Harresë, nostalgji, rehabilitim

Postuar në 12 Gusht, 2018 10:36
Skerdilajd Zaimi

Tashmë është e qartë për të gjithë: strategjia publike e kryeministrit është Optimizmi. Këtë përpiqet ta mishërojë qoftë përmes vetëpromovimit si artist – politikan, duke i dhuruar shqiptarëve kënaqësinë e të veçantës që kjo sjell kur e lexon në tituj gazetash të huaja, por edhe me gjëra më banale, si p.sh statuset në Facebook. 
Edi Rama mund të quhet patjetër edhe kryeministri zëdhënës, kurse qeveria e tij mund ta meritojë emrin e qerisë së kujtesës. 

Për çdo rehabilitim, z. Rama e ka gati fjalën Harresë, që e nënkupton kategorinë e Kujtesës si cilësi të qeverisjes së tij. Rehabilitohet një muze diku në periferi, kjo nuk është vetëm një detyrim që qeveria ka përmes programit të saj, por edhe një akt që “nxjerr nga harresa” një histori të caktuar. 
Rikonstruktohen rrugë apo rrugica. Padyshim që kjo është një vepër për të mirën e komunitetit, por ajo është edhe vlerë që duhet celebruar si shërbim ndaj memories së përbashkët. 

Nëse do t’i respekojmë në mënyrë pedante këto Mengjesore të gëzueshme të kryeministrit, do të na duhet të themi se kjo qeveri po përpiqet jo të bëjë historinë e vet, por të korrigjojë historinë e qeverisjeve të tranzicionit. Në rolin e një arkivisti të devotshëm që sapo është çliruar nga një drejtor i paaftë, ajo po rikërkon koordinatat, por ripërcakton indeksin, për të risistemuar arkivën që e njeh kaq mirë dhe ç’është më e keqja, për të cilën ka kaq nostalgji. 

Nuk ka ndonjë gjë të keqe që të ndërhysh, të rikonstruktosh, të rievokosh një histori të caktuar. E keqja këtu buron nga fakti se ajo histori e afërt që sot po inkubohet në aktualitetin tonë dhe të brezave më të rinj, që nuk e kanë jetuar atë, si mozaik i shkëqlyeshëm zhvillimi, zbulohet si defiçencë themelore në vizionin e zhvillimit të një vendi. Që ka nevojë të ecë përpara, të kapë ritmin, të adoptohet me kërkesat e një bote të re, përpara se të rigjallërojë karakterin rustik unik që pretendon elita politike. 
Kjo kujtesë e së shkuarës sjell me vete edhe një farë harrese për atë që ishte në të vërtetë koha politike që ngjizi këto institucione urbane dhe arkitektonike. Këtu nuk është rasti për të krahasuar arkitekturën fashiste me koordinatata e historisë komuniste, pasi p.sh Tirana Fashiste nëse mund të flasim kështu e celebron veten përditë përkundruall çdo tulle apo shtylle betoni qoftë me kredencialin e themeluesit, qoftë me hijen e rënë të estetikës së vet. Ajo nuk e fsheh përmasën e vet politike dhe historike, ajo kërkon ta pyesësh për origjinën edhe kur nuk e njeh hisorinë, pasi kaq e ndryshme është paraqitja e saj. 

Shqipëria që po del nga harresa nuk e sjell me vete pllakën e memorialit të vërtetë, nuk e shpjegon kontekstin politik kur u ngjiz. Ajo rishfaqet e freskët dhe e lyer bukur si një sfidë ndaj çdo qeverisjeje të mesme, që lidh vitin ’90 me Rilindjen e sotme. Kjo përkujtesë në të vërtetë është edhe formë rehabilitimi, që po e merr të drejtën e qytetarisë, përmes një politike “qytetarësh”. 

Nuk është çudi mandej ta shpjegosh apatinë e një kryeqyteti si Tirana, apo të qytetarisë shqiptare në përgjithësi, një apati që në të vërtetë rrjedh dhe kultivohet nga rrejshëmria e historisë që na rrëfen qyteti/et tona, të dominuara nga narrativat e një pushteti të cilit duhet t’ja njohim aftësinë manipuluese. Rilindja po kontekstualizon veten aty ku edhe ndjen shpirtëroren e vet, te nostalgjia e një diferencimi social që rezultoi fatal dhe jofunksional. Dhe kjo është për të ardhur keq, sepse provon paaftësinë për të hedhur një hap real përpara. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.