Rritja e nivelit të borxhit publik përmes fjalëve 'kyçe': cënim sovraniteti, papërgjegjshmëri, shkombëtarizim, skenari i Greqisë... apo tepër modest?

Postuar në 09 Dhjetor, 2012 10:11

Sa e si do ndikojë rritja e nivelit të borxhit publik? Diçka mund të kuptohet përmes deklaratave të politikanëve e specialistëve të ekonomisë:

Kryetari i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu komentoi nga Elbasani edhe vendimin e qeverisë për heqjen e limitit të borxhit, duke theksuar se juridikisht ky venim përbën një cenim të sovranitetit të vendit. (cituar nga SHekulli)

Ben Blushi: “Në 23 qershor janë zgjedhjet, nuk ka qeveri që në 6 muajt e fundit merr borxh. Në 6 muajt e fundit qeveritë mbajnë rendin dhe paguajnë rrogat. S’ka rrugë tjetër për ju, ikni me nder... Ju e keni shkombëtarizuar ekonominë shqiptare, shtoi deputeti socialist, pasi gjithçka po i shitet miqve të qeverisë” (cituar nga Panorama)

Ministri i Financave Ridvan Bode: “Ka qenë i lartë për vendin edhe kur ju u larguat, ndërkohë që borxhi i rajonit ishte 44%, ju e latë me shumë se 50%. Ne e kemi rritur me 3.7%, në periudhën e krizës, po e krahasoj me veten tonë jo me kohën tuaj, ndërkohë që rajoni 11%. Pra për ta mbajtur atraktiv për investime kemi bërë borxh publik tepër modest.” (cituar nga Panorama)

Adrian Civici ...rritja e borxhit publik në 62.6% të PBB, , nënkupton edhe disa rreziqe apo situata të vështira që mund të shkaktohen: së pari, vërtet që tejkalimi prej +2.6% në raport me limitin 60%/PBB nuk duket i madh, por duhet të kemi parasysh se llogaritjet janë bërë mbi bazën e parashikimit për një rritjeje ekonomike prej 4 -4.1% për 2013, shifër kjo e cilësuar si “shumë optimiste”, pse jo dhe disi larg realitetit. Nëse Shqipëria merr borxh por nuk realizon këtë rritje ekonomike, atëherë niveli i borxhit mund të rezultojë mbi 65% dhe kosto e shërbimit të tij shumë e lartë. (cituar nga MAPO)

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, deklaroi se buxheti i vitit 2013 do të japë një ndikim tepër të keq te qytetarët shqiptarë. Sipas ish-ministrit të Financave, shqiptarët do të trashëgojnë dhe do të duhet të paguajnë nivelin më të lartë të borxhit publik i cili në vitin 2005 ishte 497 miliardë lekë,  ndërsa tani është rritur gati 200%. (cituar nga SHQIP)

Deputeti Pandeli Majko: “Doktori e di ku po e çon Shqipërinë, porse opozita duhet ta ndalojë këtë. Po përpiqet të sjellë në Shqipëri skenarin e Greqisë, ku qeveritë i pasonin njëra-tjetrës borxhe, duke e zhytur vendin në krizë të thellë. Ky projektbuxhet po e çon vendin drejt greminës. Unë nuk e votoj këtë buxhet, më mirë më pak të varfër se të ngremë dolli me djersën e atyre që nuk kanë lindur akoma...” (cituar nga SHQIP)

Kosta Barjaba: “Qeveria po sillet me borxhin në mënyrën më të papërgjegjshme të mundshme. Pasi u orvat të manovrojë me fshehjen e treguesve realë të borxhit, por nuk ia doli, tashmë po bën një manovër tjetër, më të rëndë: po e legjitimon rritjen e borxhit, duke krijuar për të një mbështetje ligjore. Nëse fshehja e borxhit ishte një veprim i dënueshëm moralisht dhe politikisht, ligjërimi i rritjes galopante të borxhit, është një veprim akoma më i rëndë... Borxhi i lartë pa kufi i ngjan një shtrese rëre lëvizëse, e cila vetëm e tërheq ekonominë dhe vendin poshtë e më poshtë.  Shërbimi i borxhit ka thithur financime publike që mund të ishin përdorur për programe dhe investime të tjera publike. Vetëm me pagesën vjetore të shërbimit të borxhit, rreth 600 milionë USD, i cili merret për interesa elektorale dhe do të shtoja edhe klienteliste, të qeverisë, mund të hapeshin nga 30 deri në 40 mijë vende pune në vit... (cituar nga Gazeta Dita) 

 

Comments

Submitted by Albi (not verified) on

<p>Asnje fjale mbi rolin ose jo kunderciklik te politikes fiskale?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.