Si dossierët e gazetave/Mero Baze shkruan se me bunkerin po banalizohet Diktatura

Mero Baze Shkruan për hapjen e bunkerit antinukelar ku thuhet se do të strehohej Enver Hoxha dhe udhëheqja në rast të një sulmi me armë të shkatërrimit në masë. Sipas tij, me mënyrën sesi po realizohet kjo gjë, publikut po i ofrohet një episod nga ku që Diktatura mund të vështrohet me kuriozitet dhe pa reflektimin e nevojshëm. “Mënyra se si po flitet për bunkerin, më kujton qindra shkrime banale në gazetat shqiptare për kujtimet e komunizmit të tipit: “Si i çoja bukën Mehmet Shehut”, “Si hëngri marmalatë Beqir Balluku”, “Si shpëtova Enver Hoxhën nga Moska”, “Si ruajta në sepete, kapelen e Petrit Dumës” etj. Të hysh në një tunel të diktaturës për kuriozitetin se si e kishte krevatin Enveri aty dhe se sa dhoma kishte për Byronë politike, është një banalizim i diktaturës. Një banalizim, që kur e bën e majta, që ka një fije lidhjeje me të shkuarën komuniste të këtij vendi, mund të duket edhe si provokim, po të mos jemi të ndërgjegjshëm që është në të vërtetë një mediokritet i atyre që kanë bërë vetëm gjëra sipërfaqësore në këtë vend, qofshin edhe italianë”, thotë ai.
Duhet thënë se Edi Rama, është ndër ata politikanë që kritikon mediat shpesh, i ka përçmuar ato jo rallë për cilësinë e tyre, replikon me gazetarët për kotësinë e pyetjeve, natyrën banale, sipërfaqësore, apo militante të qasjes ndaj problemeve etj.. E megjithatë ai i lexon gazetat që kaq shumë i kritikon, ndonëse nuk mungon të pretendojë të kundërtën. Dhe me siguri kryeministrit i ka zënë syri diçka nga dossieri për Byronë dhe Komitetin Qendror, Sigurimin dhe Ushtrinë, për fjalë në pleniume dhe plane sulmi, mbrojtjeje, apo edhe strehimi. Gjithë kjo ripërtypje informacioni, tanimë në publik, është një lloj mobilizimi frenetik virtual, i vënë në punë nga kurdisja e një kurioziteti të atyre qytetarëve që mbetën në një lloj shkretëtire si ajo e Buzzatit. Dhe ndoshta, për të ushqyer më tej këtë kureshtje, kryeministri ka vendosur të përcjellë edhe ai dossierin e tij, që mund të ishte akti i mbramë i Diktaturës; duke urdhëruar hapjen e bunkerit, bashkë me eksponatin e teshave apo jorganit të Enverit, maskën kundërgaz nr.1, ai është vënë në rolin e një reportazhieri, i cili ka luksin e një audience masive dhe të një teksti të paredaktueshëm. Kuptohet, këtu më shumë se denoncim të Enverit, kemi riprezantimin e tij si protagonist i “padukshëm”, por i kudondhur i një skene tërheqëse. “Personalisht nuk kam asnjë kuriozitet për benevrekët e Enverit, apo talljen e tij me improvizimin e një salle parlamenti në bunker”, shkruan Baze më tej, duke theksuar aspektin karnevalesk të këtij dossieri qeveritar, por që shkon më larg se synimet modeste të shitjes së një numri, apo edhe më thellë sesa rrëfenjat naive të marmalatës së Beqirit, apo kapeles së Petrit Dumes.
S.z
Add new comment