50 hijet e Tomës

Deputeti Tomë Doshi u përjashtua dje nga grupi parlamentar i PS (nga kryetari Rama, por nuk dihet ende nëse kolegët e kanë votuar një përjashtim të tillë, siç e kërkon statuti) dhe bëri një deklaratë, padyshim nga ato që nuk bëhen përditë.
Ai deklaroi se kanë dashur ta vrasin dhe Rama nuk ka bërë asgjë për ta zbardhur këtë histori. Arsyeja e indiferencës së Ramës, tha Doshi, është se porositësi i atentatit ndaj tij (dhe deputetit të PD-së nga Laçi, Mëhill Fufi), është kreu i Kuvendit Ilir Meta.
Se si erdhëm deri tek paraditja e datës 2 mars 2015, meriton një rezyme të shkurtër, që mund të bëhet thjesht duke ndjekur qëndrimet dhe deklaratat e personazheve, deri në finalen e konfliktit Rama-Doshi. Të paktën në formën e vet të zëshme e mediatike, kritikat e tij në adresë të qeverisë apo ministrave të saj fillojnë që në 22 korrik 2014.
Asokohe Doshi do ta kritikonte ministrin e Brendshëm Tahiri se e “ka mbushur policinë me tepelenas, si dikur vaktit Berisha me tropojanë”. Shënjestër do ishte edhe drejtori i përgjithshëm Didi, që nuk kishte “kualifikimet e duhura për të qenë në atë detyrë”, ndërsa një ditë më pas, ai do përqendrohej tek përgatitja e dobët dhe mungesa e mjeteve për policët e thjeshtë.
Muaj më vonë, deputeti i Shkodrës do t’i alternonte kritikat, edhe ndaj drejtoreshës së Doganave Spiropali dhe asaj të Tatimeve Shehaj, ndërkohë që shigjetimet në grup i kishte ndaj ministrave që nuk u përgjigjeshin telefonatave të deputetëve për shqetësimet e njerëzve dhe të zonave që u kanë kërkuar votën. Patjetër, edhe ndaj kryeministrit Rama, që favorizon klientelizmat dhe nuk dëgjon zërin ankues të shumë votuesve, teksa është përqendruar në anën represive të reformave dhe nuk do t’ia dijë për problemet sociale të njerëzve. “Ekonomia është bërë më keq se në kohën e Berishës”, tha Doshi.
Ai deklaroi se përcillte në krye të piramidës qeveritare e partiake zërin e padëgjuar të bazës. Për hir të së vërtetës, baza socialiste dhe militantët e thjeshtë i kanë vërtet këto ankesa. Profili “i djathtë” i disa masave të nevojshme si ndërtimet pa leje, energjia e papaguar etj, që ka në fokus rregullimin e financave të shtetit por jo problemet e shumë njerëzve të zakonshëm, është nënvizuar si një shkarje, sado e domosdoshme, e kësaj mazhorance nga kufiri i së majtës politike. Pa harruar pastaj që kriza ekonomike, probleme të tilla i shumëfishon. Ditë më parë, nuk kanë munguar komentet që përkrahnin këto qëndrime prej tribuni popullor të Doshit.
Mirëpo deputeti i Shkodrës shumë shpejt ndërroi tërësisht përmasën e reagimit. Jo më bazë e pakënaqur, jo më ministra arrogantë versus militantë të vuajtur; jo, menjëherë regjistri i përplasjes shkoi tek Rama “bukëshkalë dhe mosmirënjohës”. Pasi u bë një përpjekje, mesa duket e pasuksesshme paqtimi, erdhi dhe deklarata e kërcënimit për ta vrarë atë, dhe “Ramën që bën sehir”. Dhe ajo çka të bën përshtypje, është se kjo histori po vijon prej pesë muajsh, pra gjatë gjithë përshkallëzimit të konfliktit të tij me Ramën. Duket se mbledhjen e djeshme, kryetari i PS-së kishte vendosur që më parë përjashtimin e Doshit, pas qëndrimeve të tij të fundit që u panë as më pak e as më shumë, por si “shantazh politik”.
Duke vështruar këtë rrugëtim të shkurtër, nuk mund të mos ngrihen pra, disa pikëpyetje. Çfarë e ka trazuar kaq fort deputetin, që e nisi me kritika dhe kreshendo shkoi deri tek përplasja frontale (sado që u duk sikur do tërhiqej pak para se të fillonte mbledhja)? E kishte vërtet hallin tek baza e vuajtur, apo një paketë shqetësimesh reale të qytetarëve të zakonshëm i huazoi për betejën e vet? Pse variuan shigjetimet, nga ministri i Brendshëm, policët dhe oficerët e policisë, deri tek doganat dhe tatimet? Më pas, për çfarë ishte treguar “mosmirënjohës” kryeministri, dhe ndaj kujt: Qytetarëve shkodranë apo atij personalisht? Në komentet e faqeve online, shtrohej edhe kjo pyetje: Kur je nën kërcënimin e jetës me atentat, ç’lidhje ka të bësh prej pesë muajsh kritika ndaj funksionimit të qeverisë apo funksionimit të doganave?
Në Kuvend mes deputetëve qarkullon edhe një thashethem mbi një projekt biznesi farmaceutik që prek interesat e biznesit të z.Doshi që vepron prej shumë vitesh në këtë fushë. Të tjerë janë preferuar përpara tij dhe Rama u ka mbajtur krahun duke nxitur zemërimin e deputetit.
Padyshim që shumë flitet nëpër tavolina e telefona, ndoshta edhe më shumë do flitet këto ditë, por hijet që ngriti kjo histori, janë aq të shumta sa nuk mund të ndriçohen menjëherë. Por një gjë është e sigurtë: Tomë Doshi, mesa duket gaboi kur pakënaqësinë e tij e ambalazhoi me logon e presionit të hapur publik ndaj kreut të ekzekutivit. Ajo ishte pika e moskthimit pas.
DITA
Add new comment