Preç Zogaj: Garat sportive që na nxjerrin “të palarat” dhe politika që s’pranon garë

Postuar në 06 Gusht, 2012 03:55

“Sporti është e vetmja fushë ku jemi të detyruar të nxjerrim kokën nga rëra, të dalim nga katundi dhe të garojmë me vendet e tjera të kontinentit apo botës. Këtu vetëm humbim. Më keq. Shpartallohemi. Turpërohemi. Rregullisht. Çdo verë. Sidomos në futboll ku skuadrat tona të elitës duhet të ndeshen në paraeliminatorët e kupave të Europës me skuadra përgjithësisht të panjohura,  duke u mundur prej tyre me rrezultate tenistike, duke i habitur e fyer kundërshtarët modestë me dobësinë tonë”.

Sa më sipër është një fragment nga paragrafi i parë i një shkrimi shumë interesant të Preç Zogajt në numrin e djeshëm të shqiptares.com (do t’jua sugjeronim ta lexonit të plotë në linkun: http://www.shqiptarja.com/analiza/2709/me-ke-matemi-ne-109738.html), në të cilin ai e fillon me sportin, por më pas futet më thellë në kulturën e munguar të garës në Shqipëri, me dhunimin e rregullave të lojës, etj. “Sporti është vetëm vitrina. Sporti është vetëm viktima. Sporti është i detyruar të dalë nga strofkulla dhe të ndeshet. Është i vetmi që duhet të matet me rregulla loje të qarta dhe me arbitër të paanshëm. Aty të thyhet në mes duke nxjerrë në pah dobësitë e një vendi që nuk jeton më në një izolim politik dhe ideologjik të imponuar si në kohën e Enver Hoxhës, por në një vetizolim provincial të neveritshëm, që kultivohet nga politikanët e stampës së vjetër për nevoja të pushtetit të tyre vetjak. Po të kishte edhe në politikë një kompeticion të dretpërdrejtë si në sport, kam përshtypjen se humbjet në sport do të na dukeshin lule na krahasim me humbjet në politikë”, shkruan Zogaj.

Dhe ndalet një copë herë tek politika: “Politika shqiptare matet me vetveten dhe vetëm fiton, vetëm fiton, vetëm fiton, nga fitorja në fitorje. Natyrisht, pa trasparencë, pa juri, pa kontroll, pa verefikim, vetë Ali e vetë Kadi. Shembulli emblematik i kësaj autogare propagandistike është rekordi qesharak vjetor që vendos me veten e tij kryeministri Berisha kur lahet pas një viti në detin Jon. Njoh shumë moshatarë të tij që notojnë rregullisht në det të hapur rreth njëqind herë në vit, nga maji në shtator, një gjë më se normale. Ata mund të qëndrojnë në ujë dy orë dhe më shumë, por kjo s’ka kuptim për nevojat e trupit. Kurse kryeministri ka shpikur “një larje, një rekord në vit”, duke mos u kujtuar se në këtë lloj rekordi ka projektuar në mënyrë perfekte raportin e shprishur të sistemit të tij me garën si vlerë, duke ia këputur kokën si zogut, si i thonë fjalës. Në këtë sistem gjërat jepen ose nuk jepen, nuk fitohen. Prandaj kur ndeshemi me të huajt në sport është njëlloj si të dalim nga sistemi ku jetojmë.”

Sic!

 

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.