Terapia e shokut dhe bredhi i i Krishtlindjeve

Në këtë shkrim, “terapia e shokut” nuk është objekti i një analize në terma ekonomikë. Përkundrazi, ajo përdoret për të ilustruar diçka që besoj se i vlen diskutimeve për ndryshimin në arsim.
Termin e dëgjova për herë të parë në vitin ’91, nga entuziastët e ndryshimit demokratik dhe të ekonomisë së tregut të lirë. Ofrohej si alternativa e modelit ekonomik të centralizuar, përmes sloganesh të përgjithshme, por pa qartësuar lidhjen dialektike të ndryshoreve dhe pasojat gjegjëse. Për t’u dukur më bindës, dikush, që kishte shtënë në dorë një botim të Fridmanit, nuk ia përtonte të citonte me mburrje idetë e tij, sigurisht, ashtu siç i kuptonte vetë. Dhe, për t’i certifikuar komentet, theksonte se kontributi i profesorit ishte vlerësuar me çmimin “Nobel”. Pasojat që solli zbatimi “alla shqiptar” i këtij modeli, tani, njihen mirë nga të gjithë. Ajo që ia vlen pas kësaj, mendoj se janë mësimet nga pësimi. Mësuam, p.sh, se urgjenca për të përfituar në kohë, mund të rrezikojë përfitimet afatgjata e të qëndrueshme; se ndërhyrjet e reja duhen njohur thellë dhe t’u kuptohet vlera; se, për ndryshimin, është normë që specialistët e fushave të ndryshme të bashkohen dhe të ndërtojnë “dijen” që u duhet, në kontekstin e problemit plotësisht të pangjashëm me diçka tjetër të njohur më parë; se ka rëndësi kritike krijimi i mekanizmave teknikë e ligjorë për menaxhimin e fondeve publike etj.
Me këto në mendje, po u qasem ideve që shtjelloi në dy shkrime, analisti E. Zaloshnja, në web-in “Respublika.al” [http://www.respublica.al/opinion/2013/08/19/33-qindarka-per-te-nxene-67-.... Thelbi i shqetësimit të autorit pse fëmijët tanë nuk shkollohen si duhet, identifikohet me mos efiçencën dhe mos efikasitetin e modelit të financimit të arsimit publik. Nisur këndej, ai beson se faktori thelbësor i përmirësimit të cilësisë së formimit të nxënësve është ndryshimi i skemës së financimit dhe ofron një skemë të re që e quan “çeqet e shkollimit”. Në thelbin e saj “është eliminimi i ingranazheve të shumtë që ekzistojnë midis qeses së shtetit dhe të nxënësve të vegjël që shkollohen në sistemin publik. Kështu, në vend që të kalojë nëpër 100 duar të pakujdesshme (për të mos thënë abuzuese), fondi i caktuar për shkollat publike mund të shkojë drejtpërdrejt tek duart e prindërve që kanë fëmijë në ato shkolla. Shpërndarja e fondit mund të bëhet me çeqe ose në çdo formë tjetër që do t'i krijonte mundësinë prindërve të paguanin shkollat më të mira të mundshme me paratë e caktuara për fëmijët e tyre”. Kjo do të mundësonte “zgjedhjen e shkollës nga prindërit dhe rritjen e konkurrencës midis shkollave”. Çka, të plotësuara “me licencimin dhe inspektimin e shkollave nga niveli i mesëm, do krijojnë presionin e nevojshëm për daljen nga gjendja e mjeruar ku gjendet sot arsimi publik 12 vjeçar në Shqipëri”.
