Pesë epokat e universit

Postuar në 26 Shkurt, 2021 22:24

Ka shumë mënyra për të marrë në konsideratë dhe për të diskutuar mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e universit, por një në veçanti ka tërhequr vëmendjen e shumë astronomëve. Fred Adams dhe Gregory Laughlin e kanë ndarë historinë e universit në pesë epoka. Libri me titull “Pesë epokat e universit: Brenda fizikës së përjetësisë” është botuar në vitin 1999 dhe është azhurnuar për herë të fundit në 2013. Autorët e ndajnë historinë e universit në:  

Epoka fillestare

Është ajo ku zë fill universi, edhe pse mbetet ende e diskutueshme çfarë kishte përpara tij. Kjo epokë nis me Big Bang, rreth 13.8 miliardë vjet më parë.

Kjo është epoka shumë e shkurtër, gjatë të cilës mendohet se raportet hapësirë-kohë dhe ligjet e fizikës nuk kanë ekzistuar. Ky interval i çuditshëm, i panjohur është epoka e Plankut që zgjati për 10-44 sekonda. Pjesa më e madhe e asaj që ne aktualisht besojmë në lidhje me epokën e epokën e Plankut është teorike, bazuar kryesisht në një hibrid të relativitetit të përgjithshëm dhe teoritë e njohura si graviteti kuantik. E gjitha kjo mund të rishikohet pasi nuk është absolute.

Shpërthimi i madh, ose Big Bang, gjeneroi një ekspansion të menjëhershëm të universit që arriti në një përmasë 100 trilion trilion herë më të madhe se origjinali.

Brenda pak minutash, plazma filloi të ftohej, dhe grimcat nënatomike filluan të formoheshin dhe të ngjiteshin së bashku. Në 20 minuta pas Big Bengut, atomet filluan të formoheshin në universin super të nxehtë. Pasoi një ftohje e shpejtë progresive, që na la me një univers që përmban kryesisht 75% hidrogjen dhe 25% helium, i ngjashëm me atë që shohim në Diell sot. Elektronet rrëmbyen fotonet, duke e lënë universin të errët.

Rreth 380 000 vjet pas Big Bengut, universi ishte ftohur mjaftueshëm sa që atomet e para të qëndrueshme filluan të formoheshin. Me elektronet të mbërthyera në atome, fotonet u çliruan si shkëlqimi që astronomët e quajnë sot rrezatim kozmik.

Inflacioni besohet të ketë ndodhur për shkak të konsistencës së përgjithshme të jashtëzakonshme që matin astronomët në rrezatimin e sfondit kozmik. Astronomi Phil Plait sugjeron që inflacioni ishte si tërheqja e një çarçafi, që mori papritmas me vete energjinë e universit. Parregullsitë më të vogla që mbijetuan u zgjeruan, duke u grumbulluar në zona më të dendura të energjisë që shërbyen si fara për formimin e yjeve - graviteti i tyre u tërhoq në materie të errët dhe në fund materia u bashkua në yjet e parë.

Epoka Steliferus

Është epoka që ne njohim, epoka e yjeve, në të cilën shumica e materies ekzistuese në univers merr formën e yjeve dhe galaktikave gjatë kësaj periudhe aktive. Një yll formohet kur një xhep gazi bëhet gjithnjë e më i dendur derisa edhe materia pranë tij shkatërrohet duke prodhuar nxehtësi të mjaftueshme për të shkaktuar bashkimin bërthamor në bërthamën e tij, që është burimi i pjesës më të madhe të energjisë së universit tani. Yjet e parë ishin të pamasë dhe shpërthyen në supernova, duke formuar shumë më tepër yje më të vegjël. Këto u bashkuan, falë gravitetit, në galaktika.

