A po vjen fundi i pushtetit të Vladimir Putin? “Foreign Affairs” i “thotë Mirupafshim” presidentit rus

Revista “Foreign Affairs” publikonte në datën 5 shkurt një shkrim të Alexander J. Motyl, sipas të cilit ditët e Vladimir Putinit, presidentit të Rusisë, janë të numëruara. Motyl bën një analizë të përgjithshme të situatës së brendshme dhe asaj të jashtme të Rusisë dhe del në konluzionin se sistemi i ndërtuar nga Putin, me një oborr njerëzish që i binden dhe besojnë vetëm tek ai, të njohurit Siloviki, me ringjalljen e doktrinave të Sllavofilisë, Ortodoksisë, organizuar si elementë antiperëndimorë, nuk ofrojnë ndonjë perspektivë. Sipas këtij autori, ato cilësi dhe rrethana që 15 vjet më parë shërbyen për ngritjen e kultit dhe zgjerimin e pushtetit të Putin, nuk ekzistojnë më, madje janë disfavorizuese. “Pas Lojërave të Soçit ai prishi gjithçka. Aneksimi i Krimesë rezultoi një katastrofë ekonomike...Imazhi i djalit të fortë ishte thelbësor për Putinin, që shpalli se do të rivendoste lavdinë e Rusisë Imperiale. Tani, 62 vjeçari Putin duket i lodhur...”, shkruan Motyl. Por tej këtij problemi imazhi, që kompensohet nga 85% mbështetje të opinionit brenda në Rusi, problemet e vërteta janë ato si të Ukrainës. Dhe këtu mund të mbahet shënim ajo që thotë autori i shkrimit: “Ai nuk ka asnjë mundësi që të mposhtë Ukrainën pa provokuar një konflikt botëror. Ai nuk ka sesi të gërryejë ekonominë ukrainase pa shkatërruar njëkohësisht ekonominë ruse”, nënvizon Motyl, që në emër të kësaj analize “improvizon” skenarë sesi Vladimir Putin do të hiqet nga pushteti. Një variant është Revolucioni Portokalli, “që nuk ka pse të shtrihet në të gjithë vendin që të jetë i suksesshëm”; varianti tjetër është grushti i shtetit: “Siloviki, njësoj si garda Pretoriane mbështet Putinin, por me të ndjerë se kërcënohet siguria dhe mirëqenia e vet, do të spostojë atë”, shkruan Motyl, që kujton rastin e Hrushovit dhe të Yeltsinit. Skenari i tretë është largimi si pasojë e destabilizimit të periferisë ruse, Kaukazi, republika Bashkire, apo edhe tatarët e Vollgës dhe të Krimesë. Gjithçka hipotezë dhe parashikim, por që dëshmon se Perëndimi nuk ka më dëshirë të ketë si partner në Kremlin Vladimir Putinin. Kjo dëshmohet kur Motyl e quan të “pranueshëm” edhe një pasues të linjës së ashpër, pasi sipas tij, puna e parë që do të bëjë, do të jetë “rregullimi i trazirave që ka krijuar parardhësi”.
http://www.foreignaffairs.com/articles/142840/alexander-j-mo...
s.zaimi
Add new comment