Nuk shterohen në formatin e një shkrimi argumentet kundër kësaj skeme të zbatuar prej më shumë se 20 vjetësh në vende të ndryshme. Tiparet kyç të së saj janë zgjedhja e shkollës nga prindi, varësia e burimeve të financimit nga numri i nxënësve regjistron shkolla, mundësia e humbjes së nxënësve nga shkollat, deri falimentimi i saj. Kufizohem këtu me kundërshtimet e disa prej kërkuesve që kanë studiuar pasojat në vende të ndryshme. Kundërshtimet nuk bazohen thjesht dhe vetëm në konsideratën teorike, sipas së cilës kanë efekt të kufizuar instrumentet që tentojnë t’i japin një të mire publike disa tipare të së mirës private, por rezultojnë nga dëshmitë e mbledhura prej kërkimit. Konstatimi i përgjithshëm është se skema e “çeqeve të shkollimit”, ka dështuar pikërisht në arritjen e objektivave të saj themelorë. J. Ambleri, duke iu referuar skemës në Britani, Francë dhe Holandë, pohon se "pasoja kryesore negative e zgjedhjes së shkollës është tendenca e saj e natyrshme për të rritur hendekun arsimor mes të privilegjuarve dhe të paprivilegjuarve" [Who Benefits from Educational Choice? Some Evidence from Europe, 1994]. Nga studimi i rasteve të Nju Jorkut, Skocisë, Belgjikës dhe Holandës, H. Levin konkludoi se “zgjedhja e shkollës çoi në një izolim racial dhe socio-ekonomike më të madh të nxënësve” [Educational Vouchers: Effectiveness, Choice and Costs, 1998.] Sipas Gauri & Vadwa, “sistemi i çeqeve të shkollimit në Kili dhe Zelandën e Re krijoi nxitës të fortë për shkollat për të përzgjedhur nxënësit e përparuar”. Gjithashtu, Fiske & Ladd (2000, 2001), Hsieh & Urquiola (2003), Lankford & Wyckoff (1999), Clotfelter (1999), Ladd & Hanson (1999) dhe Berry, Jacob & Levitt (2000) konstatuan se skema ka rritur shtresëzimin e shkollave dhe veçimin e nxënësve sipas përkatësisë raciale e pasurore. Së fundmi, Kili. Skema, atje, filloi të zbatohet në nivel kombëtar, në vitin 1980, nga regjimi diktatorial i Pinoçetit në kuadrin e “terapisë së shokut”. Të dëmtuarit e mëdhenj qenë pikërisht “Lulat e voçër”, edhe pse skema mëtonte të kundërtën. Nga ana tjetër dhe për më tepër, “reforma e Pinoçetit nuk bëri asnjë përpjekje për të përmirësuar kurrikulën, cilësinë e mësimdhënies apo menaxhimin e arsimit, sepse besohej se kjo do të ndodhte spontanisht, përmes rritjes së konkurrencës së shtuar të shkollave që konkurrojnë mes tyre për nxënës [M. Camoy. “Lessons Of Chile's Voucher Reform Movement”]. Përkundër këtyre përvojave, “vlerësimi PISA, ka zbuluar se politikat arsimore, të bazuara në idealin e mundësive të barabarta arsimore, që sjellin mësuesit në thelbin e ndryshimit arsimor, ndikojnë pozitivisht në cilësinë e sistemeve të arsimit” (OECD, 2007). Prova e prekshme e kësaj është sistemi arsimor finlandez. Nga Finlanda, “vendet që e gjetën të mbyllur shtegun e konkurrencës, të zgjedhjes së shkollës, të llogaridhënies bazuar në teste dhe të pagesës bazuar në rezultat, mund të nxënë se është e mundur të plotësohet ëndrra për një sistem arsimor të mirë dhe të barabartë për të gjithë nxënësit” [P. Salhberg, Finnish Lessons: What Can the World Learn from Educational Change in Finland, 2011].
Kohët e fundit, autorë të ndryshëm në vend po propozojnë grupe reformash që i shohin të nevojshme për ndryshimin. Këtyre mund t’u shtoja dhe unë, p.sh., një skemë alternative financimi: financimi t’u lëvrohet shkollave, jo prindërve. Shkollat të lejohen të marrin financime dhe nga burimet të ndryshme, në varësi të numrit të nxënësve që regjistrojnë etj. etj. Por jam i bindur se edhe ky propozim, nuk do mund të ndryshonte cilësinë për shkak të konteksteve tona (strukturave dhe kulturave ku punohet). Ai, do të cenonte ekuitinë arsimore. Me propozime si këto, ne, thjesht dhe vetëm, do të zbukurojmë “bredhin e krishtlindjeve”, metaforë kjo e përdorur nga teoricienët e ndryshimit arsimor për përpjekjet e dështuara drejt suksesit, duke zbatuar një mori risish brenda një kohe të shkurtër. Nuk është e lehtë të gjesh zgjidhjet që funksionojnë, ca më e vështirë t’i zbatosh ato. Sakaq, strategjitë që kemi përdorur deri tani, nuk u fokusuan në analizën e thelluar të gjendjes dhe të përvojave për gjërat që sjellin ndryshim: problemet e mësimdhënies dhe zhvillimin e kulturave bashkëpunuese. Gjithsesi, ne mund të mësojmë nga përvojat e vendeve që përparuan dekadat e fundit, si Finlanda, Singapori Koreja e Jugut, për të thënë disa syresh. Ata i a dolën, pasi rikonceptuan bazat teorike dhe metodologjike të procesit të nxënies, reformuan kurrikulën, përmirësuan kompetencat profesionale të mësuesve/drejtuesve dhe sistemet e llogaridhënies. A mund të jetë ky shtegu ynë që i hap rrugën ndryshimit të dëshiruar?
Add new comment