Një aksiomë e epokës Stelliferous është se sa më i madh ylli, aq më shpejt digjet ai përmes energjisë së tij dhe pastaj vdes, zakonisht një proces që zgjat disa miliona vjet. Yjet më të vegjël që konsumojnë energji më ngadalë qëndrojnë aktivë më gjatë. Në çdo rast, yjet - dhe galaktikat – lindin dhe vdesin gjatë gjithë kohës në këtë epokë, duke u djegur dhe përplasur.

Shkencëtarët parashikojnë që galaktika jonë, Rruga e Qumështit, për shembull, do të përplaset dhe do të bashkohet me galaktikën fqinje Andromeda, pas rreth 4 miliardë vjetësh për të formuar një të re, që astronomët që tani i kanë vënë emër: Milkomeda.

Sistemi ynë diellor në të vërtetë mund t’i mbijetojë atij bashkimi, çuditërisht, megjithatë nuk ka vend për shumë optimizëm. Rreth një miliard vjet më vonë, Dielli mund të jetë në fazën e mbarimit të hidrogjenit dhe do të fillojë të kthehet në një gjigant të kuq, duke shkatërruar Tokën dhe planetët e tjerë, para se të sshndërrohet në një yll xhuxh të bardhë.

Epoka e degjenerimit

Ajo që pason është epoka e degjenerimit, e cila do të fillojë rreth 1 kuintilion vjet pas Big Bang, dhe do të zgjasë deri në 1 duodecilion pas saj. Kjo është periudha gjatë së cilës mbetjet e yjeve që shohim sot do të dominojnë universin. Nëse do ta arrinim këtë epokë, do të shihnim një qiell shumë më të errët me vetëm disa pika drite të mbetura: xhuxhët e bardhë, xhuxhët kafe dhe yjet neutronë. Këta "yje të degjeneruar" janë shumë më të ftohtë dhe më pak emetues të dritës sesa ata që shohim sot. Herë pas here, “kufomat” e yjeve do të çiftëzohen në spirale orbitale të vdekjes që rezultojnë në një shkëputje të shkurtër energjie ndërsa përplasen, dhe masa e tyre e bashkuar mund të shndërrohet në yje me fuqi të ulët që do të zgjasin për pak kohë në terma kohorë kozmikë. Por kryesisht qiejt do të jenë pa dritë në spektrin e dukshëm.

Gjatë kësaj epoke, xhuxhët e vegjël kafe do të mbajnë pjesën më të madhe të hidrogjenit që kanë, dhe vrimat e zeza do të rriten dhe rriten dhe rriten, të ushqyera me mbetje yjore. Me kaq pak hidrogjen përreth, për formimin e yjeve të rinj, gjithësia do të bëhet më e errët dhe  gjithnjë e më e ftohtë.

Atëherë, protonet, të pranishme që nga fillimi i universit, do të fillojnë të vdesin, duke shpërndarë materien, duke lënë pas një univers me grimca nënatomike, rrezatim … dhe vrima të zeza.

Epoka e vrimave të zeza

Për njëfarë kohe, gjithmonë në terma kozmikë, vrimat e zeza do të mbizotërojnë universin, duke tërhequr masën dhe energjinë që mbetet. Përfundimisht, megjithatë, vrimat e zeza avullojnë, megjithëse super-ngadalë, duke lëshuar pjesë të vogla të përbërjes së tyre. Një vrime të zezë të vogël, 50 herë më e madhe se masa e Diellit, do t’i duheshin rreth 1068 vjet për t'u shpërndarë. Po një vrime të madhe? Një 1-sh i ndjekur nga 92 zero.

Kur një vrimë e zezë më në fund lëshon edhe “pikën” e saj të fundit, ka një dritë të vogël që lëshon energjinë e vetme të mbetur në univers. Në atë pikë, në 1092, universi do të jetë pothuajse kujtim.

Epoka e errët

Është e lehtë për t’u përshkruar. Nuk ka më dritë. Përgjithmonë! 

/ Big Think / 

Përktheu: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.