Mukja ndan akoma

“Ti je biri i babait, por edhe unë jam biri i babait tim”. Ky ka qenë një moment pikant i diskutimit mes Pëllumb Xhufit dhe Uran Butkës, zhvilluar në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës. Tema ka qenë për Konferencën e Mukjes, e cila nisi për të bashkuar, por përfundoi me ndarje, madje edhe mes historianëve të sotshëm. Qendra e debatit ka qenë natyrisht pyetja se përse u prish Mukja dhe kush ndikoi në likujdimin e saj? Uran Butka dhe Nevila Nika kanë shprehur mendimin se ishin jugosllavët ata që diktuan prishjen e bashkimit, për shkak të aspiratës së saj për një Shqipëri etnike. Madje Butka ka lexuar edhe një dokument, që referonte një letër të Miladin Popoviçit për shtabin e Titos, në të cilën ai deklaronte se kishin ndikuar te komunistët shqiptarë që Mukja të prishej. Kësaj teze, Xhufi i ka kundërvënë dy mendime: së pari, se Mukjen nuk e përkrahnin as anglezët, për shkak se ata kishin vendosur që Shqipërinë e Jugut ta lidhnin me Greqinë. Dhe së dyti, se largimi i Miladin Popoviçit nga Shqipëria në prag të mbledhjes së Beratit kishte të bënte sipas Xhufit, me solidarizmin e tij me çështjen nacionale shqiptare. Një mendim të rëndësishëm ka dhënë për këtë çështje historiani Hamit Kaba, i cili duke cituar raporte të misionarëve perëndimorë, theksoi se teza e Mukjes për një Shqipëri Etnike, binte ndesh me parimet e Kartës së Atlantikut, që sugjeronte vetëvendosje dhe nuk njihte rregullimin politik të imponuar nga fuqitë e Aksit. Dhe Shqipëria nën Italinë Fashiste përmbushte veten si hapësirë etnike, çka do të thoshte se njohja e këtij rregullimi do të vinde ndesh edhe me luftën e koalicionit të Madh antifashist. Xhufi solli një paralele mes Mukjes dhe Marrëveshjes së Varkizës në Greqi, në janar 1944, që përmes britanikëve vendoste pikërisht këtë bashkëpunim, por në kontekstin e një kontributi krejt të pabarabartë, pasi deri atëherë peshën kryesore e kishte mbajtur EAM-i. Kjo solli më tej edhe luftën civile në Greqi. Për sa i përket tezës nacionaliste ka edhe dy elementë që u diskutuan dhe që ripërsërisin divergjencën kryesore sot mes historianëve; së pari është fakti, se pavarësisht prishjes së Mukjes, komunistët firmosën Marrëveshjen e Bujanit, në dhjetor të 1945-ës, e cila njihte formalisht të drejtën e vetëvendosjes së Kosovës. Së dyti është çështja thelbësore e angazhimit britanik në këtë rajon e që ishte mobilizimi i popullsisë në luftë. Për Kabën, pushtimi gjerman u shoqërua nga një lojë politike shumë e zgjuar, që u njihte shqiptarëve kërkesat themelore, madje duke tentuar edhe një marrëveshje me komunistët dhe Frontin. Në praktikë, sipas tij, kjo politikë e neutralizoi Ballin, i cili edhe sipas gjeneralit Davis, i kapur rob nga Azis Biçakçiu i Ballit, nuk kishte ndërmend të luftonte. Pra angazhimi në luftë ishte politika e vërtetë në sytë e të mëdhenjve dhe në këtë pikë, establishmenti nacionalist ndëshkoi veten, por njëfarësoj edhe Shqipërinë. Në fund, por jo për nga rëndësia, është edhe diskutimi për ndarjen Lindje-Perëndim që manifeston përballja mes komunistëve dhe Ballit në Shqipëri. Për Butkën, elita e Ballit ishte për Perëndimin dhe kërkonte demokracinë. Mirëpo kësaj pikëpamjeje Xhufi i ka dalë para me një pyetje që lidhet me politikat emancipuese të të dyja blloqeve: “Sa vajza, ose gra kishte që luftonin në radhët e Ballit”. Një pyetje që mori një përgjigje të zbehtë nga Nevila Nika, sipas së cilës “për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në luftë ka pak studime”.
s.z
Comments
Ungjilli 5:19 Jezusi u
<p>Ungjilli 5:19 Jezusi u pergjigj dhe u tha atyre: Ne te vertete une ju them se Biri nuk mund te beje asgje pervec asaj qe ai ka pare nga babai i tij. Cfar Babai ben ben dhe i Biri.</p>
Add new comment