Gazetaria e devijuar nga synimi i saj është shantazh - thotë Ombudsmani francez. Në ABC News

Postuar në 26 Tetor, 2012 09:17

Dominique Baudis është Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Ombudsmanëve Frankofonë. Ndodhet në Tiranë këto ditë në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare të Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Frankofonisë, organizuar nga Avokati i Popullit i Shqipërisë. Z.Baudis i diplomuar për studime politike ka qenë deputet, kryebashkiak i Tuluzës dhe anëtar i Parlamentit Europian. Ka një karrierë të mëparshme edhe në media, si gazetar, president i "Le Figaro" dhe president i Këshillit Vizual Francez. Postin e Mbrojtësit të të Drejtave (Ombudsmanit) në Francë e mban prej 2011-s.

Në një interviste televizive me gazetaren Sonila Meco në ABC News, ai prek edhe problemin e TV publik. Tha Baudis: Problem është edhe si të arrihet të ruhet pavarësia në një television publik; që të mos jetë një television qeveritar, por një media publike që t'u përkasë të gjithëve dhe jo vetëm atyre që qeverisin, pra të ruajë një farë paanësie.  Nuk duhet që një television publik të jetë nën urdhërat e qeverisë, sic nuk duhet që mediat private të jenë nën urdhrat e atyre që japin publicitete..."
Si mund të arrihet kjo në media publike e private? Baudis nuk e sheh zgjidhjen tek palë të tjera, por brenda vetë gazetarisë:

"Pavarësia është thelbësore për punën e gazetarit dhe për këtë duhet të kujdesen vetë gazetarët. Liria dhe përgjegjësia, cili duhet të jetë raporti? Sa më e madhe është liria, aq më e madhe është përgjëgjësia. Unë e njoh botën e mediave në disa këndvështrime. Kam qenë gazetar dhe kam drejtuar Këshillin e Lartë Audio-Vizual, i cili shpërndan frekuencat për radiot dhe televizionet dhe  mbikqyr përmbajtjen e emisioneve. Ne jetojmë në vende ku shtypi është i lirë, prandaj duhet të kujdesemi që kjo liri të jetë reale, efektive dhe e garantuar. Liria e shtypit shoqërohet me përgjegjësi nga ana e vetë gazetarëve. Unë mendoj se i përket vetë këtij mjedisi profesional, vetë gazetarëve të përcaktojnë rregullat, deontologjinë, etikën e tyre, natyrisht që nuk duhet të jetë një pushtet tjetër që të kufizojë lirinë e gazetarëve. Duhet që gazetarët të organizojnë vetë disiplinën e profesionit të tyre, rregullat që duhen ndjekur në mënyrë që ky profesion të ruajë kredibilitetin tek qytetarët,  të jetë një profesion i nderuar.  Është e vërtetë se nëse gazetaria devijon nga synimi i saj, mund të transferohet në një mjet presioni, apo shantazhi". - A.N.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.