Portret/ Arben Morina, peneli shqiptar në oborret mbretërore të Evropës

Postuar në 27 Shtator, 2015 16:49
Leonard Veizi

Që kur u kthye nga Firence, pas një “emigracioni artistik” të gjatë prej 10 vitesh, Arben Morina, ky artist shqiptar i njohur deri në Nju Jorkun e largët, vendosi të jetonte në të njëjtën shtëpi që kishte pasur edhe para se të largohej nga Tirana. Në të vërtetë rrënjët e tij janë sa nga Gjakova po aq dhe nga Vlora. Me pasaportë “Morina” dhe me kartë identiteti “Kanina”. Në këtë mënyrë trashëgon origjinën dyfishe prej prindërve të tij. E padyshim kjo e bën të ndihet shumë krenar.

Për të gjithë ata që s’e njohin apo që duan të dinë të paktën fillesën e tij, i informoj shkurt se Arben Morina u lind më 10 gusht 1956, në Tiranë, vazhdoi Institutin e Lartë të Arteve ndërmjet viteve 1978-1982 dhe ka punuar në Galerinë Kombëtare të Arteve. Në dhjetor të vitit 1990 transferohet në Firence, ku qëndroi deri në fund të vitit 1998. Pastaj zhvendoset në Amerikë. E për më tej, nëse jeni sadopak kureshtar, duhet të vazhdoni leximin...

Padyshim, të qenit piktor, një dëshirë e dhunti e kahershme, do të ishte e ardhmja e tij e vërtetë. Vetëm si i tillë ai ka njohur jetën mondane të elitës evropiane dhe ka shëtitur nëpër sallonet e disa prej familjeve të mëdha njujorkeze. Nuk ka dilema dhe sforco teksa rreshket penelin me bojën mbi një telajo të bardhë, apo kur tërheq majën e lapsit mbi një fletë formati çfarëdo. Grafikë, akuarel a tablo në vaj marrin të njëjtin përkushtim dhe vlerë padyshim. Talentin e falur pa kursim tashmë ai e ka fokusuar në një punë që duket se nuk ka ndër mend të ndalë ndonjëherë. Në Firence, Nju Jork apo Tiranë, ai është frymëzuar me të njëjtin pasion, dhe ashtu siç i “dhuroi” jetë princeshës së një oborri perëndimor, u dha “frymë” dhe baballarëve të kombit shqiptar, atyre që firmosën për Pavarësinë.

Në 15 vitet e fundit e kam ndjekur në vazhdimësi veprimtarinë e Arben Morinës, ekspozitat e hapura dhe punën lokale të tij. E megjithatë, ajo që më intrigonte më tepër ishte jeta e tij artistike tej kufijve të vendit, në ato sallone ku zor se kishte shkelur më parë ndonjë tjetër shqiptar.

Morina më tregon se si rasti e solli që një kushëriri i tij, që punonte në Tregtinë e Jashtme, kishte krijuar marrëdhënie shumë të mira me princin austriak Egon Von Fuerstenberg, i cili ishte dhe nip i familjes Anjeli, pasi nëna e tij ishte motra e Xhanit të FIAT-it. Por Fuerstenberg ishte dhe një koleksionist i madh, të cilit i pëlqente ndjesia e pikturës që vinte nga vendet e Lindjes. “Ishte viti 1988 kur Egon Von Fuerstenberg i kërkon kushëririt tim ta ndihmonte me një piktor të mirë, pasi donte të bënte disa portrete të familjes. Kushiriri im i adresoi emrin tim, që në fakt, edhe pse i ri, në atë kohë kisha fituar goxha emër të mirë në Tiranë”, tregon Morina për fillimin e një lidhje krejt të pazakontë për situatën ku jetonin shqiptarët.

Duket si herezi, që një piktor shqiptar të lidhej me një princ perendimor. Lufta e klasave ishte zbutur, por muri i Berlinit ende nuk kishte rënë. Por Arbeni më shpjegon se me Princin Egon Von Fuerstenberg u lidh vetëm në rrugë shtetërore. Në atë kohë s’mund të bëhej ndryshe. E për më tej ai vazhdon: “Nga ambasada më erdhi një zarf me stemën e familjes, ku brenda saj ishin katër fotografi: e Egon Von Fuerstenberg, e djalit Alesandro, e vajzës, Tatiana, dhe e mikes së tij të ngushtë, një gazetare e njohur e “Il Messagiero”.

Diktatura po zbutej... kishte halle të tjera. Ndaj i interesonte që aty-këtu të fuste kthetrat ku mund të mbahej disi. Përndryshe nuk kishte si shpjegohej që një princ perendimor të shkëmbente korrespodencë me një artist nga Tirana. “Shteti shqiptar në atë kohë ishte i interesuar që Egon Von Fuerstenberg të investonte në industrinë e tekstileve në Shqipëri, dhe kushëriri im, - natyrisht në emër të shtetit, - e ftoi princin austriak për një vizitë private. Ai u prit në hotelin e gjuetisë, në ishullin e Lezhës, në një drekë madhështore, ku isha i ftuar edhe unë. Egon Von Fuerstenberg erdhi vet i gjashtë, me mikeshën e tij, presidentin e sallonit më të madh të modës në Itali, presidentin e klubit të Gjuetisë, si dhe dy pilotët e avionit personal, me të cilin zbriti në Rinas”, më sqaron për më tej Ben Morina.

