Çështja Frroku dhe kapitullimi i shtetit përballë makinës me imunitet

arion suloNga Arion Sulo
Ngjarja e shtatorit 2014, kur një patrullë policie nuk mundi të kontrollojë makinën e deputetit të mazhorancës, Mark Frroku, edhe pas dyshimeve se aty fshihej një trafikant droge, ka rindezur debatin e mbështetjes së krimit nga shteti.
Në këtë rast, kufiri mes akuzave të paprovuara të opinionit publik se trafiku i madh i narkotikëve ndihmohet nga pushtetarët apo politikanët dhe provës se kjo ka ndodhur, është thuajse i shkrirë. Raporti i agjentëve të Policisë së Shtetit, i zbuluar nga ABC News, tregon njëherazi implikimin e krimit me politikën dhe pafuqinë e shtetit për të goditur në këto nivele.
Mungesa e qartësisë 100% të kushteve të flagrancës, dobësia e policëve dhe refuzimi i deputetit Frroku bënë që aksioni të dështonte dhe makina të mos kontrollohej.
Por edhe sikur të pranohet se makina me imunitet nuk mund të kontrollohet, braktisja e operacionit dhe mosndjekja e automjetit deri sa i dyshuari të zbriste, e trondit shumë argumentin juridik që përdoret si justifikim nga segmente të Policisë.
Prokuroria nga ana e saj, e cila po hetonte prej një viti çështjen, flet si nga një botë skuthërish, kur heq fajin nga vetja dhe justifikohet se policët, nëse ishin të sigurt për flagrancën duhej të kontrollonin makinën.
Debati juridik mund të vijojë pa fund dhe faji mund të mbetet jetim. Por Prokuroria, institucioni përgjegjës për t’iu përgjigjur këtyre pandehmave e ka pushuar me kohë hetimin; i dyshuari si trafikant është i lirë, ndërsa mbi deputetin Frroku rëndon vetëm një akuzë e pavërtetuar.
Prova mungon edhe këtë herë, pasi policët dhe prokurorët nuk e çuan deri në fund punën e tyre, kur përballë u doli një njeri i mbrojtur nga pushteti.
Dështimi i Policisë dhe Prokurorisë në zbardhjen e ngjarjes rrëzon gjithë përpjekjet dhe propagandën e qeverisë se krimi po luftohet nga rrënjët dhe se ka kaluar ajo kohë kur krerët e Policisë së Shtetit hanin e pinin me kriminelët.
Zbythja e Policisë dhe fshehja e Prokurorisë para një makine të blinduar të deputetit të kësaj mazhorance, ku xhami përballë policit të pafuqishëm ulet vetëm dy gisht dhe shoqërohet me fjalor arrogant, është lakmuesi se çuarja para drejtësisë e peshqve të mëdhenj mbetet utopi dhe se sukseset e policisë ndaj krimit, si sasi dhe jo cilësi, nuk kanë domethënie.
Dobësia e Policisë dhe Prokurorisë në ngjarjet e mëdha është shkaku se pse gjendja e rendit nuk perceptohet sot më e mirë se dje.
Një kriminel me pushtet, i vënë para drejtësisë vlen sa gjithë kriminelët e rrugës që përmirësojnë statistikat memece, me të cilat qeveria mburret për sukseset e saj në luftën ndaj krimit.
Kjo ngjarje zbeh edhe ato suksese të deritanishme të policisë, siç ishte Lazarati. Sepse në Lazarat u shkulën bimët çudibërëse, ndërsa rrënjët dhe fara e tyre duket se vetëm sa u grumbulluan me leje në duart e zgjatimeve të pushtetit të sotëm, të pakontrollueshëm nga policia dhe qeveria.
Akuza e agjentëve të policisë ndaj Mark Frrokut se ai po transportonte një të kërkuar për trafik do të mbetet e paprovuar, për shkak se vërtetimi i saj u tradhtua nga lart, ndërsa Policia dhe Prokuroria shkelën me qëllim ligjin.
Çështja “Frroku” dhe raste të tjera të ngjashme që ushqejnë debatin publik minojnë propagandën e qeverisë dhe nxjerrin zbuluar dobësitë apo kapjen e saj përballë krimit të lidhur me politikën.
Skandale të tilla vazhdojnë të zhysin imazhin e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila nuk mund të fshihet më pas sofizmave ligjore. Kryeprokurori Llalla ka pasur shansin në muajt e fundit të tregojë me vepra atë që thotë me fjalë; se hetimet e tij ndaj njerëzve me pushtet do të ndryshojnë fatet e vendit. Deri tani, asgjë nuk ka ndryshuar!
Modeli mbetet i njëjti; si dikur me Gërdecin apo 21 Janarin, edhe sot me çështjen “Frroku” apo laboratorin e Xibrakës, shteti është i dorëzuar përballë krimit të lidhur me pushtetin.
"Mapo"
Add new comment