Shënim: Ndoshta ka ardhur koha që për “Ndryshimet Reale” të zhvillohet debat i drejtpërdrejtë

Postuar në 20 Janar, 2015 09:09

Kryeministri i këtij vendi postoi sot në profilin e tij në “Facebook” një video që e titullon: “QSUT” Clip 1” – Ndryshime Reale”. Jepen pamje nga Qendra Spitalore Universitare e Tiranës, përmes së cilës propagandohet "Ndryshimi Real". Nuk mungojnë zërat që e shohin këtë si reagim të kryeministrit ndaj komeneteve që u bënë pasi ai operoi nënën e vet në një spital privat. Ndaj video duket sikur përcjell mesazhin: Mos u merrni se çfarë bëj unë, por shikoni kushtet e reja që ju kemi krijuar të gjithë qytetarëve. Kjo është disi politike si vërejtje. Më të drejtpërdrejta dhe më konkrete janë vërejtjet që vetë ndjekësit e kryeministrit bëjnë në profilin e tij në “Facebook”. Ato variojnë nga sugjerimet “hiqe këtë video se le kokrrën e namit” e deri te konstatim-urimi universalisht i njohur: “Në QSUT mos të çoftë Zoti!”. Vihet re pra një mungesë besimi ndaj pretendimeve të kreut të qeverisë për ndërhyrjet që janë bërë në sistemin shëndetësor. Mungesë besimi që nuk ka pse të shihet doemos si arbitrare, subjektive, e stisur, apo e paqenë, sa kohë që çdokush do të ishte i lumtur që ndryshimi të ndodhë vërtet në këtë sistem. Kjo çështje, si edhe çështje të tjera, sidomos çështja shumë e rëndësishme e zgjedhjeve, shtron problemin e marrëdhënies publike që politika ka vendosur me qytetarët. Një status në “Facebook” apo në “Twitter”, një konferencë me pyetje përgjigje sërish në rrjetet sociale, fjalime dhe propagandë në fushatë zgjedhore dhe ja, shkojmë në kutitë e votimit thjesht dhe vetëm me një luftë për imazh. Është me vend të themi se mungon debati dhe “konfrontimi” publik me pyetje të vështira. Ka kaluar më shumë sesa një vit nga marrja e pushtetit dhe ndoshta është koha që kryeministri i vendit të përballet në një debat televiziv, njësoj si ta zëmë bëri para disa kohësh ministri i Brendshëm, apo Presidenti. Jo intervista, por debate. Jemi në kushtet absurde kur media publikon statuse të politikanëve në rrjetet sociale dhe komenton mbi to, teksa këta të fundit, nuk përtojnë që të komentojnë debatet që zhvillohen në mediat televizive mes gazetarëve a opinionistëve, për çështje të politikës dhe qeverisjes. P.sh po afrojnë zgjedhjet lokale dhe mund të hamendësojmë pa gabuar se emrat e kandidatëve do t’i marrim vesh zyrtarisht në ditët e fundit, do të lakohen shumë të tjerë javë para zgjedhjeve, për të krijuar atë pështjellimin e zakonshëm që i çon votuesit para kutisë së votimit vetëm të manipuluar, apo në padije të plotë. Dhe këtu as që bëhet fjalë që bashkë me kandidatët të zbardhen edhe stafet, që të mund të kemi të drejtën mandej të kërkojmë llogari. Koha po dëshmon se sado që rrjetet sociale shihen si hapësira kontakti të drejtpërdrejtë me qytetarët, ato nuk mund të zëvendësojnë diskutimin në nivel politik, me mediat apo edhe mes ekspertësh. As edhe të mbulojnë përvjedhjen e politikës nga skena e pashmangshme e debatit, që është korrigjues i perceptimit.
s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.