Dossier/Një shkrim me vlerë

Postuar në 25 Shkurt, 2020 13:33
Lame Kodra

 

Kur “qeveria” e sotme e Tiranës dhe “Regjenca” lindën nënë hijen e bajonetave gjermane, ne thamë se ky kompromis me armikun do të shpinte në trathëti. Kur në Mukje “Balli Kombëtar” nuk desh të bëhej fjalë për okupatorin gjerman, po me formulën prej kauçuku të luftës kundër çdo okupatori eventual, desh të vazhdonte këngën e tij mi “rezikun grek e sërb”, ne thamë se kjo kompromizë me armikun do ta hithte “Ballin” m’atë anë të barikadës, me okupatorin nacist kundër popullit shqipëtar dhe aleatëve të tij të mëdhenj e të vegjël.

Sot e dimë të gjithë se ç’do të thotë një qeveri “indipendente” dhe “neutrale” që mbahet me bajonetat gjermane. Nuk janë në këtë qeveri ca jallanshahitë si Rexhep Mitrovica dhe Bahri Omari që kanë fuqinë në dorë, po agjent’ i Gestapos Xhafer Deva. Sot e mori vesh e gjithë bota se “qeveria” dhe “Balli” të lidhur byth’ e brekë, bashkëpunojnë sheshit me Komandën gjermane në operacionet ushtarake kundër patriotëve, djegin e plaçkisin katundet t’ona, vrasin e presin lulen e djalërisë shqipëtare, provokojnë e mbjellin terror, janë bërë xhandarët, policët, spiunët e okupatorit gjerman në Shqipëri.

“Neutrale” qeveria e Xhafer Devës, me ndihmën e zellshme të “Ballit” ndjek e lëfton misionin britanik në Shqipëri, zë rop kryetarin e saj dhe u a dorëzon gjermanëve.

E trëmbur nga ofensiva e madhe e Ushtërisë së Kuqe, e trëmbur nga front’ i dytë që po i vjen rotull mi kokë, Gjermania e Hitlerit përpiqet të forcojë pozitat e saj në Ballkan e gjetkë, që të mundë kështu të manevrojë më kollaj me ato fuqi të paka që ka, që të mundë të “manevrojë”, siç thonë në gjuhë ushtarake, me anën e vijave të brëndëshme. E di fare mirë Hitleri dhe gjeneralët e tij se nuk është lark dita, kur furtuna e madhe që po vjen nga Lindja do të kombinohet e do të sinkronizohet me furtunën që po afrohet nga Perëndimi.

Në lidhje më këtë pllan të përgjithshëm, Komanda gjermane në Shqiëpri, ka nisur, me gjithë fuqit’ e saj, të ndjekë partizanët këmba – këmbës, të djegë e të grabisë katundet, ku partizanët gjejnë bukë e strehë, të mbjellë tmerrin në popull me zjarr e me hekur. Bandat e Xhafer Devës e të ballit janë kudo bashkë me gjermanët; ato u tregojnë gjermanëve udhën nga shkojnë dhe bazat ku rrinë partizanët; lëftojnë krah për krah me okupatorin kundër patriotëve; djegin e plaçkisin, mbjellin terrorin, organizojnë masakret.

Në këtë ofensivë të përgjithëshme që po bën Komanda gjermane kundër lëvizjes s’onë, provokacioni dhe masakri i 4 Shkurtit është vetëm një epizod, dhe një ngjarje jo akcidentale, po e përgatitur me plan e me kohë prej Gestapos e Xhafer Devës. Po 4 Shkurti ka dhe një kuptim më vete. Atë ditë populli i kryeqytetit, që lot një rol të veçantë në jetën politike të Shqipërisë, e pa me sy sheshit se sa ngushtë janë lidhur me okupatorin nacist “Balli” e gjithë klika e reakcionit, e njohu mi kurrizin e tij cili është Xhelal Staravecka, që e hoqi maskën e “komunistit të vërtetë” dhe dolli në pjacë si provokator i poshtër që është.

Dihet se terrori e demagogjia janë dy binjakë në sistemin e sundimit fashisto – nacist. Demagogjia mi vëllavrasjen, që shërbëtorët e nacizmit gjerman në Shqipëri po bëjnë 5 muaj me radhë, ka për qëllim përgatitjen ideollogjike të terrorit e të provokacioneve. Më 4 Shkurt maska ra përdhe, u duk se kush është terrorist, provokator dhe organizator masakresh e vëllavresjeje.

Sot provokacioni e terrori janë ngritur në sistem qeverimi. Sot gjithë kori i reakcionit bërtet sheshit me një zë: duam gjak.

Gjaku don gjak” shfryn “Bashkimi i Kombit”, siç e quan vehten Bashkimi i kompromisaxhinjve e i trathëtorve; “hakmarrje” bërtet palaçua i nacizmit shqiptar, kalemxhiu pa turp e pa ndërgjegje, Eqrem Telhai; “duam gjak” vërshëllen si gjarpër dallkauku i shitur një qint herë, kurva e gazetarisë shqiptare, Nebil Çika.

Dhe provokacionet vazhdojnë. Metodat e Gestapos janë njësoj kudo. Si në Poloni në çpikën dhe në Shqipëri një Katyn; gropa e Shipkës. Hapni sytë e kini mëndjen të gjithë se 4 Shkurti munt të përsëritet në Tiranë, në Korçë ose gjetkë.

