Opozita e "Facebook"-ut apo opozita e Bashkise?!

Postuar në 03 Gusht, 2013 05:13
Skënder Minxhozi

Nëse në një kontekst normal do të kërkoheshin diferencat mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, dikush mund të ngrinte supet dhe të buzëqeshte me ironi. A mund të ketë dallim mes nxënësit dhe mësuesit, mes shefit dhe vartësit më të bindur, mes “krijuesit” dhe “krijesës”? E megjithatë pyetja më e zakonshme e kësaj vere “Sa do të ndryshojë kryetari i PD-së Basha nga ish-kryetari i PD-së Berisha” në postin më të lartë partiak, vazhdon të mbushë faqet e shtypit dhe bisedat publike në të gjithë Shqipërinë.

“Facebook”-u ka qenë një improvizim mediatik i Berishës, që vjen nga një kohë kur ai kishte në fakt të gjithë vëmendjen publike pas vetes. Pra, para zgjedhjeve. Sot, kur nuk i kanë mbetur më shirita inaugurimesh për të prerë, kur qeveria mblidhet rrallë e formalisht, kur Parlamenti është i shpërndarë dhe kur asgjë s’është më si më parë për shkak të 23 qershorit, Doktori duket se ka zbuluar sharmin e fshehur të komunikimit përmes një ekrani dhe një tastiere. Pilulat e tij të përditshme kritike për fitimtarët e majtë kanë filluar të jenë gjahu i preferuar i pasditeve për redaksitë e gazetave dhe televizioneve. Duke përdorur të njëjtën platformë që adoleshentët e përdorin për qëllime shumë më pak serioze, ish-kryetari po i jep formë asaj që mund të quhet “Opozita e ‘Facebook’-ut”. Një linjë e ashpër dhe sulmuese, pikë për pikë e ngjashme me qëndrimin historik të Berishës ndaj kundërshtarëve politikë. Nuk është e vështirë të kuptohet që është ky komunikim i përditshëm që rrezaton agresivitet dhe polemikë edhe në qëndrimet zyrtare të PD-së, përfshirë ato të kryetarit të ri dhe të zëdhënësve të ndryshëm të partisë.

Gjithsesi jo gjithçka përçohet pa kosto dhe humbje rrugës. Për një arsye shumë të thjeshtë. Vetë Lulzim Basha ka një stof krejt tjetër nga Sali Berisha. Është e lexueshme për së largu se ai dëshiron t’i ngjajë me çdo kusht atij, por ja që karizma politike nuk është si gripi. Ajo nuk është ngjitëse. Dhe këtu, në këtë thyerje të fortë, në këtë distancë të madhe karakteresh, temperamentesh, nuhatjeje dhe instinkti, nis edhe drama që duket se do ta shoqërojë Lulzim Bashën në pjesën e mbetur të udhëtimit të tij në majën e PD-së, i cili do të jetë i gjatë, sepse rrugëtimi sapo ka nisur.

Duket qartë se Basha do të donte të ishte agresiv, do të donte të kishte hije të rëndë, të fliste vrazhdë dhe të merrte nëpër gojë cilindo që do t’i dilte përpara. Por ja që s’e bën dot.

Përtej faktit sesa e mirë apo e keqe mund t’u duket shumë vetave, ai do të donte të kishte të gjitha ato që ka sot Berisha, por që i mungojnë atij vetë. Dhe nga përpjekja për të kopjuar me letër kopjativi paraardhësin e tij, kryetari i ri rrezikon të krijojë një hibrid të dështuar, në vend të një profili origjinal. Edhe në këto orë, kur atij i ka rënë barra e kreut të PD-së, opozita e Lulzim Bashës, që për lehtësi dallimi mund ta quanim edhe si “Opozita e Bashkisë”, është më e butë, më e holluar me ujë, se ajo e Berishës nga rrjetet sociale.

Lulzim Basha është një produkt personal i Sali Berishës. Por ai s’ka pse të jetë një zgjatim i tij. Kritikët dhe ata që e nënvleftësojnë formatin politik të kreut të bashkisë dhe të partisë, thonë se një Bashë origjinal dhe i pavarur nga hija dhe influenca e Berishës, është thjesht një mundësi teorike, por jo praktike. Pasi pa Berishën, thjesht nuk do të kishim sot një Lulzim Bashë, politikan të rangut të lartë.

E megjithatë, ashtu siç edhe dy pika uji janë të ndryshme mes tyre, edhe Berisha e Basha s’mund të jenë e njëjta gjë. Sado që të vendosura mbi një shasi të njëjtë politike, Opozita e Bashkisë dhe Opozita e “Facebook”-ut janë dy gjëra të ndryshme. Jo për ndonjë diferencë të kërkuar të dy liderëve respektivë, apo për ndonjë dëshirë të njërit për të qenë i ndryshëm nga tjetri, por për një pamundësi objektive për të klonuar nga e para në vitin 2013, një karrierë politike, si ajo e njeriut më të fuqishëm të 22 vjetëve të fundit.

Ky dualizëm është në fakt dilema e madhe e PD-së në prag të sezonit politik, në të cilin do e shohë veten pakicë parlamentare. Cila do të fitojë? Opozita e Bashkisë, një lidership i dobët dhe i munguar, një drejtim “në distancë”, që flet me fraza të thata dhe klishe boshe? Apo Opozita e “Facebook”-ut, të cilën e njohin mirë të gjithë shqiptarët, pasi e kanë pasur në ekranet e televizioneve çdo ditë të Perëndisë, në tetë vjetët e fundit? Shtatori do të tregojë sesa kryetari formal Lulzim Basha do të mund t’i japë formën e mandatit të tij Partisë Demokratike, përballë vullnetit të afishuar të Sali Berishës për të vazhduar rolin e violinës së parë, edhe nga pozita e “anëtarit të thjeshtë”.

Shqip

Comments

Submitted by F.Agalliu (not verified) on

Me vjen me te vertete mire qe me ne fund po e kuptoni dhe ju analiste, se Berisha dhe Basha kurre nuk mund te jene e njejta gje. Por problemi qendron ne faktin, se sa kohe do t'ju duhet juve te nderuar opinionberes, te kuptoni, qe ti japesh doren Bashes per ta cuar atje ku e lyp nevoja eshte detyra me e domosdoshme dhe fisnike  ne keto kohe qe pritet te vijne, kur ky vend ka nevoje  si oksigjeni te kete nje opozite serioze, per ti dale perpara dhe bere balle nje revanshi te mundshem nga kjo mazhorance e stermadhe. Nese deri me sot keni sulmuar me te drejte pushtetin e stermadh te Berishes, per detyre tani keni  ti beheni pale opozites per ta mbrojtur ate nga sulmet e padrejta te pushtetit. Natyrisht, kjo mund te tingelloj si nje kerkese hipotetike, por Nastradini nuk ishte budalla, qe kur e niste djalin per te mbushur uj, ja fuste me nje dacke per te mos thyer shtemben.

Submitted by Arben G. (not verified) on

@ F.Agalliu

Ky vend eshte i zene per fyti nga cibane qe duhen pastruar urgjentisht dhe NUK MUND TE JENE OPOZITE!

Opozita e vertete jane Topi, Patozi, Marku, e shume te tjere

Nuk ka perse te sforcohet kush per te bere opozite. Opozita lind vetvetiu, sapo qeveria fillon pune.

Une p.sh. kam gjithe jetes qe jam opozitar  dhe gjithmone me kane hequr nga puna, kur jane nderruar pushtetet:

1992, 1994, 1998, 2007 ...

Gjeta zgjidhje, ika fare nga Shqiperia ;-)

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.