Intervista/ Dorian Koçi: Të gjitha pavijonet e Muzeut Historik do të rishikohen e përshtaten në bazë të dokumenteve shkencorë

Postuar në 10 Tetor, 2014 02:34

Teksa përgatitesha të realizoja një intervistë me Dorian Koçin, studiues historie e nëndrejtor i Muzeut Historik Kombëtar, në mend më erdhi një bisedë e para do kohëve që kisha bërë me Petraq Kolevicën, arkitekt e inxhinier ndërtimi. Ai më pat thënë se në fund të vitit 1976 u lajmërua që i duhej të punonte për projektimin e këtij Muzeu. Këtu është dhe pika e nisjes. Më pas Kolevica më pat rrëfyer se fillimisht Muzeu ishte konceptuar të ndahej në tri pjesë ku të trajtoheshin: Periudha para luftës, Lufta Nacional Çlirimtare, Ndërtimi i Socializmit. Mirëpo një ditë erdhi orientimi i ri, sipas të cilit Enver Hoxha paskësh thënë që Muzeu të konceptohej jo i ndarë, por si një i tërë, pasi sipas tij: “Edhe revolucioni i popullit shqiptar është një i tërë, jo pjesë-pjesë”. Dhe këtu hamendësimet e specialistëve merrnin fund, se vulën e kishte vënë “i madhi”. Në vazhdim të rrëfimit të tij, Kolevica më tregoi se për këtë arsye, te grupi i specialistëve u dërgua dhe një platformë ideore e shkruar se si duhej të trajtohej ky objekt. Më tej Kolevica u shpreh: “Për periudhën e lashtësisë ilire, luftërave të hershme, luftërave të Skënderbeut, pushtimit osman e për periudhën e Rilindjes, problemet politiko-ideologjike ishin të pakta e të kristalizuara. Për periudhën 1912-1939 historianët injoruan monarkinë dhe Zogun. Ndërsa për themelimin e Partisë ishte caktuar salla e madhe qendrore”. Në 8 nëntor 1981, me rastin e 40 vjetorit të krijimit të PKSH-së, Muzeu u inaugurua me bujë...

 

...E gjithë kjo kujtesë ishte sa për hyrje të intervistës me historianin Dorian Koçi, sepse Muzeu Historik është me banim në po të njëjtën godinë, ku të bie në sy mozaiku në ballinën e tij dhe dekori rreth e qark, i konceptuar nga konstruktorët si gjerdan me fishekë. Deri këtu nuk ka dyshim se kujtdo që i bie rruga nga “15-katëshi” e ka fiksuar vendndodhjen e këtij objekti gjigant, i cili ende pa filluar ndërtimin jo vetëm “hëngri” ish-Komitetin Ekzekutiv, por sakrifikoi dhe disa ndërtesa elegante të ngritura sipas modelit italian. Dhe ta lemë pamjen e jashtëm të cilën pjesa dërmuese e vizitorëve potencialë e përdorin thjesht për të bërë fotografi me celular, e për të treguar se kanë bërë xhiro nëpër Tirane. Probleme kanë pasur pavijonet, një pjesë e të cilave janë trajtuar disa herë sipas orekseve një njërit apo tjetrit krah politik. Dhe me sa duket ende nuk kanë gjetur qetësi.  

 

ResPublica: - Një nga pavijonet e Muzeut Historik është dhe ai i Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare. Në kushtet aktuale a e përmbledh ai objektivisht këtë luftë, kur disa herë i është nënshtruar rikonceptimit?

Dorian Koçi: - Pavijoni i Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare është një nga pavijonet që është rikonceptuar dhe rindërtuar para 10 vjetësh, në kuadër të 60 vjetorit të çlirimit të atdheut. Si i tillë, ai është konceptuar dhe ndërtuar nga një grup i gjerë historianësh si Prof. Xhelal Gjeçovi, Prof. Muharrem Dëzhgiu, Prof. Kaliopi Naska, Prof. Ana Lalaj, Prof. Shaban Sinani dhe miratuar nga Këshilli Shkencor i atëhershëm i Muzeut Historik Kombëtar me kryetar, drejtorin Dr. Moikom Zeqo. Duke qenë se është një nga periudhat tona historike, që për fat të keq politika e ka shfrytëzuar për t’u ndarë në llogore, është e kuptueshme që do të ketë kundërshti dhe reagime, por në përgjithësi ai është gjithëpërfshirës dhe trajton me saktësi ngjarjet historike të kësaj periudhe. Në të gjenden fakte, dokumente historike dhe objekte të figurave historike të kohës, që nxjerrin në pah pjesëmarrjen në luftën antifashiste të popullit shqiptar përkrah aleancës së madhe antifashiste të popujve të kryesuar nga Britania e Madhe, SHBA dhe Bashkimi Sovjetik. Sigurisht, në kuadër të deklasifikimeve të dokumenteve historikë sidomos në Britaninë e Madhe dhe në SHBA besoj se do të ketë vend për rishikim për të trajtuar nën dritën e këtyre dokumenteve ngjarjet historike. Kjo do të jetë dhe një nga detyrat e Këshillit të ri Shkencor të Muzeut Historik si dhe punës kërkimore shkencore të stafit në bashkëpunim të ngushtë me Institutin e Historisë dhe katedrat universitare të historisë.

