Afera CEZ në parlament: Kryeçështje, falja e 600 milionë eurove nga qeveria aktuale

Postuar në 01 Tetor, 2015 12:33

Çështja e CEZ-it është rikthyer sot në seancë plenare ku kanë diskutuar të njëjtët protagonistë. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka deklaruar se çdo gjë që është hapur për këtë çështje, synon goditjen e tij. “Ka rreth një muaj që po bëhemi dëshmitarë të një operacioni mafioz politik, mediatik dhe financiar për të përfshirë me domosdo, përmes një propagande mashtruese, e cila nuk mbështetet në asnjë fakt e në asnjë provë, përmes financimit mafioz të emisioneve e gazetarëve që fabrikojnë të pavërteta, dhe kolegë të caktuar deputetë që bëhen zëdhënës të tyre. E gjitha bazohet mbi falsifikimin. Mos u stërmundoni duke përdorur Tom Doshin dhe Dritan Priftin për herë të tretë. Përse të jap unë dorëheqjen? Se ka mashtruar BIRN? Se kompania që përfaqëson shtetin shqiptar, thotë që se kemi përmendur emrin e Ilir Metës? U mësuat keq me dorëheqjet e mia, edhe pse atëherë Berisha më tha mos e jep dorëheqjen, pasi video është montazh. Por, atëherë kisha konflikt interesi dhe ndaj dhashë dorëheqjen. Unë këmbëngul për hetim ndërkombëtar, dhe nga amerikanët. E dini pse kërkoj hetim nga amerikanët? Se thanë që shkrimi ndaj meje ishte porositur nga amerikanët”, tha Meta. Nga ana e vet, ish-ministri i Financave, Ridvan Bode, ka akuzuar Metën direkt, duke deklaruar se “ti nuk je i pastër në këtë aferë”. Sali Berisha i është përmbajtur nga ana e vet akuzës për marrëveshjen e mirëkuptimit, e cila siç përflitet fali 600 milionë euro për një votë për statusin e vendit kandidat. Bie në sy se përfaqësuesit socialistë ruajnë profil të ulët në këtë çështje, ndonëse akuza po orientohet drejt përgjegjësive të kryeministrit. Dimensioni i aferës është i tillë që i përfshin thuajse të gjithë, çka po përcakton edhe kakofoninë për hetimin, si dhe lëmshin e shkresave që qarkullojnë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.