Karikatura e një liridashësi!

Postuar në 12 Gusht, 2019 11:26

Një nga personazhet që ishte i pranishëm në ceremoninë e vendosjes së memorialit në Kodrat e Liqenit për të rënët e grushtit të shtetit në Turqi në mbrojtje te presidentit Erdogan, Bujar Kapexhiu ka dhënë shpjegimin e tij pse mori pjesë në ceremoni. Zoti Kapexhiu, karikaturist i njohur pranë PD-së, ashtu si Erion Veliaj ka shpjeguar për Panorama se nderoi të rënët për liri. Madje Kapexhiu shkon më tej duke folur për komplot ndaj zotit Erdogan.

Një njeri që e ka atashuar veten me antikomunizimin si artist dhe karikaturist liridashës ka gjetur frymëzim te Erdogan dhe përpjekjet e tij për liri. Zotëria në fjalë është aktiv edhe në luftën për demokraci në vendin tonë, duke shprehur hapur kritikat për “autokratin” Rama. Ama në një pikë bashkohen , lirinë që të dy e gjejnë në prehrin e sulltanit Erdogan, si progresistet e majte ashtu dhe revolucionaret e djathte.

Reagimi i Kapexhiut

Të rënët që nderohen në atë memorial, u ngritën për të mbrojtur Republikën e Turqisë nga një komplot. Le të ngrihemi edhe ne për të mbrojtur lirinë dhe prosperitetin e vendit tonë, për të kërkuar të drejtat tona, për të kundërshtuar çdo lloj diktature, për të kundërshtuar të padrejtën. Por, fatkeqësisht, ne heshtim. Çuditërisht, ajo e quajtura shoqëria civile hesht, intelektualët nuk flasin. Ose janë të shitur, ose kanë frikë. Nëpër kafene ata flasin, ngrenë zërin, por ama përtojnë të dalin në bulevard për të protestuar kundër padrejtësive.

Ne ndërtojmë memorialë për të tjerët, por jo për veten tonë, për të gjithë ata njerëz që u rraskapitën dhe u vranë nën regjimin e kaluar. Dhe për këtë faji është yni. Nëse Ambasada Turke nderon jetën dhe veprën e shtetasve të vet, do të thotë se ajo interesohet dhe vlerëson njerëzit e vet, ndërsa ne nuk e bëjmë këtë. Këtu kanë ardhur grekët për të nderuar njerëzit e vet, anglezët, gjermanët… po ne çfarë bëjmë?! Le të kemi edhe ne memorialë, monumente, buste në të gjithë Shqipërinë për të nderuar kujtimin e atyre njerëzve që vuajtën dhe u zhdukën nga ai regjim diktatorial.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.