ResPublica: - Në 70 vjetorin e çlirimit të Atdheut, a do të këtë fakte të reja shtesë që do t’i bashkëngjiten këtij pavijoni?

Dorian Koçi: - Për momentin nuk do të ndodhë një gjë e tillë pasi hulumtimi dhe verifikimi i ngjarjeve historike është një punë që kërkon kohë, por publiku dhe opinioni shqiptar duhet të jetë i sigurt që çdo trajtim apo rishikim që do të bëhet në pavijon do të respektohet në mënyrë rigoroze disiplina e muzeologjisë si shkencë më vete dhe paanshmëria si një nga kriteret bazë të shkrimit dhe ekspozimit të historisë.

 

ResPublica: - Kam parasysh që qeveria ka ngritur një grup pune me 7 historianë për të rishkruar historinë. Si do të bashkëpunohet që kjo histori e re të pasqyrohet dhe në Muze.

Dorian Koçi: - Në fakt nuk bëhet fjalë për rishkrimin e historisë së Shqipërisë, por për një grup autorësh që do të shkruajnë tekstet e historisë për shkollat shqiptare. Të shtatë emrat e profesorëve janë emra të nderuar në historiografinë shqiptare kështu që patjetër Muzeu Historik Kombëtar mirëpret të gjitha kontributet e mundshme për të pasur një histori të pasqyruar dhe ekspozuar në pavijonet e tij, sa më afër së vërtetës. Me një interes të madh për publikun shqiptar do të jetë edhe pasqyrimi i një historie sociale të zhvillimit historik të Shqipërisë, duke i parë ngjarjet jo vetëm si etapa historike por dhe ndryshimet sociale që ato sollën, pasi ky është një trend që e gjen të pasqyruar në pothuajse gjithë muzeumet e botës.

 

ResPublica: - Mozaiku i ballinës është bërë objekt i një debati të gjerë. A do ndërhyhet në të, apo kjo është një çështje e mbyllur tanimë?

Dorian Koçi: - Muzeu Historik Kombëtar së bashku me mozaikun e tij është monument kulture i kategorisë së dytë dhe si i tillë, ai pasqyron një epokë dhe stad të zhvillimit urbanistik, ideologjik dhe kulturor të Tiranës. Si i tillë, besoj se mozaiku që është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan, do t’i nënshtrohet në të ardhmen ndërhyrjeve restauruese për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme, pasi në disa vende ai është i dëmtuar. Por nuk besoj se do të bëhet objekt i ndryshimeve konceptuale. Ruajtja e Trashëgimisë Kulturore të objekteve në formën e tyre origjinale është një praktikë e njohur në gjithë botën dhe Shqipëria nuk ka pse bën përjashtim në këtë drejtim.

ResPublica: - Cilat janë pavijonet që kanë problem në konceptim dhe duhet të rishikohen?

Dorian Koçi: - Besoj se me miratimin e Këshillit të ri Shkencor dhe në bashkëpunim me gjithë botën kërkimore-shkencore dhe akademike, të gjitha pavijonet do të rishikohen për t’i përshtatur sa më mirë vizitueshmërisë, ekspozimit dhe paraqitjes së fakteve kryesisht me më tepër objekte qoftë edhe të improvizuara se sa vetëm me dokumentacion dhe foto. Kështu p.sh mesjeta shqiptare paraosmane kërkon një pasqyrim më të mirë bazuar dhe në veprën e Shuflajt, apo këndi muzeor i Pashallëqëve shqiptare pas publikimit të arkivit të Ali Pasha Tepelenës. Historia duhet të vijë sa më afër të gjitha moshave dhe të mos jetë një gjë abstrakte dhe e thatë që i përket vetëm së kaluarës, por nëpërmjet saj shqiptarët do të zbulojnë qasjet e tyre identitare ndaj ngjarjeve dhe fakteve që kanë shënjuar kohën.

ResPublica: - Sa i frekuentuar është Muzeu Historik nga turistët vendas apo të huaj qofshin ata?

Dorian Koçi: - Muzeu Historik Kombëtar ka një rritje të frekuentushmërisë kohët e fundit jo vetëm për shkak të rritjes së numrit të turistëve në Shqipëri por edhe pse departamenti më ri i tij, departamenti i edukimit në bashkëpunim me gjithë departamentet e tjerë ka hartuar një strategji për të sjellë pranë Muzeut Historik të gjitha grupmoshat. Një nga objektivat tona është që Muzeu Historik të kthehet në një ambient ku historia jo vetëm ekspozohet, por edhe mësohet dhe interpretohet. Prej më se një viti, ne kemi organizuar aktivitete të ndryshme në përkujtim të figurave dhe ngjarjeve historike që kanë sjellë pranë muzeut përfaqësues të familjeve të figurave historike, që janë ndjerë të nderuar që një institucion kombëtar përkujton sakrificat dhe kontributet e të parëve të tyre, studentë që kanë zhvilluar orët e mësimit dhe praktikat, nxënës shkollash që kanë organizuar në ambientet tona veprimtari të ndryshme me tematikë historike etj. “Historia është nëna e dijeve” thotë Herodoti dhe ne jemi munduar që këtë përcaktim të “babait të historisë” ta përçojmë në komunitet për të realizuar dhe ndjerë më mirë qasjet ndaj së shkuarës dhe trashëgimisë sonë së pasur kulturore.

 

Leonard Veizi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.