Kur Sajmiri dhe Iliri thonë të vërtetën

Postuar në 06 Shkurt, 2019 12:40

Sot ish-ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri ka dalë para mediave me këtë deklaratë:

Hetimet janë zgjatur pesë herë, dhe kjo çështje duhet të mbarojë. Drejtësia e vonuar nuk është më drejtësi, kur ndodh me mua merre me mend me njerëzit që përplasen në dyert e gjykatave. Unë nuk mbahem peng nga askush, unë respektoj drejtësinë. Unë kam heshtur për të marrë atë që më takon dhe pastaj do të flas. Kjo çështja ka kapërcyer çdo limit. Sot seanca u shty, merre me mënd, u la për të hënën

Në fakt zoti Tahiri ka të drejtë. Prokuroria shtyn hetimet për arsye që janë shumë të paqarta. Ajo dueht të kishte disa konkluzione sot dhe ndoshta ka ardhur koha që t’i vendosen afate këtij organi. Zoti Tahiri ka thënë edhe diçka tjetër me rëndësi: sekretet e dosjes kanë dalë në media dhe Prokuroria nuk ka hapur asnjë hetim për këtë çështje.

Por këto janë hollësi me shumë rëndësi që nuk duhet të na tërheqin vëmendjen nga një aspekt tjetër.

Pak vite më parë në dyert e Prokurorisë vinte vërdallë Ilir Meta, ai që sot është Presidenti i vendit. Pas hetimeve qëu hapën për të për videon me Dritan Priftin, zoti Meta u shfaq disa herë në media për të sulmuar prokurorinë e Përgjithshme dhe duke thënë pak a shumë të njëjtën frazë si z. Tahiri sot: Kur ndodh me mua merre me mend me njerëzit që përplasen në dyert e gjykatave!

Zoti Meta madje premtoi një reformë të thellë në organin e akuzës.

Kjo situatë analoge na qartëson për faktin se sa i rëndësishëm është një sistem drejtësie I pavarur në Shqipëri. Është e qartë se prokuroria po shantazhon sot ish-ministrin e Brendshëm dhe po e mban peng atë. Pasi shtyrja e hetimeve nuk mund të jetë pa arsye. Nga ana tjetër, po kjo situatë na dëshmon se çfarë ndodh me karrierat politike kur drejtësia është zgjatim i klaneve të ndryshme politike. Zotin Tahiri sot nuk po e vendos nën presion kërkimi i së vërtetës, pasi me gjasë ai dihet mirë tashmë, edhe në kuptimin e Kodit Penal. Atë po e mban nën presion politika që e do ende jashtë saj.

E njëjta gjë ndodhi me Ilir Metën, dosja e të cilit u mbyll me një paralajmërim tipik mafioz: vizitën për darkë në shtëpinë e tij të Sali Berishës, një ditë para vendimit të Gjykatës së Lartë.

Kjo provon se mbyllja e dosjeve në Shqipëri bëhet me urdhër politik dhe se gabimet e politikanëve janë kaq flagrante saqë hetimet nuk do të kërkonin shumë që të çonin dikë në pranga. Është kjo arsyeja që i jep zë sot Sajmir Tahirit që të aktrojë të pafajshmin e madje të qajë hallet e njerëzve të thjeshtë, njësoj si Ilir Meta dje. Dhe janë këto dy shembuj publikë që konfirmojnë se sa e rëndë është situata dhe sesa i kapur është i ashtuquajtruri shtet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.