Tjetër padi që mund të bllokojë Vetting-un

Postuar në 07 Qershor, 2017 18:39

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, depozituan një padi në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, si dhe ndaj ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” – i njohur gjithashtu si ligji i vetingut.

Në kërkesën e tyre drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Unioni dhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve kërkojnë shfuqizimin e një numër nenesh të ligjit të vetingut, të cilat rregullojnë kontrollin e pastërtisë së figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve përsa i përket lidhjeve dhe përfshirjes së tyre me krimin e organizuar.

Ata kundërshtojnë shtrirjen e kontrolleve në kohë, për lidhje të mundshme midis gjyqtarëve, prokurorëve dhe pjesëtarëve të krimit të organizuar, duke filluar nga 1 janari 2012, si në tejkalimin e normave kushtetuese. Një parashikim tjetër i ligjit që kundërshtohet nga shoqatat si jokushtetues ka të bëjë me kontaktet që mund të kenë pasur me krimin e organizuar persona të lidhur me gjyqtarë dhe prokurorë.

Padia në mënyrë të veçantë kundërshton dhe mënyrën se si do të bëhet kontrolli i pastërtisë së figurës dhe provat që do të vlerësohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimi dhe Kolegji i Apelimit.Shoqatat e gjyqtarëve vlerësojnë se parashikimet e ligjit të vetingut mbi mënyrën si do të sigurohen dhe administrohen provat nga “grupi i kontrollit” gjatë procedurës së rivlerësimit kalimtar shkon përtej kushtetutës. Kjo nuk është hera e parë që Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ankimojnë këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, raporton BIRN.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.