Pikëpyetje të reja mbi origjinën laboratorike të SARS-CoV-2

Postuar në 07 Shtator, 2021 18:16

SHBA ka financuar studime mbi koronaviruset, që janë kryer në Institutin e Vuhanit, në Kinë, atje ku në fund të 2019-s nisi pandemia që do të pushtonte më pas gjithë botën. Aleanca EcoHealth, një organizatë shëndetësore me qendër në SHBA përdori paratë federale për të financuar hulumtimin e koronavirusit të lakuriqëve. Dokumente të reja, të cilave u referohet “The Intercept”, mes 900 faqeve të tyre kanë edhe dy propozime të papublikuara të grantit të financuara nga Instituti Kombëtar i Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive, si dhe përditësime të projekteve që lidhen me studimin e koronavirusëve.

Dokumentet u publikuan në funksion të përballjes gjyqësore mes “The Intercept” dhe Instituteve Kombëtare të Shëndetit lidhur me Aktin e Lirisë së Informacionit.

Një nga grantet, që mban emrin "Të kuptuarit e rrezikut të shfaqjes së koronavirusit të lakuriqëve të natës", përshkruan një përpjekje ambicioze të udhëhequr nga presidenti i Aleancës EcoHealth, Peter Daszak, për të testuar mijëra mostra lakuriqësh për koronaviruset e reja. Hulumtimi përfshiu edhe testimin e njerëzve që punojnë me kafshë të tilla. Dokumentet përmbajnë disa detaje kritike në lidhje me kërkimin në Vuhan, duke përfshirë faktin se puna kryesore eksperimentale me minjtë e humanizuar u krye në një laborator të nivelit 3 të biosigurisë në Qendrën e Universitetit Vuhan për Eksperimentet me Kafshë - dhe jo në Institutin e Virologjisë Vuhan, siç pretendohej më parë.

Dokumentet ngrenë pyetje shtesë në lidhje me teorinë se pandemia mund të ketë ardhur si pasojë e një aksidenti laboratorik.

"Ky është një udhërrëfyes për kërkimet shkencore me rrezik të lartë, që mund të ketë çuar në pandeminë aktuale", tha Gary Ruskin, drejtor ekzekutiv i U.S. Right To Know, një grup që ka hetuar origjinën e Covid-19.

Granti i koronavirusit lakuriq i siguroi Aleancës EcoHealth një total prej 3.1 milion dollarë, përfshirë 599 000 dollarë që Instituti i Virologjisë Vuhan i përdori pjesërisht për të identifikuar dhe ndryshuar koronaviruset e lakuriqëve, që mund të infektojnë njerëzit. Edhe para pandemisë, shumë shkencëtarë ishin të shqetësuar për rreziqet e mundshme që lidhen me eksperimente të tilla. Propozimi i grantit pranon disa nga ato rreziqe: "Puna në terren përfshin rrezikun më të lartë të ekspozimit ndaj SARS ose CoV-ve të tjera, ndërsa punoni në shpella me densitet të lartë të lakuriqëve, ka rrezik për thithjen e pluhurit fekal."

Alina Chan, një biologe molekulare në Institutin Broad, tha se dokumentet tregojnë se Aleanca EcoHealth ka arsye për ta marrë seriozisht teorinë e rrjedhjes së virusit nga laboratori. “Në këtë propozim, ata në fakt theksojnë se e dinë sa e rrezikshme është kjo punë. Ata vazhdojnë të flasin për njerëzit që potencialisht kafshohen - dhe ata mbanin shënime për të gjithë ata që u kafshuan", tha Chan. “A i ka EcoHealth ato regjistrime? Dhe nëse jo, si mund të përjashtojnë ata një aksident të lidhur me hulumtimin?".

Sipas Richard Ebright, biolog molekular në Universitetin Rutgers, dokumentet përmbajnë informacion kritik në lidhje me hulumtimet e bëra në Vuhan, përfshirë krijimin e viruseve të reja. "Viruset që ata ndërtuan u testuan për aftësinë e tyre për të infektuar minjtë që ishin projektuar për të shfaqur receptorë të tipit njerëzor në qelizën e tyre", shkroi Ebright për “The Intercept” pas rishikimit të dokumenteve. Ebright tha gjithashtu se dokumentet e bëjnë të qartë se dy lloje të ndryshme të koronaviruseve të reja ishin në gjendje të infektonin minjtë e humanizuar. "Ndërsa ata po punonin në koronavirusin e lidhur me SARS, ata po kryenin një projekt paralel në të njëjtën kohë mbi koronavirusin e lidhur me MERS", tha Ebright, duke iu referuar virusit që shkakton SARS.

Granti u dha fillimisht për një periudhë pesëvjeçare - nga 2014 në 2019. Financimi u rinovua në 2019, por u pezullua nga administrata Trump në prill 2020.

I afërmi më i afërt i SARS-CoV-2, i cili shkakton Covid-19, është një virus i gjetur tek lakuriqët e natës, çka i bën këto kafshë pikën më të rëndësishme në përpjekjet për të kuptuar origjinën e pandemisë. Si kaloi virusi nga lakuriqët te njeriu, kjo mbetet ende një temë debati. Shumë shkencëtarë besojnë në variantin e tregut të lagësht të Vuhanit përmes kontaktit njeri-kafshë. Ekspertët e biosigurisë dhe një pjesë e rrjetit dyshojnë për një origjinë laboratorike. Pavarësisht hetimeve të kryera deri tani nuk ka ende një përgjigje të saktë për origjinën e pandemisë. Në maj të këtij viti, presidenti Joe Biden urdhëroi komunitetin e inteligjencës të hulumtonte mbi këtë çështje. Tre muaj më pas, Biden njoftoi se hetimi i inteligjencës nuk ishte përfundimtar. Ai fajësoi Kinën për mungesën e bashkëpunimit, por nga ana tjetër edhe vetë qeveria amerikane ka qenë e ngadaltë në publikimin e informacionit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.