Portikët e Bolonjës pranohen në UNESCO

Postuar në 28 Korrik, 2021 17:48

Portikët e Bolonjës bëhen pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Vendimi u mor sot në takimin e Komitetit të 44 -të të Trashëgimisë Botërore në Fuzhou, Kinë. Në këtë sesion të UNESCO-s, Italia arriti të marrë miratimin për tre sajte të trashëgimisë kulturore, dy të tjerat llixhat e Montecatinit dhe afresket e Padovës.

“Një rezultat fantastik për Bolonjën dhe Italinë. Jemi në krye të listës, kemi dy sajte më shumë se Kina. Është një ditë e bukur për trashëgiminë kulturore kombëtare”, citohet nga La Repubblica  ministri i Kulturës, Dario Francheschini.

Më parë, organi konsultues i UNESCO-s ua refuzoi statusin portikëve të Bolonjës, por kjo u pasua me një angazhim të fortë diplomatik nga Italia.

Portikët janë element karakteristik i Bolonjës. Vetëm në qendrën historike, Bolonja ka më shumë se 38 km portikë dhe 53 km të tjera jashtë qytetit.

Ndër to është portiku i San Luca-s, më i gjati në botë, me 3 796 metra gjatësi dhe 666 harqe të mrekullueshme.

Portikët e parë datojnë që nga viti 1041, kohë kur qyteti po përjetonte një rritje popullsisë, për shkak të Universitetit të Bolonjës, i cili tërhoqi shumë studentë dhe akademikë dhe imigracionit nga fshatrat afër. Qyteti u përball me një emergjencë të vërtetë strehimi dhe lindi nevoja për hapësira të reja urbane. Prandaj, qytetarët vendosën të rrisin kapacitetin në m3 të shtëpive të tyre, duke zgjeruar katet e sipërme me anë të trarëve prej druri që mbështeteshin në trarët mbajtës të papafingove. Me kalimin e kohës, këto hapësira u zgjeruan dhe lindi nevoja të ndërtoheshin kolona mbështetëse nga poshtë, për të mbajtur peshën. Kështu lindën portikët. Bolonjezët e kuptuan menjëherë dobinë e portikëve, që ofronin mbrojtje nga dielli dhe moti i keq, duke u lejuar qytetarëve dhe turistëve të lëviznin nëpër qytet në çdo lloj moti. Portikët favorizuan edhe zhvillimin e aktiviteteve tregtare dhe artizanale, si dhe i bënë katet përdhese më të banueshme, duke i larguar ato nga papastërtia e rrugëve.

Në 1288, Komuna e Bolonjës vendosi që të gjitha shtëpitë e reja duhet të ndërtohen me një portik murature, ndërsa atyre ekzistuese iu kërkua ta shtonin një të tillë. Megjithatë, deri tani kanë mbijetuar tetë portikë prej druri.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.