Media britanike zbulon "300 spartanët" shqiptarë të drogës. Ndoshta diplomacia mund të zgjohet nga gjumi

Postuar në 29 Qershor, 2017 15:56

Ka marrë dhënë në mediat britanike dhe mandej edhe ato shqiptare një copëz e raportit vjetor të Agjencisë kombëtare Britanike për Krimin, sipas të cilës shqiptarët kontrollojnë tregun e drogës në këtë vend. I gjithë raporti që ndërtohet mbi një vlerësim të kërcënimeve serioze nga krimi i organizuar, është thjeshtuar nga media si BBC dhe “Guardian” te roli i shqiptarëve në trafikun e drogës në Britani.

Për ta mbështetur këtë lajm sensacional në ndihmë ka ardhur edhe zv. drejtori i Agjencisë Mathew Horne, që përsërit të njëjtën tezë të dhunë së ekazgjeruar të shqiptarëve. Një raportim i njëanshëm, pa shkuar më tej për të thënë I qëllimshëm dhe keqdashës. Vetë këto media thonë që në Britani ka 20 mijë shqiptarë, ndërkohë që pesha e tyre në aktivitetin kriminal në ishull është 0.8%. Kjo përqindje llogaritet mbi bazë të numrit të pjesëtarëve të organizatave apo bandave që kryejnë aktivitete të mëdha kriminale dhe në total sipas Agjencisë janë 5 886 grupe me 39 414 individë. Tani, 0.8% i kësaj pjesëmarrjeje është 315. 315 është një numër që të kujton 300 spartanët e Leonidhës që bënë hatanë ndaj një perandorie.

315 shqiptarë bëkan kërdinë dhe janë kërcënim për Britaninë e Madhe, sigurinë e saj dhe na marrkan në kontroll tregun miliardësh të kokainës në ishull. Duket pak e çuditshme, megjithatë raporti i Agjencisë është më konkret se mediat kur flet për krimin dhe ai nuk bën përjashtime siç bëjnë mediat në fjalë.

Shqiptarët vijnë në konsideratë në kapitullin e trafikut të drogës, që listohet pas pastrimit të parave dhe krimeve ekonomike si mashtrimi dhe korrupsioni, aktivitete që kapin shifrën e 90 miliardë paundëve, apo krimit kibernetik ku qëndrojnë në krye rusët. 

Në çështjet e drogave dhe trafikimit të tyre, theksohet roli domethënës i shqiptarëve, por ata qëndrojnë në një nivel me turqit dhe pakistanezët që kontrollojnë heroinën, serbët dhe turqit që kontrollojnë logjistikën detare për trafikun e kokainës, ndërkohë që Agjencia vlerëson se importi i kokainës nga Kolumbia është rritur.

Shqiptarët kanë rritur rolin brenda krimit të organizuar në Britani, por edhe lituanezët p.sh po rrisin rolin e tyre edhe sepse kanë kapacitete të qarkullimit të shumave të mëdha.

Nga 42 faqe të raportit, mediat përmendin vetëm shqiptarët që janë 315, pse ndoshta kështu kënaqet bindja e përgjithshme, ose pse kështu mund të jetë një politikë e caktuar në Londër.

Nga çdo kriter gazetaresk ta shikosh, një raport që flet për krimin në përgjithësi nuk mund të reduktohet në lajm për një aktivitet dhe një grup etnik dhe për këtë Diplomacia që ne Duam, për të cilën mburremi shumë, do të duhet të reagojë pranë këtyre mediave. Thjesht për keqdashjen e hapur dhe stigmatizimin e posaçëm, jo pse ata 315 janë shqiptarë e që meritojnë t’i fusësh në burg e mos t’i nxjerrësh më.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.