Shënim: Kriza, Portugalia dhe Troika

Postuar në 08 Mars, 2013 13:37

“Grândola, qyteti i Morëve/ Tokë vllazërie/ është populli që komandon […]/ Në çdo kënd një shok/ mbi çdo fytyrë shikojmë barazinë.” Mesnatën e 25 prillit të vitit 1974, “Radio Renascenca”, transmetoi në Lisbonë këngën “Grândola vila morena”, duke dhënë sinjalin për fillimin e  grushtit të shtetit të ushtrisë portugeze kundër diktaturës fashiste të famëkeqit Antonio Salazar dhe pasardhësit Marcelo Caetano. I ashtuquajturi “Revolucioni i Karafilave”, risolli demokracinë pas 50 vitesh shtypje, torture dhe frike.

Pasditen e së shtunës së kaluar, rreth një milionë qytetarë, kënduan njëzëri përsëri këngën simbol të betejës për liri. Kësaj here nuk kishte më ndonjë diktator për tu rrëzuar, por zemërata e popullit ishte drejtuar kundër Troikës (Bashkimi Europian, Banka Qëndrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar) kredidhënëse që mban akoma me frymë buxhetin e një shteti pothuajse të falimentuar. Një turmë e përbërë mbi të gjitha nga të moshuar, gëlonte poshtërim, frustrim dhe indinjatë.

Simboli i krizës europiane është padyshim Greqia, qielli i zymtë i Athinës dhe revolta popullore e kanalizuar në partinë neonaziste “Agimi i Artë”. Por kolapsi i borxheve sovrane ka prekur edhe shtete të tjera të eurozonës. Portugalia, në prill të 2011-ës, trokiti në dyert e shpëtimtarëve me kapele në dorë. Vetëm një muaj më vonë, Troika vendosi të jepte 78 miliardë borxh, me 4% interes, dhe me këste të vazhdueshme por të kushtëzuara nga shkurtime të thella dhe të dhimbshme. Politika e shtrëngimit të rripit shkaktoi në vetëm dy vjet (2011-2012) humbjen e 626 mijë vënde pune, duke çuar nivelin e papunësisë në 16,9% në përgjithësi dhe 36% tek të rinjtë në veçanti. Në tre vjet (2011-2013), prodhimi i brendshëm bruto ra në masën e 3%-shit, dhe borxhi publik nga 107% të GdP-së u rrit në 118%. Më shumë se 500 mijë portugezë janë pa punë dhe pa asistencë duke patur emigrimin si të vetmen shpresë për mbijetesë.

Në këto kushte formohet doemos protesta që në rrugët e Lisbonës nuk është e organizuar nga struktura sindakale dhe politike, dhe prandaj është akoma më e rrezikshme. Kënga revolucionare që ngrihej nga turma duhet të jetë një këmbanë alarmi për Troikën por mbi të gjitha për klasën drejtuese portugeze: nëse qytetarëve ju hiqet gjithçka, më pas nuk kanë më asgjë për të humbur. E.Xhanari

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.