10 dritëhijet e taksës 5 euro për rrugën Durrës -Kukës, fiton shteti humbet individi

Postuar në 05 Shtator, 2015 12:38

Do të aplikohet taksa 5 euro për rrugën Durrës – Kukës. Kjo tani nuk përbën më lajm. Por Afrim Krasniqi në një shkrim të tij thekson 10 pika që i cilëson si: dritëhijet kryesore të nismës, që vendos një taksë të re në listën e 125 taksave me të cilat përballen qytetarët në nivel qendror e lokal. Ja 10 pikat në formë të përmbledhur:

Së pari, - rruga Durrës – Kukës është financuar nga shteti, me kredi, të cilat indirekt janë paguar nga qytetarët.

Së dyti, - rruga nuk ka destinacion turistik dhe as biznesi të përqendruar, por është segment jetësor komunikimi midis Shqipërisë e Kosovës, dhe midis kryeqytetit dhe periferisë së varfër.

Së treti, - ministria që merret me turizmin shpalli arritje të rëndësishme faktin se më shumë se 1 milion shqiptarë të Kosovës erdhën për pushime në Shqipëri. Pa kaluar java ministri tjetër vendos taksë 5 euro për lëvizjen e tyre të ardhshme drejt rivierës shqiptare.

Së katërti, - kur një qeveri vendos taksë rruge ajo është e detyruar të ofrojë alternativa të tjera komunikimi. Çfarë rruge do të ndjekin qytetarët që banojnë në anë të autostradës?

Së pesti, - Në fushatën elektorale pushteti premtoi se bashkitë e reja do kenë më tepër kompetenca në territorin e tyre. Kush u konsultua me bashkitë Mirditë, Kukës, Tropojë, Has, Mat etj, që preken direkt nga taksa e re e rrugës?

Së gjashti, - ministri është i qartë në teorinë e tij: fiton kompania që jep çmimin më të ulët të kontributit të shtetit, pra që ndihmon shtetin, por jo qytetarët.

Së shtati, - Shqipëria ka një sistem taksash të ngarkuar dhe shpesh të paqartë në drejtim vertikal e horizontal. Për shembull, ata që posedojnë mjete transporti, paguajnë taksë rruge përmes taksës vjetore, paguajnë taksë mjedisi, taksë karburanti dhe plot taksa të tjera, të ardhurat e të cilave në 80% të rasteve nuk dimë sesi i shpenzojnë zyrtarët e modelit të këtij ministri.

Së teti, - praktikat konsensionare në Shqipëri nuk kanë qenë aq produktive sa janë prezantuar.

Së nënti, - Shqipëria ka një monedhë, quhet “lekë”. Ministri ka vendosur që taksa të jetë në euro, kur asnjë nga qytetarët e qarkut Kukës apo Lezhë nuk paguhen me euro nga shteti i tyre.

Së fundi, - ky rast i fundit na krijon mundësinë e një debati më të gjerë, më produktiv dhe më jetëgjatë mbi atë se çfarë do të bëhet me zonat e Shqipërisë në dekadat e ardhshme. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.