Congratulaciones... Shqipëria vërtet po bënte hapa përpara. Me hapin e breshkës por, gjithsesi....

Një vit më parë me avion personal kishte zbritur po në Rinas edhe kryeministri i landit të Bavarisë, Franz Josef Shtrauss. Por të kthehemi te historia jonë.

Si çdokush që do të haste në një histori të tillë edhe unë isha i interesuar të dija si kishte reaguar nipi vienez i Anjelit kur u njoh me punët e Benit nga Tirana? “Kisha më se një muaj që punoja me katër portretet. Dhe i vendosa në murin përballë tryezës së ngrënies. Për rreth 45 minuta ai vetëm diskutoi me mua dhe të pranishmit e tjerë për katër pikturat. Mbeti fort i kënaqur. Pastaj u ul për të ngrënë dhe kërkoi që piktori, pra unë, të kishte vendin përballë tij. Them se në atë kohë, për dy orë u ndjeva si një mbret, pasi isha në qendër të vëmendjes”, tregon Beni impresionet e një kohe të largët.

Epo Fuerstenberg e kishte realizuar një nga ëndrrat e tij në Shqipëri. Po me industrinë e tekstikeve nuk do t’i ecte aq shumë. Arben Morina thotë se princi austriak qëndroi dy ditë, por kishte mbetur i pakënaqur nga industria shqiptare e tekstileve dhe nuk e pranoi propozimin e palës shqiptare. Shtrausit gjithashtu nuk i kishte shkrepur në Shqipëri, edhe pse u prit si mbret e hëngri sa deshi në Pallatin e Brigadave. Dhe të mendosh që të dy kanë zbritur me avionë personalë në aeroportin modest të Rinasit. E tanimë kjo histori dështimesh nuk ka pikë rëndësie. E si mundej që një njeri që vinte nga qendra e modës perëndimore të pëlqente punimet e dala nga një kombinat me emrin “Stalin”, apo i një tjetri me emrin “Mao Ce Dun”... Ironi e madhe.

Fundi i vitit 1990 do të sillte një epokë të re për shqiptarët. Arben Morina më tregon se pikërisht në këtë kohë ai komunikoi sërish me Princin Egon Von Fuerstenberg: “Sapo kisha mbërritur në Itali. Isha vendosur në një hotel të vogël. Kisha kartëvizitën e tij dhe i rashë numrit të telefonit. Më doli sekretarja, por e ndjeva që ai e ndërpreu sapo njohu emrin tim: “Përshëndetje Morina, ku je? – më pyeti. “Jam vendosur në Itali, në Firence”, i thashë. Ai qeshi dhe më tha. “Urime, ke bërë zgjedhjen e duhur. Ndërsa unë do të të njoh me Mbretëreshën e Firences, që është Bona Frescobaldi”.

Bona Frescobaldi??? Çfarë thua mo Arben? Bo, bo, sa lart që vajte. Unë kujtova se do njiheshe me Bonën e Letës. Çfarë sjell jeta. Dhe ju njohu me të? “Natyrisht, - thotë Ben Morina. - Madje Bona Frescobaldi telefonoi vetë në hotel dhe e zonja e hotelit hidhej përpjetë nga gëzimi sepse gruaja më e fuqishme e Firences i kishte telefonuar. Më kujtohet që Bona Frescobaldi më priti në pallatin e saj, ndërsa unë shoqërohesha nga vëllai im dhe e zonja e hotelit, pas këmbënguljes së kësaj të fundit, dhe natyrisht pasi unë kisha marrë leje që edhe ajo të ishte e pranishme në takim. Duhet të them se Frescobaldët ishin një familje 1000-vjeçare në Firence, përfaqësuesit më të mëdhenj në botë të verërave të Toskanës. Familje që i ka dhënë jo vetëm Italisë, por edhe Evropës”.

Pikërisht në Firence ai gjeti vendqëndrimin e tij. Edhe pse tanimë në Tiranë këtë qytet të magjishëm e viziton shpesh. Ndërsa në një mënyrë krejt poetike thotë: “Firence! Kjo zgjedhja ime është ëndrra e çdo artisti. Firence, nga hyjnore në tokësore. Pikërisht në këtë vend, në shekullin XV mori formë të jashtëzakonshme ai fenomen që shënjoi një kthesë thelbësore në art dhe kulturë: Rilindja. Firence është qyteti i shpërthimeve krijuese. Firence është dhe qyteti i njerëzve të imagjinatës... Firence është gjithashtu qyteti që la gjurmë të rëndësishme në thellësi të qytetërimit. Për të gjitha këto arsye çdo artist, po të kish mundësi, do të zgjidhte Firencen sigurisht”.

