Blloku Billboard
Dështim i plotë/Koalicioni jep vetëm një arsye për ekzistencën e vet: Sali Berisha
“Te dashur miq, skenari Papandreu ne zhvillim te shpejte ne Shqiperi. Doganat dhe shteti drejt falimentimit te pashmangshem. Muajin qe kaloi realizojne vete 75% te planit te ri. Keshtu, ne muajin shtator u mblodhen 2.2 mld me pak se plani i ri dhe 5.2 mld me pak se plani i vjeter. Si nente mujor 4 mld me pak se sa vitin e kaluar. Kontrabanda e klaneve qeveritare po falimenton me shpejtesi ekonomine shqiptare!”. Kështu shkruan sot në Facebook ish-kryeministri Sali Berisha.
Shënim: E majta e konçesioneve, ose e majta me konçesion
Shteti e jep me konçesion një shërbim apo një punë specifike që nuk e kryen dot vetë. Është delikate, e veçantë apo ka të bëjë me një sektor që është i ri dhe i panjohur për vendin. Atëherë hyjnë në lojë kompanitë e specializuara. Po çfarë specializimi duhet për të prodhuar lejet e qarkullimit të makinave dhe databazën për to (që ekziston ndërkaq), një konçesion i dhënë së fundi? Seria e fundit e një seriali të gjatë koncesionesh, të bën të qeshësh (dhe të qash) me të “majtën sociale dhe të prirë ndaj publikes”, kundrejt së cilës e majta në pushtet nuk ka asnjë pikë kontakti.
Shënim: I shantazhuar dhe pa kurajo
Ilir Meta duket se i mbijetoi stuhisë politike që u ngrit kundër tij në lidhje me çështjen CEZ. Deklarimet e sotme të ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe Bashkim Finos, se koalicioni është solid, i kanë dhënë fund rolit prej spektatori që mbajti Edi Rama në këtë histori, duke shënuar në mos një tërheqje, distancimin nga presioni kundër aleatit të tij.
Shënim: A po përvijohet një grupim Rama-Basha vs Meta-Berisha...?
Zhvillimet e ngjeshura politike të ditës së sotme kanë përvijuar një sistem aleancash, qoftë edhe fluide, që janë përfolur prej kohësh në sferën e intrigave politike të mbetura në nivel thashethemesh. Një distancim i qartë i retorikës së Lulzim Bashës nga Berisha, nga njëra anë, dhe një thirrje mirëkuptimi në distancë mes Metës dhe Berishës nga ana tjetër, ku nuk mungoi dhe krenaria e Metës për “origjinën e fortë malore” të tij, e vendosin Bashën në një konvergjencë të çuditshme me kryeministrin Rama.
Gramoz Ruçi lajmëron kohë të vështira për PS. Që filluan që sot…
Vetë një ditë më parë kreu i grupit parlamentar socialist dhe numri 2 i PS-së, Gramoz Ruçi, u ka kërkuar deputetëve unitet në seancat plenare gjatë votimit të nismave të qeverisë. Sipas gazetës ‘Sot”, rrudhja e Partisë Socialiste në Parlament dhe mundësia e ndryshimit të balancave për shkak të krisjeve në koalicion ka qenë dje objekt diskutimesh në mbledhjen e grupit parlamentar. Ruçi ka paralajmëruar deputetët për të papriturat e situatave të vështira, ky paralajmërim jo në mbledhjen zyrtare të grupit, në praninë e mediave, por pas takimeve me deputetë të veçantë.
Shënim: Korrupsion me status
Ajo që qeveria shqiptare e quan marrëveshje të mirëkuptimit me CEZ nuk është gjë tjetër veçse një formë tjetër e korrupsionit që kryeministri Rama thotë se po e lufton për të shembur fenomenenin e ngritur në sistem. Por tani që lufta politike mes palëve po i nxjerr të gjitha sheshit, dalin dhe arsyet e vërteta pse u tërhoq shteti shqiptar nga arbitrazhi me CEZ, duke i falur kompanisë çeke plot 600 milionë euro fatura të papaguara ndaj KESH dhe OST. Kjo sipas pretendimeve të opozitës.
Shënim: Drejt precedentit kroat?
Zhvillimet e fundit politike në Shqipëri po çojnë përherë e më shumë drejt idesë se një pjesë e politikës po “blen” hyrjen në Europë, duke bërë kurban një pjesë tjetër. Asociimi me Ivo Sanader të Kroacisë çalon jo pak, pasi në ndryshim nga Kroacia, Shqipëria është një vend ku institucionet e drejtësisë dhe të akuzës janë përgjegjëse sa politika për gjendjen e krijuar, sikurse i gjithë establishmenti politik është i zhytur në batakun e korrupsionit që gjeneron po vetë. E megjithatë ai mbetet sërish i referueshëm.
Shënim: CEZ, ftesa për hetime të huaja si kalbëzim i plotë i klasës politike
Si PD edhe kreu i LSI-së Ilir Meta janë shprehur publikisht se pranonin një hetim amerikan për fareën e CEZ. Por Partia Demokratike ka hedhur një hap konkret duke depozituar në Kuvend projektligjin, ku kërkohet hetim ndërkombëtar për CEZ. Në shkresën shoqëruese thuhet se PD kërkon që kjo çështjet të hetohet nga SHBA, si përzgjedhja e parë, ose nga vendet e BE.
“Qeveria ka shansin të korrigjohet çdo pesë minuta”
Kryeministri indian, Narendra Modi, ka zhvilluar një takim të hapur informal me drejtuesin e “Facebook” Mark Zuckerberg në San Francisco. Janë adresuar rreth 40 mijë pyetje dhe komente dhe takimi është ndjekur nga rreth 500 vizitorë. Tërheq vëmendjen ky konstatim i Modit për rolin e medias sociale në kohën që jetojmë dhe në raport me politikën: “Media sociale është një votim i përditshëm; nuk ka më mundësi për boshllëqe në komunikim me qeverinë si më parë. Qeveritë kanë tani shansin të korrigjojnë veten çdo pesë minuta dhe jo çdo pesë vjet si më parë.
Përralla mburravece e tolerancës fetare(video)
Politika po shkon disi larg me përrallën e tolerancës fetare ndër shqiptarë. Një realitet i lindur nga shqisat e oportunizmit, kjo tezë po përdoret si instrument grimimi për Shqipërinë. Rast emblematik është kryeministri aktual që në dy fjalimet e fundit në ShBA, dje në “World Leadership Forum” dhe sot në fjalimin në OKB, ka sjellë shembullin e vetes si përfaqësues për Shqipërinë. Dhe më tej, Shqipërinë, si model që mund të ndiqet nga kjo botë e turbulluar nga konfliktet.