Mbase Skënderbeu bën diçka për Himarën

Postuar në 30 Gusht, 2017 15:44

Sot në disa televizione u raportua se mbledhja e këshillit bashkiak të Himarës u transferua në Kuç të Vlorës, për shkak të tensioneve të provokuara sipas këtyre të dhënave nga përfaqësues të Omonias si Fredi Bejleri dhe biznesmeni Nikollaq Neranxi. Këta kanë shkuar edhe në Kuç por mandej janë larguar për të lënë vijimin e mbledhjes me konsensus mes PS, LSI dhe PD. Në mbledhje diskutohet plani i ri rregullues që sipas Rilindjes do transformojë zonën ndërkohë që banorët ankohen se po u grabitet prona. 
Kjo s’ka rëndësi, pasi pretendimi i banorëve është tanimë I njohur dhe patjetër që ka një bazë vërtetësie. 
Këtu vëmendje meriton kjo rrëshqitja në male e të zgjedhurve të popullit pas presioneve të pak njerëzve. Duket se nocioni popull po merr kuptime të tjera përderisa sovraniteti po ushtrohet në lartësi dhe larg detit. Përndryshe mundet fare mirë që shqiptari Jorgo Goro të propozonte zhvillimin e mbledhjes në Lukovë, Dhërmi, Vuno apo Qeparo. Në fakt është zgjedhur Kuçi, me një simbolikë që riaktualizon raportet e forcës mes anëdetësve filogrekë dhe shqiptarëve të brendatokës. 

Ironike dhe gajasëse në kulm kjo sorrollatje në vapë në një vend që drejtohet nga një qeveri që do përkujtojë Skënderbeun vitin tjetër. Cinike dhe poshtëruese kur për një tejkalim shpejtësie mundet fare mirë të marrësh gjobë nga kryeministri që del reklamave elektorale me ambicien e dublantit të një polici rrugor, ndërkohë që Fredi Bejleri dhe Nikollaq Neranxi vazhdojnë "inkursionet" në Kuç.

Dikush mund të dalë e të thotë se “kjo është politikë”. Në fakt kjo vetëm politikë nuk është. Nuk është politikë të lësh ligjin të ekzekutohet në mes të ditës për të çuar në “mërgim” Jorgo Goron që po zbulon leverdinë e shqiptarisë. Sikundër nuk është politikë të tallesh me pronën private. Dhe nuk është politikë, por rrugaçëri shtetërore të mos dëgjosh një komunitet që ka dekada që kërkon të mbrojë pronën nga një shtet që është zyrtarisht kampion i grabitjes e që kur e vënë para tri-katër vetë hidhet deri në malin më të afërt “te njerëzit e vet” pa u kujdesur dhe pa vënë re se kjo sjellje bën shumë më tepër dëm sesa përballja. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.