A mundet të premtohet kjo me konfuzionin e gjuhëve, me neglizhencën e arsimimit elementar kryesor të popullit, apo me injorancën e qytetarëve? Për më tepër, sa shpenzime kemi bërë për përkthimin e ligjeve të dy asambleve të para nacionale në dialektet e ndryshme të folura në Francë? A thua se na takon neve t’i ruajmë këto zhargone barbare dhe këto dialekte trashanike që u shërbejnë veçse fanatikëve dhe kundër-revolucionarëve!

Të lësh qytetarët në padijen e gjuhës kombëtare, do të thotë të tradhtosh atdheun, do të thotë ta lësh rrymën e dritës të helmohet dhe pengohet në rrugën e vet, do të thotë të injorosh përfitimet e shtypshkrimit, pasi çdo botues është një mësues publik i gjuhës dhe legjislacionit.

Do ta linit ju një pjesë të territorit pa frytin e kësaj shpikjeje të bukur që shumëfishon mendimet dhe përhap dritën, që riprodhon ligjet dhe dekretet dhe i shpërndan ato në tetë ditë në të gjithë hapësirën e Republikës; një shpikje që e bën të pranishme Konventën Kombëtare në të gjitha komunat dhe që e vetme mund të ofrojë dijet, arsimin, shpirtin publik dhe qeverisjen demokratike të një kombi të madh?

Qytetarë, gjuha e një populli të lirë duhet të jetë një dhe e vetme për të gjithë.

Kur njerëzit mendojnë, kur ata mund të organizojnë mendimet, atëherë perandoria e priftërinjve, despotëve dhe intrigantëve, kap fundin e vet. T’ua japim atëherë qytetarëve instrumentin e të menduarit publik, agjentin më të sigurtë të revolucionit, gjuhën e njësuar! Dhe çfarë gjuhe! Ndërkohë që popuj të huaj mësojnë në mbarë globin gjuhën franceze, ndërkohë që gazetat tona publike qarkullojnë në të gjitha rajonet, ndërkohë që Journal Universel dhe Journal des Hommes Libres lexohen në të gjithë kombet nga një pol në tjetrin, thuhet se në Francë janë 600 000 francezë që injorojnë absolutisht gjuhën e kombit të tyre dhe që nuk njohin as ligjet, as revolucionin që ka ndodh mes tyre.

Të kemi krenarinë që duhet për t’i dhënë preeminencën gjuhës franceze qëkurse ajo është republikane dhe të përmbushim një detyrë.

Ta lëmë gjuhën italiane të përkushtuar ndaj kënaqësive të harmonisë dhe shprehjeve të një poezie të squllët dhe korruptuese.

Ta lëmë gjuhën gjermane, që është pak e denjë për popujt e lirë, deri sa qeveria feudale dhe ushtarake, e cila është më dinjitozja e organeve, të asgjësohet.

Ta lëmë gjuhën spanjolle për inkuizicionin e vet dhe universitetet e saj, derisa ajo shpreh dëbimin e Burbonëve që shfronëzuan popujt e të gjitha Spanjave.

Sa për gjuhën angleze, që u bë e madhe dhe e lirë ditën kur u pasurua me fjalët, e madhërishmja e popullit, ajo nuk është më veçse dialekti i një qeverie tiranike dhe të urryer shfarrosëse, i bankës dhe kambialeve

Armiqtë tanë e kishin kthyer frëngjishten në gjuhë të oborreve mbretërore; ata e kishin poshtëruar. Na takon Ne që ta bëjmë atë një gjuhë të popullit, dhe ajo do të jetë e nderuar.

Nderi i takon gjuhës që i ka dhënë tonin dhe theksin lirisë dhe barazisë; gjuhës që ka një tribunë legjislative dhe 2 000 tribuna popullore, që ka salla të mëdha ku mund të mblidhen kuvende të mëdha dhe teatro për të celebruar patriotizmin; nderi i përket veçse gjuhës franceze e cila që prej katër vjetësh lexohet nga të gjithë popujt njerëzit dhe që i tregoi të gjithë Evropës vlerën e 14 ushtrive, që i shërbeu lavdisë së rimarrjes së Tulonit, Landaut, Fort Vauban dhe asgjësimit të ushtrive mbretërore; i takon vetëm asaj të bëhet gjuha universale. Kjo është ambicia e gjenisë së lirisë; ajo do ta përmbushë.

Sa për ne, ne u detyrohemi bashkëqytetarëve tanë, ne i detyrohemi forcimit të Republikës për të bërë të flitet në të gjithë territorin e saj gjuha në të cilën është shkruar Deklarata e të Drejtave të Njeriut!

Përkthimi dhe titulli: ResPublica 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nga cila kohe vjen ky Proklamacion? Nga 25 mije vjet me pare? S'paska as edhe nje burim nga eshte marre dhe perkthyer, qe te kuptonim nga cila kohe vjen!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.