Një kërkesë e PDIU-së, një opinion i një historiani, nacionalizmi i z. Rama dhe problemi i koalicionit qeverisës

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka dalë sot me një kërkesë për qeverinë dhe presidentin. “PDIU, Shoqata Çamëria, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe çdo shqiptar i kërkon sot në mënyrë zyrtare dhe të drejtpërdrejtë Presidentit të Republikës, Kryeministrit, ministrit të Jashtëm dhe çdo instance tjetër shtetërore të ngrenë çështjen e pakicës së mbetur të shqiptarëve të Çamërisë ndaj homologëve të tyre grekë dhe Bashkimit Evropian”, tha anëtari i kryesisë së PDIU-së, Ardit Bido(http://www.panorama.com.al/2014/11/25/pdiu-shqiptaret-e-camerise-te-shpa...). “Kërkesa e palës shqiptare duhet të jetë njohja zyrtare e statusit të pakicës kombëtare të shqiptarëve në Çamëri. Atyre u mohohen sot të drejtat bazike: e drejta e të vetëdeklaruarit shqiptar dhe arsimimit, meshimit e komunikimit në gjuhën amtare. Është e pafalshme nëse shteti shqiptar vijon të heshti”, shtoi ai. Së pari nuk dihet se përse zotëria në fjalë flet në emër të të gjithë shqiptarëve, prej nga ku vetëshpall një mandat të ngjashëm me atë të një delegati me konsensus të përgjithshëm. Së dyti, çështja në fjalë meriton vëmendje pasi mund të përcjellë informacione për afrimin e PDIU-së në koalicionin qeverisës. Nuk është më sekret që mes PS-së dhe LSI-së, ose për të qenë fare të saktë, mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, problemet nuk mungojnë dhe një gjë e tillë shfaqet edhe në diskutimet në komisionet parlamentare. Kërkesa e PDIU-së nuk ka sesi të jetë bërë në hava, pasi po të shihet me vëmendje ajo nuk përmend Parlamentin në përmbajtjen e vet. Z. Rama u kthye nga Beogradi me kredencialet e nacionalistit dhe kjo cilësi vlen edhe për zgjedhjet e vështira që po afrojnë. Një jehonë pozitive e kërkesës së PDIU-së me siguri që e rikalibron imazhin e z. Rama në këtë drejtim, i dëmtuar për shkak të pakënaqësisë së madhe të krijuar nga masat shtrënguese në ekonomi. Së treti, dhe më e rëndësishmja, është vërtetësia e pretendimit të PDIU-së për pjesën e çamëve të mbetur në Greqi. Për të përcjellë një opinion më të kualifikuar për këtë po riprodhojmë këtu, pjesë nga një intervistë me historianin Beqir Meta, dhënë për gazetën “Shekulli” në vitin 2012:
“Z. Meta si paraqitet situata historike, demografike dhe politike e popullsisë çame ortodokse që banon sot në Greqi?
Realisht nuk kemi ndonjë të dhënë për çamët ortodoksë në Greqi, sepse në të gjitha statistikat ata paraqiten si grekë. Gjithsesi nga regjistrimet e vjetra të popullsisë, ato të hershmet, çamët ortodoksë kanë zënë një pjesë të vogël, rreth 10 mijë veta, që janë 15 % e popullsisë së Çamërisë. Ka gjithsesi statistika që vijnë si rezultat i studimeve të autoreve të ndryshëm, që edhe kanë qenë dhe kanë udhëtuar në këto zona që flasin për këtë popullsi. Kjo ngase shteti grek nuk e ka njohur këtë element për origjinën e vet, por është e qartë se ajo ka qenë popullsi e pastër shqiptare.
Në dijeninë tuaj, a e ruan kjo popullsi identitetin e vet apo është e integruar tërësisht?
Në disa raporte që ka patur deri në fund të shekullit të 20-ë , por edhe ato që vijnë së fundmi nga udhëtime që bëhen në zonë, kjo popullsi ruan, sidomos në brezat e mesëm dhe të vjetër, gjuhën shqipe dhe vetëdijen për origjinën e saj, por për një varg arsyesh nuk preferon ta shfaqë hapur atë.
A është presioni politik një arsye, apo edhe raporti i tyre me grekët?
Sigurisht një nga arsyet është se nuk mundet, por aty nuk është se ka ndonjë lëvizje që të kërkojë të tregojë që ne jemi shqiptarë.
Z. Meta, së fundmi çështja çame ka hyrë në axhendën politike të Shqipërisë. Mendoni se ajo duhet të përfshijë edhe problemin e çamëve ortodoksë apo edhe arvanitasve?
Unë do të thosha se nuk mund të jetë prioritet aktual i politikës shqiptare. Prioritet është zgjidhja e çështjes së realizimit të të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë që janë dëbuar, duke kërkuar respektimin e të drejtave njerëzore të tyre që është njohja e gabimit historik me dëbimin, njohja dhe kthimi i pronave, por edhe rikthimi i shtetësisë së mohuar padrejtësisht. Ky është themeli i politikës shqiptare për arsye se kemi fakte relevante, të dokumentuara nga pikëpamja historike, juridike dhe e së drejtës ndërkombëtare. Po kështu kemi edhe një popullsi që është shumë aktive dhe e demonstron hapur dhe me shumë forcë kërkesën e saj për t’u kthyer në tokat e veta dhe për t’u respektuar si minoritet”.
Intervista e plotë: http://shekulli.com.al/web/p.php?id=11319&kat=87
Në fund do shënuar se është shumë e paqartë se për cilat arsye, PDIU, një parti e krijuar në emër të çështjes çame, e shikon zgjidhjen e saj, përmes konfliktimit me palën greke, duke implikuar herë pas here edhe marrëdhëniet mes dy vendeve. Njësoj si në rastin me Serbinë, është e qartë se marrëdhëniet me Greqinë, nuk mund të kushtëzohen me çështjen çame, për të cilën është krijuar edhe partia e drejtuar nga z. Dojaka, që është shumë më konkrete në kërkesa dhe shumë më afër qasjes juridike të problemit.
s.z
Add new comment