Cirku gazetaresk i "personazheve"

Postuar në 11 Nëntor, 2018 16:24

Një intervistë ndryshe, prapaskena, një gazetare me eksperiencë. Këto janë vetëm ditën e sotme. Fjalë dhe fjali titujsh në media që rrëfejnë personazhet vip të medias dhe politikës. Është një ndër kurthet e vanitetit që rekomandon me lehtësi të madhe media online, teknologjia në përgjithësi: protagonistët e fushave të caktuara, tentojnë të hyjnë në përditmërinë tonë edhe si personazhe.

Grida Duma ishte ftuar te një emision në “Top-Channel” dhe aty ajo ka treguar se bezdiset shumë kur i thonë 'të dua'. Ka folur për pikat e forta dhe të dobëta, për kujtimet e veta, motivet, pra filozofinë e saj. Lexojeni këtë “intervistë ndryshe” për të kuptuar se aty nuk ka asgjë veç një poze skenike të një personi të grimuar keq dhe një gjerdani me fjali të zakonshme të dikujt që nuk ka se çfarë të thotë. Një gjë me vlerë, që të ketë peshë apo kuptim. Kemi një intervistë qokë, një promovim, ekranizim i banalitetit.

Përsëritet kjo litani e mërzitshme në çdo ekran thuajse. Ja Rudina Xhunga paska thënë tek “Ora News” se emisioni i saj i parë në RTSH, Dritare, ka një prapaskenë. Njësoj si Fanti i vanitetit, Blendi Fevziu, edhe Xhunga celebron në qejf të vet, në ekran publik, përvjetorin e emisionit të vet, me nostalgjinë e një kohe kur ajo ishte fillestare. Po për çfarë na hyn në xhep ne kjo? Ne që dëgjojmë dhe shikojmë? Kujt i duhet protagonizmi i dikujt pas kuintave, teknika e një emisioni apo edhe aksidentet e lumtura të karrierave të caktuara?

Anila Bashës i paskan thënë Lopë. Ia paska bërë një kolegia e vet pa pikë fantazie ditën që i paskësh ngritur rrogën. Basha e ka rrëfyer këtë xudhi në “Xing me Ermalin”. Fjala është për dukurinë mbarëshqiptare, Ermal Mamaqin, që ka zënë një vend në Tv Klan, i cili e ka në xhep edhe rrogën, por edhe një të qeshur që mbulon çdo gjë banale. Anila shkon mirë me gazetarët në përgjithësi, edhe pse e thotë troç: ka nga ata që duan t’ja fusin shefit. Pra asaj. Me këtë informacion java jonë është më e mençur se java që iku.

Në një qoshk të internetit kemi edhe Mirën, e cila për çdo ngjarje, shkruan 25 rreshta që i ilustron me përvojën e vet. Nuk po sjellim gjë nga ato që thotë sepse ribotimi nuk lejohet pa lejen e editorit. Përpara se ta lexosh të imponohet një foto qendrore e Mirës që të shikon direkt e në sy, ashtu është përshtypja në fakt që të lihet. Një shikim që duket i personalizuar dhe që dashur pa dashur ndërmjetëson humorin me të cilin do lexosh ato pak rreshta.

Që të mos dukemi mizogjenë po shtojmë se Fevziu është më institucional se zonjat apo zonjushat në fjalë: ai përditë publikon se çfarë ndodh në dhomat e grimit në emisionin e tij “Opinion”.

Gazetarë apo politikesha që duan të jenë personazhe të ditës përtej asaj që bëjnë në profesion. Ne nuk mund të harrojmë këtu Majlinda Bregun apo Eni Vasilin, që shfaqen e rishfaqen me bomba gjithfarëshe, kuptohet të till apse kështu u serviren syve tanë: shpërthen Majlinda, nuk përmbahet Eni.

Po kujt i duhet vallë ky vanitet? Kujt i duhen përvojat e këtyre njerëzve? Çfarë mund të mësosh nga Rudina, Eni, Anila apo Grida? Këto pyetje duhet të bënin edhe këta moderatorët që mbushin kohën televizive me kotësi të tilla, ndonëse ne e kuptojmë: një ftesë në emision është mall këmbimi për një pasqyrim në faqe të emsionit.

Pazari me këtë “trafikun e influencës” është i ulët, afër zeros sepse influencë nuk ka. Ka vetëm kërkesë për prezencë mediatike, për pompim, për dukje. Pa le pastaj kur i mbush mendjen vetes se përveç mençurisë ke edhe sharm. Kjo është se ç’është. Ta dinin këto zonja të nderuara sesa zili i kemi ne – nisur nga zilia jonë këtu po themi – si shikues, do kishin dalë më shpesh. Ndoshta do hapnin tv e tyre në Youtube.

Kjo krizë identiteti e një mediumi si televizioni është shumë specifike në rastin e vendit tonë. Gazetarë që kanë mbi 25 vjet në profesion, rryqo - zdryqo të ndryshëm që themeluan shtypin e shkruar, pastaj u hodhën një vrap nga radio, kaluan në tv, tani edhe online. Në qarkun e mbyllur të qokave reciproke si e si të mos lejojnë që fytyra dhe pastaj fjala e tyre të dalë nga xhiroja. Ajo që nuk kuptohet – ose kuptohet fare mirë – është sesi është e mundur që pronarët e këtyre mediave që hedhin milona, lejojnë që kotësia të financohet kaq shpesh dhe pa asnjë bereqet. Xhanëm ne na duhet që këtu t’i bëjmë një pyetje me “të futme” edhe kryeministrit: Pse nuk i fton këta personalitete ti në ERTV? Apo e ke lënë ta bësh këtë punë kur të nisësh rrobaqepsinë siç edhe ke premtuar?

Neve na duhet Fjala e këtyre vip-ave që mandej të ndjejmë sharmin e tyre. Sa për jetën personale dhe shijet, do të ishte mirë të na i mbanin larg sepse boll humor prodhon vetiu ky vend. Kjo jo vetëm për një kritikë për hir të kritikës, por sepse nëse vazhdohet kështu me këtë gurgullimë zorrësh – për ta thënë metaforikisht – herët apo vonë, ikonat në fjalë, kaq të dashura për ne mund të përfundojnë si ajo shqiponja e doganës. Si ta gjejmë rrugën për tek e vërteta ne pastaj?

Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.