Marksi i keqlexuar për gati dy shekuj

Postuar në 18 Qershor, 2018 02:45

Gazeta e njohur “Financial Times” i kushtonte në datën 15 qershor një shkrim veprave të Karl Marksit, ideologut të komunizmit modern, njëkohësisht një ndër ekonomistët dhe sociologët më të debatuar dhe referuar .

Shkas për shkrimin është bërë nisma e Akademisë gjermane të Shkencave për publikimin e plotë të veprës së Marks e cila deri më sot nuk e ka parë dritën e botimit në mënyrë integrale. Një paradoks i madh ky po të mbahet parasysh ndikimi dhe përhapja e ideve marksiste përgjatë dy shekujve të fundit.

Projekti drejtohet nga Gerald Hubmann sipas të cilit, nëse çdo gjë do të shkojë mirë, projekti i përgatitjes dhe botimit të veprave të Marks dhe bashkëpunëtorit të tioj, Frederik Engels, do të dojë 15 vjet për t’u përmbyllur. Deri më tani janë hedhur në qarkullim 66 vëllime, 24 vëllime të tjera pritet të publikohen dhe 20 vëllime të tjera që përfshijnë letrat dhe fragmente do të jenë të disponueshme vetëm në format dixhital.

Puna e Akademisë gjermane merr parasysh nisma të ngjashme të filluara më herët si ajo e sovjetikëve në vitet ’20 që u braktis në vitin 1941 me vetëm 12 vëllime të publikuara. Sovjetikët nisën sërish punën në vitet ’70 nën drejtimin e një ekipi të përbashkët me Gjermaninë Lindore, por puna e tyre ndali me rënien e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Pse ka rëndësi ky projekt?

Së pari sepse ai mëton të nxjerrë në dritë variantet origjinale të dy mendimtarëve duke i qëndruar strikt standardeve akademike. Hubmann thotë se edicionet e mëparëshme kanë qenë të paragjykuara duke sjellë para lexuesve një Marks dhe Engels defiçitar nga mendimi original që udhëhiqej shpesh edhe nga interesa politike të tyre.

Imazhi i Marksit që kemi patur është shumë i ngushtë dhe shumë ideologjik. Ai shikohej mbi premise të interesit politik dhe të aspekteve politike në mendje. Por Marks e shikonte veten përmbi të gjitha si kërkues dhe një shkencëtar

shprehet Hubmann.

Kështu nuk është pa rëndësi të sillet ndër mend fakti i njohur se Marksi nuk e përfundoi dot veprën e tij kryesore, Kapitali. Dhe këtu shkencëtari gjerman bën një vërejtje:

Nëse Marksi do të kishte qenë thjesht një ideolog, apo do të kishte vetëm synime politike në mendje, ai nuk do ta kishte problem ta përfundonte Kapitalin – siç bënë të tjerë pas tij. Por nuk ishte ky Marksi dhe ajo çfarë ai synonte. Ai thjest nuk e përfundoi dot kërkimin e tij dhe nuk mund të dilte me një konkluzion

Ky është një konstatim që tjetërson vështrimin mbi filozofin e njohur që është interpretuar dhe referuar me mijëra herë sipas kontekstit.

Puna e nisur nuk ka kaluar pa kontestime. Partia Komuniste e Kinës është shprehur e pakënaqur, sidomos kur ekipi i Hubmann hodhi në qarkullim variantin e zgjeruar të “Ideologjisë Gjermane”, një ndër veprat bazë të dyshes Marks-Engels. Arsyeja për këtë është se sipas akademikëve gjermanë, Marks dhe Engels nuk kishin patur ndërmend ta publikonin veprën në fjalë në formën që e njohim të gjithë. Ajo që ne kemi lexuar deri më sot ka qenë në fakt përmbledhje dorëshkrimesh të publikuara gati gjysmë shekulli më vonë pas vdekjes së Marks e që ishin pjesë e një projekti të dështuar për një revistë.

"Kinezët nuk mund të pranojnë që nuk ka një vepër të tillë të quajtur “Ideologjia Gjermane”, shprehet Hubmann.

Ngjan se me veprën është bërë një lloj kanonizimi postum dhe i pjesshëm, njësoj si me Biblën, varianti i sotshëm i së cilës nuk përfshin të gjithë ungjijtë e kohës kur u përfundua e që po njësoj si Marksizmi, mori formën që njohim përmes vendimeve politike. Për pasojë, edhe kritika, kundërshtimi dhe analiza vujanë në këtë rast nga fakti se ngrihen mbi premisa të gënjeshtërta dhe në mosnjohje reale të veprës. Pra edhe mendimit original të mendimtarit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.