Shpërbërja morale e BE-së

Postuar në 22 Gusht, 2018 10:34
Augustin Palokaj

Bashkimi Evropian i ka vazhduar sanksionet kundër Rusisë, të cilat kanë për qëllim dënimin e personave të përfshirë në agresionin në Ukrainë. Pak a shumë këto sanksione janë të drejtuara kundër personave të afërt me presidentin Vladimir Putin. Në krye të Bashkimit Evropian, me kryesimin e radhës, është Qeveria e Austrisë. Dhe ministrja e Jashtme e këtij shteti është aq e afërt me presidentin e Rusisë saqë e ka ftuar atë në dasmën e saj. Ftesa në dasmë është diçka krejt private, por në këtë rast dëshmon se sa sinqerisht ajo beson se presidenti i Rusisë dhe vendi në krye të së cilit ai është meritojnë sanksione. Ministrja e Jashtme e Austrisë është aty për shkak se partinë e saj e ka ndihmuar Rusia dhe se Partia konservatore e Austrisë, e udhëhequr tash nga kancelari Sebastian Kurz, ka pranuar që këtë parti të ekstremit të djathtë ta këtë partner në qeveri.

Rasti i Austrisë nuk është rasti i vetëm që dëshmon se sa të pasinqertë janë liderët evropianë kur flasin për vlera. Hipokritët më të mëdhenj në këtë rast janë në grupimin më të madh të partive evropiane, Partinë Popullore Evropiane (EPP) e cila, sipas fjalëve të presidentit të saj, Joseph Daull, e konsideron populizmin si kërcënimin më të madh të vlerave të BE-së. Por kjo parti sillet sikur e lufton populizmin vetëm kur ai e dëmton, e jo kur i konvenon.

Pra, për EPP-në populizmi në radhët e tyre është i pranueshëm nëse u ndihmon që të sigurojnë ruajtjen e primatit si partia më e madhe në nivelin evropian në Parlamentin Evropian. Prandaj nuk duhet pritur që brenda kësaj partie të ngadhënjejnë ata pak zëra që duan ta luftojnë populizmin në radhët e tyre. Ka pasur tentativa nga disa aktivistë të qendrës së djathtë nga Holanda që nga EPP të përjashtohet partia hungareze Fidesz e kryeministri Viktor Orban, por pa sukses. Sepse kjo parti sjell vende në Parlamentin Evropian. Nuk janë shumë të ndryshme as partitë e tjera. Gjithçka bëjnë nëse është nevoja për ndonjë votë. Sepse tashmë janë përzier vlerat dhe nuk dihet më se cilat janë ato vlerat evropiane. Në Poloni Qeveria e ka marrë nën kontroll sistemin e gjyqësisë, qëron hesapet me shoqërinë civile nëse ajo vepron kundër aktiviteteve të qeverisë dhe ka hyrë madje në luftë edhe kundër Brukselit. Qeveria e Hungarisë tash e sa vjet po sfidon vendimet e BE-së dhe bo eliminon kundërshtarët brenda shtetit. Qeveria e Italisë është në fushatë kundër emigrantëve.

Edhe Gjermania, e cila pak më shumë se vendet e tjera mbron vlerat e demokracisë, bën lëshime nëse është në interes të biznesit gjerman. Kancelarja Merkel nuk heziton të takohet me presidentin e Rusisë nëse duhet vazhduar projektet e përbashkëta. Ndonëse e ka bërë këtë në mënyrë brutale, presidenti i SHBA-së, Trump, ka pasur të drejtë kur ka thënë se Gjermania e financon Rusinë me miliarda euro në vit duke blerë naftë dhe gaz nga ky shtet.

Ajo që e ka mbajtur BE-në bashkë janë vlerat e përbashkëta. Sot janë në pikëpyetje edhe sa janë ato vlera dhe a janë ende të përbashkëta. Dhe nuk ka shumë dallim mes vendeve lindore dhe atyre perëndimore. Vlerat e BE-së sot po humben sa në Austri e Itali aq sa edhe në Hungari dhe Poloni. Nuk janë partitë e ekstremit, të majtë apo të djathtë, fajtore për këtë gjendje, por partitë tradicionale që flirtojnë me populizmin dhe i kanë përqafuar partitë dhe vlerat e ekstremeve.

Në një mënyrë BE-ja është në procesin e shpërbërjes morale. Kjo do të ketë ndikim negativ edhe në rajonin e Ballkanit, sepse një BE e tillë nuk do të dojë, dhe nuk do të ketë aq shumë fuqi morale të promovojë vlerat e demokracisë, lirive qytetare, pavarësisë së gjyqësorit, lirinë e medieve në këto vende nëse një gjë të tillë nuk mund ta sigurojnë vetë vendet e saja anëtare. Kjo shpërbërje morale e BE-së dhe mungesa e lidershipit që do të kthente besimin tek vlerat e larta në të cilat bazohej BE-ja është një lajm i mirë për politikanët në Ballkan me tendenca totalitare. Sepse ata po bëhen edhe partnerë të mirë për BE-në e tillë. Kjo reflektohet në qasjen e dyfishtë të BE-së ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit, i kritikon ashpër, së paku një herë në vit, për lidhjet e politikës me krimin e organizuar dhe korrupsionin, për nepotizëm dhe kontroll politik ndaj gjyqësorit dhe sektorit publik, për shkeljen e lirive të medieve. Por në të njëjtën kohë, nuk bën asnjë veprim kundër atyre që janë përgjegjës kryesorë për gjendjen e tillë.

Ky nuk është lajm i ri për vendet e Ballkanit, sepse BE-ja në këtë mënyrë nuk u ndihmon atyre, por vetëm ua mban gjallë një iluzion se kinse janë në procesin e integrimeve në BE. Por gjithmonë çmimin e shkeljes së vlerave e paguan ata që janë jashtë BE-së, sepse atyre që janë brenda nuk kanë çfarë t’u bëjnë. BE-ja nuk do të përjashtojë nga anëtarësia shtetet e saja anëtare për shkak të shkeljes së vlerave themelore. Mund t’i dënojë ato, madje në raste ekstreme edhe duke ua hequr të drejtën e votës në Këshill ose duke ua mohuar mjetet nga fondet e BE-së, por jo edhe t’i përjashtojë nga BE-ja. Ndërsa vendet kandidate do t’i mbajë në paradhomën e pritjes për vite. Sikur sot disa vende anëtare të BE-së të ishin në procesin e negociatave të anëtarësimit vështirë që do të bëheshin vende anëtare. Por, pasi janë tash mund të bëjnë çfarë të duan, sepse BE-ja e ka humbur fuqinë e saj morale dhe nuk ka çfarë t’u bëjë.

Koha Ditore 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.