Ishulli i Pashkëve kundërshton rihapjen për turistët

Postuar në 01 Nëntor, 2021 14:22

Banorët e Ishullit të Pashkëve u thonë jo turistëve. Me një referendum jodetyrues, popullsia e Ishullit të Pashkëve është shprehur kundër rihapjes së territorit të Paqësorit Jugor. Që nga marsi 2020, kufizimet kundër pandemisë Covid kanë bërë që dhjetë mijë banorë të ishullit të mos shohin asnjë turist të vetëm në vendin e tyre.

Për rihapjen, banorët u pyetën: A doni rihapjen e ishullit duke filluar nga janari?

Qytetarët e Ishullit të Pashkëve, 60% e të cilëve i përkasin grupit etnik Rapa Nui të kulturës polineziane, morën pjesë në votim në masën 20%. Por mes tyre, 67% janë përgjigjur “jo” ndërsa vetëm 3 veta kanë mbështetur rihapjen për turistët.

Në fakt, autoritetet shëndetësore të rajonit kilian të Valparaiso, nga i cili varet administrativisht Ishulli i Pashkëve, do të vendosin për rihapjen. Ishulli ndodhet 3700 km larg brigjeve të Kilit dhe është i njohur për megalitët misteriozë në breg.

Që prej marsit 2020, Kili ka regjistruar më shumë se 1.6 milion raste dhe më shumë se 36 000 vdekje. Ndërsa në ishullin turistik nuk është regjistruar asnjë rast të ri që nga shtatori 2020, dhe nuk ka pasur asnjë vdekje gjatë pandemisë.

Turizmi është burimi kryesor i të ardhurave për ishullin. Por një sakrificë e tillë për banorët e ishullit duket se nuk e ka origjinën vetëm te frika ndaj Covid-it. Para mbylljes kanë qenë të shpeshta raportimet për dëmet e shkaktuara në ishull nga turizmi masiv. Në korrik të 2019-s, CNN raportoi dëmtimin e statujave moai nga turistët e panumërt që vizitojnë ishullin çdo sezon.

Rasti të kujton Venecian, për të cilën administrata vendore ka vendosur kufizimin e numrit të vizitorëve ditorë duke nisur nga gjysma e vitit 2022, ndërsa në gusht të këtij viti u mor vendimi për ndalimin e hyrjes së kryqëzorëve. Ky vendim i kurseu Venecias statusin e sajtit të mbrojtur nga UNESCO.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.