SHBA dërgon 3 mijë trupa shtesë në Europën Lindore

Postuar në 03 Shkurt, 2022 10:00

SHBA do të dërgojë trupa shtesë në Poloni, Gjermani dhe Rumani, në përgjigje të tensioneve në rritje mes Rusisë dhe Ukrainës. Lajmin e bëjnë të ditur burime të administratës amerikane. Biden do të dërgojë 2 000 trupa këtë javë nga Fort Bragg, Karolina e Veriut, në Poloni dhe Gjermani dhe një pjesë të një skuadroni Stryker prej rreth 1 000 trupash me bazë në Gjermani, në Rumani.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby shpjegoi se 3 000 trupat amerikane që do të dërgohen në Evropën Lindore janë ndër 8 500 të tilla, që kanë hyrë në gjendje gatishmërie.

"Është e rëndësishme t'i dërgohet një sinjal i fortë jo vetëm Putinit, por edhe botës", tha Kirby, duke shtuar se Pentagoni nuk e di "nëse Rusia e ka marrë vendimin" për të sulmuar Ukrainën, por di që "e ka aftësinë për të bërë".

Nga Rusia, ky shihet si një hap tjetër që i shton tensionet. Vendosja e trupave të tjera shtesë nga Shtetet e Bashkuara në Evropën Lindore është një vendim "shkatërrues". Kështu ka thënë zëvendësministri i Jashtëm, Aleksandër Grushko, i cituar nga agjencia Interfax. Është një “masë e pajustifikuar, shkatërruese që rrit tensionet ushtarake dhe zvogëlon hapësirën për vendime politike”, tha Grushko.

Ndërkohë, bisedimet me Putin vijojnë. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka njoftuar se do të shkojë në Moskë gjatë ditëve të ardhshme për të diskutuar me Putin, në përpjekje për të zbutur krizën në Ukrainë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi se do të diskutojë mbi krizën në Ukrainë me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, "në orët e ardhshme" dhe se nuk përjashton mundësinë që të shkojë në Moskë për të kërkuar një zgjidhje diplomatike.

Ndërkohë, sipas “El Pais”, SHBA-të i kanë propozuar Rusisë një marrëveshje sipas së cilës të dyja palët do të angazhohen të mos vendosin “raketa sulmuese tokësore dhe forca të përhershme për misione luftarake” në Ukrainë. Kjo është një nga përgjigjet e ofruara nga Uashingtoni ndaj kërkesave të Moskës për garanci sigurie, sipas El Pais, e cila pretendon se ka dokumentet që e provojnë marrëveshjen. Megjithatë, si SHBA ashtu edhe NATO refuzojnë të nënshkruajnë një marrëveshje që pengon Kievin të hyjë në Paktin Atlantik, siç kishte kërkuar Rusia.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.