Një prezantim tejet jo-profesional i sondazhit të Fondacionit Sorros

Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” (njohur ndryshe si “Fondacioni Sorros”) prezantoi sot të dhënat paraprake të një sondazhi për gjendjen sociale të shqiptarëve, krahasuar me vendet e tjera të Europës. Prezantimi ishte tejet jo-profesional, sepse nuk u dha nga prezantuesit asnjë e dhënë për marzhin e gabimit statistikor të sodazhit. Dhe kjo është a-ja e çdo sondazhi! Kur u pyetën për marzhin e gabimit, organizuesit deklaruan se nuk e kanë llogaritur ende.
Në fakt, llogaritja e marzhit bëhet me një formulë të thjeshtë statistikore që bazohet në numrin e të intervistuarve, shkallëzimin e kampinomit dhe numrin e popullsisë nga përzgjidhet kampioni. Nga llogaritje të përafërta të bazuara në dhënat që raportuan sot organizatorët e sondazhit, rezulton se, për shumicën e përgjigjeve në rang kombëtar, marzhi i gabimit të sondazhit ka qenë mbi plus/minus 5 pikë përqindje. Ndërsa në rang qarku, marzhi i gabimit ka qenë deri në plus/minus 35 pikë përqindje.
Një e metë e madhe e prezantimit të sotëm të sondazhit ishte paraqitja e rezultateve për qarqe të veçanta, ndërkohë që kampionimi ishte bërë në rang kombëtar. Kështu, p.sh., në qarkun e Kukësit (që përmbledh rrethet Tropojë, Has dhe Kukës) ishin intervistuar vetëm 34 persona. Dhe të prezantosh rezultate të bazuara në përgjigjet e 34 personave (ndër rreth 60 mijë banorë në moshë madhore) është njësoj si të raportosh një rezultat që ta jep një fëmijë 3-vjeçar. Qarku që kishte më shumë të intervistuar ishte Tirana (334 nga rreth 600 mijë banorë në moshë madhore), dhe përsëri mbetet me një kampion shumë, shumë të vogël. Në rastin e Tiranës, një fëmijë 6-vjeçar mund të jepte një përgjigje më të saktë se sa sondazhi i sipërcituar…
E.Zaloshnja
Add new comment