Është Bashkimi o Damian! (Dokumenti)

Postuar në 17 Dhjetor, 2018 20:27

E kapur gafil me aferën e tenderit për Lotin 1 të Unazës së Madhe, qeveria u shfajësua me argumentin se ndryshe nga qeveritë e kaluara reagoi dhe anulloi tenderin, ndërsa ministri përgjegjës Damian Gjiknuri bëri të paditurin kur u pyet nëse kishte dijeni qeveria se kush fshihej pas kompanisë DH Albania me përfaqësues ligjor 26 vjeçarin recepsionist Avdjol Dobi. Ministri madje tha se se po përpiqej të kuptonte kush qëndronte pas dy tenderave 30 milionë euro të fituara nga një kompani e themeluar vetëm në 25 qwrshor, e cila rezultoi me dokumentacion të falsifikuar.

BIRN ka zbuluar se njëra prej procedurave në emër të DH Albania (Dunwell Haberman e themeluar më 25 qershor 2018 në Delawere të Shteteve të Bashkuara- e njohur si parajsë fiskale) është kryer dhe paguar nga kompania Gener 2, në pronësi të Bashkim Ulajt. Kjo vërtetohet nga një dokument i dorëzuar në Qendrën Kombëtare.

Sipas BIRN, më 3 dhjetor 2018, Avdjol Dobi si përfaqësues i kompanisë DH Albania vendosi hapjen e një Nipti Sekondar në kantierin e punimeve në Unazë të Re. Ai autorizoi znj. Ledi Hysenj për të regjistruar adresën e re në Qendrën Kombëtare të Bizneseve. Një ditë më pas, Ledi Hysenj u paraqit në Bankën Credins dhe pasi pagoi tarifën prej 150 lekësh, e dorëzoi mandatin bankar në QKB. Por në vend të kompanisë DH Albania, mandati bankar për hapjen e adresës në sheshrrotullimin Shqiponja mban përshkrimin “Aplikim Gener 2”.

Avdjol Dobi është pjesë e rrethit familjar të Bashkim Ulajt, ndërkohë që e autorizuara prej tij, Ledi Hysenj është juriste në kompaninë Gener 2. Përveç Dobit dhe Hysenj, veprime në emër të kompanisë DH Albania kanë kryer edhe noterja Xhevahire Brahaj, përkthyesja Shenda Kruja dhe juristja Blerina Konçi. Të dhënat gjyqësore që BIRN siguroi tregojnë se Brahaj ka kryer një sërë noterizimesh për kompaninë Gener 2. Shenda Kruja rezulton punonjëse e Gener 2, ndërkohë që juristja Blerina Konçi ka kryer aplikime në QKB si për DH Albania ashtu edhe për kompaninë Gener 2.

Suksesi i shpejtë i kompanisë DH Albania të trumbetuar si amerikane u ngrit mbi dokumente të falsifikuara. Sipas rekordeve të dorëzuara në QKB, Dunëell Haberman pretendonte se ishte themeluar në vitin 1998 dhe se kishte një aktivitet të dendur ekonomik prej qindra milionë dollarësh në tre vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara.

Hetimet mbi kompaninë

Thuajse 10 ditë pas nisjes së hetimeve për falsifikimin e dokumenteve nga kompania DH Albania, Prokuroria e Tiranës nuk ka ende emra për personat që fshihen pas skandalit. Elisabeta Imeraj, drejtuese e Prokurorisë së Tiranës i tha BIRN se hetimi nisi kryesisht, pas denoncimit të rastit në media dhe më pas dorëzuan kallëzimet e tyre edhe OST dhe ARRSH.

 “Hetimi është i fokusuar në dy drejtime, kompania DH Albania dhe personat e lidhur me të dhe linja e dytë ka të bëjë me dyshimet dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore. Aktualisht, Prokuroria po verifikon dokumentacionin e sekuestruar në OST dhe ARRSH”-tha Imeraj.

E pyetur nëse garancia e kontratës ishte paguar nga Gener 2, Imeraj tha se nuk janë marrë ende dokumentet e sekuestrimeve nga institucionet përgjegjëse. Kontrata për tenderin e Unazës së Re është siguruar nga Sigma Interalbanian VIG dhe Sigal Unica Group Austria në emër të DH Albania dhe Biba X në vlerën e 269 574 000 lekëve. Kontrata me OST është siguruar në vlerën e 144 769 317 lekëve në Sigma Interalbanian sërish në emër të DH Albania.

Të dyja institucionet u kanë kërkuar kompanive të sigurimit që të depozitojnë shumat e mësipërme për shkak të zgjidhjes së kontratës. Megjithatë, është ende e paqartë se nga cila llogari kanë dalë paratë e garancisë së kontratës. https://www.reporter.al/dokumenti-dhe-njerezit-pas-dh-albania-nxjerrin-z...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.