Gjykata e Vlorës e mbyll grabitjen e tokave në Karaburun me dënimin e varrmihësit

Postuar në 28 Mars, 2018 11:56
Jerola Ziaj

Gjykata e Vlorës shpalli fajtorë katër nga pesë të akuzuarit për falsifikimin e 342 hektarëve tokë në zonat turistike të Karaburunit, Zvërnecit dhe Palasës të martën, ndërkohë që i dha pafajësi avokatit Enkes Hysendhima.

Trupi gjykues i përbërë nga Albert Spiro, Albana Selmanaj dhe Laurent Fuçia shpalli përgjegjës kryesor Rajmond Mëzin dhe vendosi dënimin e tij me 18 vjet burg për falsifikimin e pronësisë së 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve të tjerë në Zvërnec. Lefter Gjergji, i cili akuzohej për tjetërsimin e 33 hektarëve tokë në Palasë u dënua me 16 vjet burg.

Ish-punonjësja e hipotekës, Blerina Dhrami u dënua me 6 vjet burg ndërsa arkivistja e gjykatës së Vlorës, Donika Besimaj me 3 vjet burg.

Avokati i Mëzit, Enkes Hysendhima, i cili akuzohej nga Prokuroria e Vlorës si një ndër protagonistët e falsifikimit të tokës u shpall i pafajshëm nga trupi gjykues. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e Hysendhimës me 24 vjet burg.

Vendimi i Gjykatës së Vlorës duket se e ka lënë të pakënaqur organin e akuzës. Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli deklaroi të martën se “vendimi do të apelohet”.

Edhe avokati i dy ish-zyrtareve, Blerina Dhrami dhe Donika Besimaj paralajmëroi apelimin e vendimit, duke e cilësuar dënimin e klienteve të tij si të padrejtë.

“Punonjësja e hipotekës në asnjë rast nuk ka lëshuar dokument të falsifikuar. Nuk është detyra e saj të verifikojë dokumentet që i dorëzohen,” tha avokati Eduart Dëma për BIRN. Sa i përket arkivistes së gjykatës, Dëma shtoi se Prokuroria ka faktuar ndërhyrjet në dokumentet e arshivuara në Gjykatën e Vlorës, por sipas tij nuk ka specifikuar periudhën kohore kur ato kanë ndodhur.

Hetimi për tjetërsimin masiv të tokave në bregdetin e Vlorës nisi në shkurt 2016, pas kallëzimit në Prokurori të njërit prej pretenduesve, Malo Bado. Në qershor 2016, Prokuroria e Vlorës ngriti akuza ndaj një rrjeti të gjerë njerëzish, mes të cilëve edhe biznesmenit Pullumb Petritaj, i cili u shpall në atë kohë në kërkim.

Por në korrik 2017, kur Prokuroria dorëzoi në gjykatë kërkesën për gjykim, Petritaj dhe një notere ishin përjashtuar nga akuzat. Prokuroria arriti të provonte se pronat u tjetërsuan mbi bazën e vendimeve gjyqësore të falsifikuara apo proceseve gjyqësore të paqena në emër të Raimond Mëzit dhe Lefter Gjergjit dhe më pas u falën apo u shitën tek një rreth i gjerë njerëzish, mes të cilëve edhe biznesmenë.

Tjetërsimi i secilës prej pronave, sipas hetimit të Prokurorisë u ngrit mbi krijimin dhe futjen në arkivën e Gjykatës së Rrethit Vlorë të dosjeve gjyqësore të sajuara dhe vendimeve fiktive të tre gjyqtarëve, firmat e së cilëve rezultuan gjithashtu të falsifikuara.

Vendimet e falsifikuara gjyqësore u përdorën më pas në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë, ku u certifikua tjetërsimi i pronësisë së tre sipërfaqeve të mëdha të tokës.

Prokuroria deklaron se Raimond Mëzi u regjistrua si pronar i 220 hektarëve tokë në Karaburun dhe 89 hektarëve në Zvërnec, ndonëse nuk kishte aplikuar asnjëherë në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive, ZVRPP. Njësoj si Mëzi, edhe Filip Gjergji u bë pronar i 33 hektarëve tokë në Palasë përmes një skeme të ngjashme.

Në dëshminë e tij për Prokurorinë, Raimond Mëzi deklaroi se nuk kishte dijeni për vendimin e falsifikuar të KKKP Vlorë që e bën atë pronar të 220 hektarëve tokë, ndërsa mohon të ketë ngritur padi në Gjykatën e Vlorës apo të ketë bërë aplikim për regjistrimin e tokës në hipotekë.

“Sipas tij, aplikimi mund të jetë bërë nga avokati i tij, Enkes Hysendhima, pasi ky i fundit duke vepruar në emrin e tij, ka shitur disa prona në Karaburun dhe i ka dhënë shumën prej 4 milionë lekësh me këste, si çmim për shitjen e kësaj prone,” citohet të ketë dëshmuar Mëzi në kërkesën për gjykim.

Mëzi ka pranuar në Prokurori se ka nënshkruar kontratat që mbajnë firmën e tij, por ai ka shtuar se nuk ka asnjë dijeni mbi përmbajtjen e tyre pasi ka nënshkruar në “fletë të bardhë”.

Pas regjistrimit në hipotekë, pronat i janë nënshtruar ndarjes në parcela më të vogla dhe tjetërsimit përmes kontratave multimilionëshe të shitjes apo të shkëmbimit me persona të tretë përgjatë viteve 2012-2016.

Kalimi i pronësisë nga njëra dorë në tjetrën tregon se pjesa më e madhe e 342 hektarëve tokë u tjetërsua përmes kontratave të shkëmbimit të pasurisë. Ndërkohë, sipërfaqe të konsiderueshme iu shitën biznesmenëve të njohur në Tiranë dhe Vlorë.

reporter.al

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.