Po le të tërbohet sa të dojë okupatori i egër nacist, le të shfryjnë vrer e gjak reakcionarët e shitur te armiku, le të fërkohen nëpër kulltuke politikanët  shpirt-kazmë, lufta jonë është nga ato që s’shuhen e s’thyhen, luftëtarët t’anë janë nga ata që s’blihen e s’trëmben, po lëftojnë gjer në pikën e fundit të gjakut. E dimë me eksperjencë se liria s’fitohet pa gjak e pa sakrifica, e dimë cili është nacizmi, e dimë se me ç’qën të tërbuar kemi të bëjmë. Po i kemi marrë në sy të gjitha, të frymëzuar nga kauza e shënjtë patriotike, të regjur nga lufta, të shtyrë nga besimi I patundur në triumfin e armëve t’ona, të bindur në përkrahjen e gjithë popullit.

Sot Tirana ron në një atmosferë analoge mutatis mutandis me atë që ish në kohën e Mustafa Krujës. Si atëhere dhe tani gjithë populli shtrëngon dhëmbët me helm e me urrejtje, me zëmërim tragjik që do të përplaset shpejt a von mi kokën e trathëtorëve të kredhur në gjak shqipëtari.

Në ballë të luftës qëndron si gjithënjë djalëria jonë heroike që është bërë objekt i veçantë terrori dhe demagogjie nga ana e armikut. Duan t’a ç’këpusin nga krerët e lëvizjes kombëtare, t’a heqin nga lufta, t’a fusin në pellgun e kompromisit e të tradhëtisë. Duan ta ndajnë luftën që ka bërë die kundër okupatorit italian, nga lufta që bën sot kundër okupatorit gjerman.

Po djalëria e ka zgjedhur udhën e saj dhe s’ka fuqi në botë që t’a kthejë nga kjo udhë. Ajo e di se lufta e sotme dhe ajo e djeshmja janë një e të pandara, ashtu siç janë një e të pandarë Hitleri e Mussolini, Xhafer Deva e Mustafa Kruja. Ajo e ndjen vehten sot më afër se kurrë me Mujo Ulqinakun, me Qemal Stafën, me Vojo Kushin, me Perlat Rexhepin, me Jashar Cakranin.

Të fshehur prapa bajonetave gjermane, trathëtorët e poshtër le të fërkojnë në këto ditë tragjike, duart e tyre të lyera me gjak patriotësh.

E provuar nga reakcioni, lufta jonë në Shqipëri po riorganizohet në baza më të shëndosha. Në zjarr e në flakë radhët t’ona po qërohen nga elementet e dobëta, po shtrëngohen e po forcohen.

Ushtëria e Kuqe ka dalë në Poloni, Estoni, çapi i saj po dëgjohet gjer në Bukuresht e në Sofje; fronti i dytë po trokëllin ted era; vasalët e pakë që i kanë mbetur Hitlerit, po dridhen e po prapsen; dështuan ofensivat e dimrit në Ballkan e gjetkë, ofensiva që jaën orvatja e fundit për të çkatërruar në këtë vënde lëvizjet e çlirimit nacional.

Ditët e regjimit nacist janë të nëmëruara. Ora e lirisë po bije. Dita e hesapeve po afrohet.

Shënim: Shkrimi i mësipërm është shkëputur nga një përmbledhje e vitit 1945, me titull “Artikuj dhe Ligjërata, 1939-1945”, me autor Lame Kodra, emri letrar i Sejfulla Malëshovës. Përmbledhjen e ka realizuar gazeta “Bashkimi” nën kolanën: “Flasin Udhëheqësit t’anë”. Fillimisht shkrimi është botuar në gazetën “Bashkimi”, pak ditë pas asaj që njihet si Masakra e 4 Shkurtit, pra diku nga mesi i shkurtit 1944.Është një ndër ato shkrime që justifikon vetë publikimin dhe ripublikimin për disa arsye.

Së pari sepse ne aty shohim një Sejfulla Malëshova, një pjesëtar dhe drejtues të lëvizjes komuniste që di të mendojë me kokën e vet. Që ka njohuri të konsoliduara mirë dhe reflekton edhe përvojë në çështjet politike.

Së dyti ai është një denoncim i kohës për atë që ndodhi duke mos kursyer epitetet përkatëse për njerëz dhe aktorë politikë e mediatikë që serviren si kolona të patriotizmit. Së paku kuptojmë frymën e kohës dhe përmasën e ndarjes që përjetonte Shqipëria.

Së treti aty kemi disa të dhëna për refuzimin e Marrëveshjes së Mukjes, të cilën Malëshova e cilëson si një dokument përmbajtja e të cilit ishte të paktën jokoherente nga një pikëpamje politike. Në këtë mënyrë meriton të shikohet edhe ky aspekt kur gjykohet takimi i Mukjes që është mbivlerësuar.

Së katërti për aspektin e publicistikës, për stilin e tij. Në përgjithësi traktet apo shkrimet e asaj kohe karakterizohen nga një frymë e theksuar militantizmi dhe rreshtimi. Jo se ky mungon në këtë shkrim, por aty ne vëmë re se fjala “Parti” nuk përmendet fare. Madje në të gjithë përmbledhjen në fjalë, kjo fjalë përmendet më pak se pesë herë. Diçka që meriton vëmendje qoftë për raportin me të cilin shihet pushteti, qoftë edhe për faktin se kuptojmë se ajo që u krijua më vonë, nuk ishte një projekt i strukturuar që në fillim, por mori profilin e një njeriu dhe një klani të vetëm.

Së fundmi edhe për të parë me tjetër sy përpjekjen për manipulim të gazetarisë shqiptare të kohës. E njëjta atëherë, e njëjta edhe sot.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.