Përmbledhje/ SYRIZA, një historik i shkurtër. Përbërja dhe ideologjia e radikalëve të majtë grekë që “kërcënojnë” Europën.

Zgjedhjet e së dielës në Greqi pritet të hapin një faqe të re në perspektivën politike greke, por edhe më gjerë në Europë, për shkak të “lulëzimit” të një fryme që vjen nga rrënjët e së majtës radikale perëndimore, e cila ka dalë kundër masat shtrënguese të imponuara nga qeveritë e “forta” të bllokut dhe kreditorët ndërkombëtarë. Por si arriti SYRIZA nga një koalicion me më pak se 5 për qind në vitin 2009 të kthehet në një mazhorancë elektorale në Greqi dhe një “kërcënim” për Eurozonën.
Ndryshimi i sistemit politik dhe rënia e “socializmit të vërtetë” në vendet e bllokut komunist shënuan nisjen e një epoke të re për ristrukturimin e së majtës greke të përfaqësuar nga KKE (Partia Komuniste Greke) dhe E.AR (E Majta Greke).
Në prag të zgjedhjeve kombëtare të vitit 1989 këto dy parti krijuan Koalicionin e së Majtës dhe Përparimit, me një rezultat dekurajues në zgjedhje. Vetëm dy vjet më vonë, në vitin 1991 Partia Komuniste shkëputet nga aleanca, duke i hapur rrugë transformimit të Koalicionit të së Majtës dhe Përparimit në një forcë të vetme politike.
Çarja e madhe në Kongresin e 13-të të Partisë Komuniste Greke (KKE) ku mbizotëroi linja marksiste-leniniste, provokoi shkëputjen e krahut të ashtuquajtur si reformator që kishte kërkuar rishikim të parimeve themelore të teorisë dhe funksionimit të partisë dhe bashkimin e saj me Koalicionin e së Majtës dhe Përparimit të shndërruar në forcë politike me vete. Kjo parti udhëhoqi në zgjedhjet e vitit 2003 Koalicionin e së Majtës, Lëvizjeve dhe Ekologjisë të emërtuar (SYNASPYZMOS), ku merrnin pjesë disa parti të vogla dhe organizata të majta të shkëputura nga Partia Komuniste, mes të cilëve, të ashtuquajturit mbështetës të ideologjive trockiste, maoiste si dhe Manolis Glezos, aktivist i njohur i së majtës greke gjatë Luftës së Dytë Botërore.
SYNASPYZMOS e përshkruante veten si një parti e inovative e së Majtës Radikale, e frymëzuar nga idetë për ripërtëritjen e lëvizjes punëtore në Greqi dhe në Evropë me objektiv strategjik "socializmin demokratik dhe lirinë" të karakterizuar nga europianizimi. Kjo parti e mbështeste diskursin e vet teorik në pozicionet filozofike të Karl Marksit, Vladimir Leninit, Rosa Luxemburg, Antonio Gramshit , e Louis Althusser. Kultura e partisë duhet të fokusohej në pjesëmarrjen aktive në lëvizjen kundër globalizimit dhe kapitalizmit neoliberal si dhe në kërkimin e një identiteti të ri të së majtës, duke përfshirë brenda vetes njerëz të bindjeve të ndryshme ideologjike nga komunistët deri tek socialistët liberalë.
Një vit më vonë, në 2004 kjo parti u bë pjesë e aleancës zgjedhore (SYRIZA),” Koalicioni i të Majtës Radikale” e cila u kurorëzua në 2012 si një forcë politike e vetme. Nga pikëpamja historike SYRIZA është e lidhur me rrymat ideologjike që u avancuan në vitet 1970 nga disa parti komuniste të Europës Perëndimore.
Proceset që çuan në krijimin e SYRIZA-s kishin për qëllim krijimin e një hapësire dialogu dhe uniteti për të majtën greke. Për arritjen e këtij qëllimi kontribuan disa figura të së majtës greke që ndonëse me prejardhje ideologjike të ndryshme bashkoheshin në çështjet që kishin preokupuar shoqërinë greke që prej viteve 90’ siç ishte ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, privatizimet dhe të drejtat shoqërore në Greqi.
Është ndoshta ky afirmim politik i Syrizës që i jep zë mesazhit dhe përpjekjeve të së majtës radikale europiane të viteve '70, të cilat u menduan të kapërcyera nga "zgjidhja ekonomike", apo "mrekullia" siç u quajt në ndonjë vend. Aq me tepër vlerë merr kjo, kur ky "eksperiment i suksesshëm" realizohet në një vend ku e majta e moderuar ka diktuar zhvillimin politik të 40 viteve të fundit. Për Europën kjo është ndoshta e papritura e dytë që "vjen nga poshtë" pas lëvizjes së Beppe Grillos në Itali, ndërkohë që vendet më të zhvilluara përjetojnë një rigjallërim të së djathtës ekstreme. Greqia është shumë e vogël sa për të përkufizuar këtë polarizim, por një fitore e nesërme e kësaj amalgame radikalësh të majtë, në një zonë me pasaportë të BE-së, kumton mesazhin se mirëqenia nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme. Sidomos kur ekuacioni i të gjitha krizave është se të pasurit bëhen thjesht më të pasur, kurse të varfërit më të varfër.
l.m
Add new comment