Mbërrijnë dy helikopterë për kërkim-shpëtim; dikur kemi pasur 240 mjete fluturuese (foto)

Postuar në 31 Tetor, 2015 18:00
Leonard Veizi

Ministria e Mbrojtjes u përfshi nga një ceremoni festive pasi së fundi Forcës Ajrore i janë shtuar dy helikopterë të rinj të tipit “EC-145” për operacionet e kërkim-shpëtim “SAR”, ndërsa katër mjete të blinduara të klasit “Lince” i shtohen Policisë Ushtarake. Sot Forcat Ajrore kanë një arsenal prej 18 helikopterësh. Por historia e aviacionit shqiptar as nuk fillon dhe as mbaron me dy helikopterë shpëtimi që erdhën ditët e fundit, dhe për me tepër me ceremoni që në pamje të parë të japin përshtypjen se kanë ardhur jo dy por dyzetë mjete fluturuese.

30 vite më parë Aviacioni ishte vërtet krenaria e ushtrisë shqiptare. Avionët e parë luftarakë në Shqipëri janë futur në vitin 1951 dhe ishin 12 copë JAK-9, me helikë, të prodhimit rus. Ndërsa në vitin 1952 erdhën edhe 4 të tjerë JAK-11 që ishin avion për trajnim. Ky ishte fillimi. Për 24 vite me radhë, deri në vitin 1975 kur erdhi një skuadrilje MIG-21, forcat ajrore shqiptare kishin në përbërjen e tyre rreth 240 avionë dhe helikopterë. Në përbërje të kësaj force kishte avionë prodhim rus dhe kinez të tipit “Jack-9” dhe “Jack-11”, “AN-2”. “Mig 15”, “UTIMIG”, “Mig 17”, “Mig 19” dhe “Mig 21”, si dhe rreth 40 helikopterë MI-4. Në arsenalin e forcave ajrore gjithashtu ishin dhe 3 avionë IL-14 për shërbime qeveritare si dhe 1 avion bombardues IL-28. Të gjithë avionët janë futur në Shqipëri me firmën e komandantit legjendar të saj Edip Ohri.

I gjithë aviacioni u inkuadrua në 3 regjimente gjuajtës-bombardues, të cilët u inkuadruan në tre aerodrome: Gjadri, Rinasi e Kuçova. Reparti i parë u krijua në Tiranë në vitin ’51. Regjimenti i parë i Aviacionit Reaktiv u krijua në vitin 1955 në Kuçovë. Ai do të pasohej me krijimin e Repartit të Transportit Ushtarak në Tiranë, Regjimentin e Rinasit, Shkollën e Aviacionit, Regjimentin e Helikopterëve, Regjimentin e Gjadrit.

Ndërmjet viteve 1980-1990 në aviacionin luftarak pati një lloj rënie. Pas vitit 1992 në këtë armë u bënë ndryshime të mëtejshme. Nisën ndryshimet në politikë, ndërkohë që probleme u shfaqën dhe në ekonomi dhe ushtri. Filloi kështu një proces ndryshimesh dhe transformimesh, të cilat ishin të kushtëzuara jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe ajo e sigurisë. Nga vitit 1992 dhe duke vazhduar deri në 1997 e më tej, si rezultat i këtyre problemeve, filloi rrudhja e aviacionit luftarak. Kjo bëri që të mos përballoheshin më detyrat. Ndërsa teknologjia, e cila, duke e krahasuar me teknologjinë bashkëkohore, duhet thënë se ishte vjetëruar.

Avionët luftarakë dolën jashtë shërbimit në vitin 2004, me firmën e ish-komandantit të Forcave Ajrore, gjeneral brigade Astrit Jaupit, menjëherë pas një aksidenti me MIG-17 ku ra në krye të detyrës piloti Jani Tarifa. Aviacioni shqiptar ka 39 dëshmorë.

 

Leonard Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.