Firmoset marrëveshja, në Bosnje udhëtohet me kartë identiteti

Postuar në 30 Korrik, 2015 11:21

Shqiptarët do të udhëtojnë drejt Bosnje Hercegovinës vetëm me kartën e identiteti. Marrëveshja është firmosur në Tiranë mes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe homologut të tij boshnjak, Igor Crnadak.

Të dy ministrat u shprehën se kjo marrëveshje për lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve me karta identeti do të ndihmojë në rritjen e turizmit në të dy vendet. Aktualisht Shqipëria ka një marrëveshje të tillë me Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë. 

Bosnja është në listën e vendeve ku mund të udhëtohet pa vizë afatshkurtër, por që deri më sot ishte e nevojshme pasaporta.

Gjatë takimit të Bushatit dhe Crnadak u diskutua për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, dhe perspektivën e përbashkët drejt integrimit europian. Të dy ministrat konfirmuar rëndësinë e procesit të Berlinit, dhe pritjet e mëdha nga samiti i Vjenës.

/ Top Channel