Vizita që aktualizoi kërkesën për largimin e Edi Ramës

Postuar në 17 Maj, 2017 18:42

Situata e provokuar nga propozimet e zyrtarit amerikan Hoyt Brian Yee është paradoksale: i mbërritur në Tiranë për të presuar opozitën të hyjë në zgjedhje, ai ka lënë në tryezën e bisedimeve një draft që sikletos më së shumti socialistët dhe kryeministrin. Ky i fundit ka lënë të kuptohet se nuk e pranon draftin si të tërë, ka rezerva për disa pika, por nuk ka thënë Jo zyrtarisht.

Nëse shohim draftin që po qarkullon në media bie në sy se zgjedhjet nuk mund t’i besohen qeverisë aktuale. Më tepër ato do të administrohen nga një bashkëqeverisje me PD-në të cilës i jepet edhe KQZ-ja apo drejtorët e policive në qarqe, katër ministra, zv.kryeministri etj.. LSI-ja ka shprehur gatishmërinë që të dorëzojë postin e Presidentit për të plotësuar paketën McAllister e cila për një konveniencë të opozitës rihyri në axhendë. Shahu i shumëpërfolur i Edi Ramës po rezulton i ndërlikuar për atë vetë, ndonëse drafti Yee nuk i heq në thelb atij ndonjë avantazh.

Drafti është kompleks dhe ka disa lexime: së pari ai i jep PD-së shumëçka, atë që ajo e merr përherë në opozitë. Në vitin 2001, PD-ja mori Presidentin, hoqi Drejtorin e SHIK-ut, përçau PS-në dhe largoi nga detyra Prokurorin e Përgjithshëm për ta marrë vetë. Dhe kjo me opozitarizëm të ngjashëm me këtë të tanishmin.

Në këtë kuptim opozita ka marrë shumëçka. E ka gjunjëzuar qeverinë në disa drejtime. Por garancia maksmimale që ka marrë ajo për zgjedhjet në thelb asgjëson alibinë e humbjes nesër, pasi kërkesat e pamundshme që bënte PD-ja në fakt fshihnin synimin e dështimit të negociatave për t’u mbrojtur mandej me zgjedhjet e deformuara si argument. Sot jemi në të tjera kushte: PD-ja thotë jemi gati të hyjmë, por zbatimi korrekt i marrëveshjes do të kërkonte shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Në ftesën për takim që parti të saj kanë shpërndarë do të jetë edhe LSI-ja, diçka që nuk shkon shumë me frymën e një koalicioni që qeveris prej katër vitesh, do të shkojë edhe PDIU-ja. Nëse PD-ja merr dakordësinë e të gjthëve për paketën, ku nënkuptohet shtyrja e zgjedhjeve, ajo në fakt ka marrë mandatin për të vënë në lëvizje skenarin e largimit të Edi Ramës nga posti aktual. Edhe pse të gjithë e duan një gjë të tillë, teknikisht kjo mund të legjitimohet si kërkesë vetëm në kuadër të afateve. Afate të cilat do të dalin në skenë kur të vijë koha e një miratimi final. Largimi i Ramës i jep PD-së argumentin kryesor politik në humbjen e zgjedhjeve nesër, pasi ajo do të deklarojë se “larguam një kryeministër që solli drogën dhe korrupsionin”.

Pra nëse paketa jep garanci që e çojnë PD-në në humbje elektorale pa asnjë manovër kontestimi, ajo sugjeron afate që aktualizojnë largimin e kryeministrit të cilit i mbaron mandati. Kjo është edhe loja e LSI-së dhe Ilir Metën që kërkon goditjen e PS-së në momentin kur ajo qeveris.

Këtu mund të hidhte dritë mbi ecurinë e negociatave, kush miraton dhe kush refuzon, ambasada e SHBA-së në Tiranë, që shpesh prononcohet. Heshtja mund të ketë shumë arsye, por duket qartë se paketa e Yee ka sikletosur kryeministrin që sheh sot se i ka të gjithë kundër dhe ç’është më keq, të bërë bashkë. Në vend se të jepte një zgjidhje, vizita e Yee ka lehtësuar opozitën dhe ka hapur rrugë për axhendën e saj që i sheh zgjedhjet si mjet për disa objektiva, mes të cilëve zhvillimi i zgjedhjeve të rregullta është i fundit.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.