Veprat e Morinës tanimë janë të ekspozuara në koleksionet private italiane shumë të famshme. Në pallatin e Markez Frescobaldit në Firence ka të ekspozuara pjesëtarët e familjes dhe peizazhe me natyrë të qetë. Në pallatin e Markez Antinorit, Firence, ka hedhur mbi telajo pjesëtarët e familjes. Për princin austriak Egon Von Fuerstenberg ka punuar gjithashtu pjesëtarët e familjes.

Goxha famë. Për më tepër një artist që vinte nga diktatura.

Arben Morina më thotë se në dhjetor të vitit 1998 do të transferohet në Rochester Nju Jork, e më pas, në shkurt 2000, në Nju Jork City. Udhëtim i largët, - i them. - Si mbërritët aty? “Në fakt, ishte një çift amerikanësh, që, pas një rekomandimi, erdhën në studion time në Firence. Burri ishte zv/president i një prej firmave më të mëdha të optikës, të quajtur “Bausch&Lomb”, në Rochester të Nju Jorkut. Në këtë mënyrë u lidha edhe me pjesën e artit amerikan. Pas disa kohësh e kuptova se emri im kishte filluar të lakohej në disa qarqe, madje edhe televizioni FOX, nga më të rëndësishmit në SHBA, më la një hapësirë disa minutëshe në edicionin e lajmeve, pra në një transmetim të drejtpërdrejtë”.

Ja ky është shans, jo shaka. Vetë FOX News të fut në një trasmetim të drejtpërdrejtë... Ne këtu jemi të kënaqur me “Tv Kasharin”. Sa pa gjë...

Ndërkohë kjo ka ndodhur disa vite më parë, ndërsa ftesat që e thërrasin sërish të jetë i pranishëm me penelin e tij në oborret princërore, nuk kanë reshtur asnjëherë. Beni thotë se ndjeshmëria që ka është dhuratë e natyrës dhe se kjo mbase nuk merr shumë rëndësi për artin e tij, përderisa i duhet shtuar dhe volumi i një pune këmbëngulëse. Madje është pikërisht një gjë e tillë që e ka çuar drejt një suksesi të pabesueshëm.

Megjithatë prej vitesh Ben Morina është i stacionuar në Shqipëri. Pikturon në shtëpinë-studio të tij dhe udhëton pareshtur drejt Vlorës. Pse kjo zgjedhje? “U ktheva në Shqipëri sepse ndieja një thirrje, ndieja një detyrim ndaj vendit tim... Lirisë t'i japim një dimension tjetër, të thyejmë barrierat, të bashkojmë njerëzit, të krijojmë ura të fuqishme lidhëse, të bashkojmë idetë, të prekim kordat e ndjeshmërisë njerëzore dhe të gjithë bashkë të ndërtojmë, të krijojmë, ta bëjmë jetën më të bukur, t'i lëmë kësaj toke vlera e vetëm vlera”.

Ai ka një ndjenjë atdhetare të kulluar. Kërkon që ashtu si origjina e tij mes dy Shqipërive dhe puna e  tij të përfaqësojë të dyja Shqipëritë. “Kosova është pjesë e trupit tim, pjesë e qenies sime”, thotë Ben Morina. - Që fëmijë jam edukuar me ndjenjat e dashurisë për vendin. Kosova gjithmonë ka qenë objekt i bisedave në familjen time. Kjo falë edhe origjinës nga babai. Motivet e Kosovës kanë shoqëruar gjithë krijimtarinë time. “Jehona kosovare” e titullova ekspozitën e hapur me disa artistë kosovarë në Tiranë. Ekspozita parapriu në kohë ngjarjen më të madhe në historinë shumëshekullore të Kosovës: Pavarësinë!”

E në kujtim të Pavarësisë së shqiptarëve, ai ka bërë atë qa ka pasur më shumë mundësi të bëjë: ata që firmosën për mëvetësinë e Shqipërisë tanimë e kanë nga një portret, me ngjyra e plot jetë. Në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë, në mjediset e Kryeministrisë Arben Morina çeli një ekspozitë me portretet e 40 firmëtarëve të deklaratës. “Nuk ishte aspak një rastësi, as një përzgjedhje e paramenduar. Pavarësinë e kisha thellë në shpirt, ajo ishte brenda meje, ajo ishte brenda në familje. Gjyshi im, Zihni Abas Kanina (Hamzaraj), ishte njëri nga 40 firmëtarët e Pavarësisë. Janë dhe pesë kushërinj të tjerë të mi firmëtarë të pavarësisë. Dhe kështu “aventura” filloi. Ishte një punë kolosale. Fillova grumbullimin e materialeve fotografike dhe dokumenteve. Nga çastet më të bukura ishin takimet me familjarët e firmëtarëve të pavarësisë, rrëfimet e tyre. Unë jetoja dy kohë në të njëjtën kohë. Ata firmosën pavarësinë, unë firmosa 40 portretet. 40 firmat kishin ngjyrën e flamurit”, thotë Arben Morina.

Dhe pas kësaj, duket se frymëzimi i Arben Morinës është ngritur në një stad të ri ndërsa ambiciet e tij janë bërë më të mëdha, sigurisht.

 

 
Leonard Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.