Perceptimi për shqipen e ambasadorit amerikan - Shkullaku: “E ka nisur shqiptarçe”. Minxhozi: “Problem a do të na kuptojë mentalitetin”. Lela: “Vjen me amerikanizëm”

Ambasadori i ri amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka ditur të tërheqë vëmendjen e mediave që ditën e parë të mbërritjes në Shqipëri. Përtej faktit se roli faktik i ambasadorit të SHBA-së në Tiranë është gati vendimmarrës, Lu ka hyrë në qendër të skenës edhe për faktin se ka folur shqip, ose ka dëshmuar për të gjithë se kemi një ambasador që ka mundësi të komunikojë “pa ndërmjetësim” me shqiptarët. Një zgjedhje thjesht personale, por që përftohet si mesazh me natyrë politike. “ResPublica” ka kërkuar komentin e tre prej komentatorëve dhe drejtuesve të shtypit për të zbadhur disa perceptime mbi këtë “lajm që vjen me ambasadorin e ri amerikan”.
Armand Shkullaku, “ABC News”:
Donald Lu e ka nisur shqiptarçe
“Në radhë të parë është dëshira e ambasadorit për të befasuar për mirë qytetarët shqiptarë. Periudha e pritjes për të marrë përfundimisht emërimin e tij në Tiranë i ka shërbyer që të perfeksoionojë gjuhën shqipe. Ajo që mund të thuhet është që ambasadori i ri duhet të bëjë kujdes, të mos dashurohet më shumë se ç'duhet me Shqipërinë dhe shqiptarët, por të ruajë distancën e nevojshme për të qenë objektiv në analizimin e ngjarjeve që ndodhin këtu. Ashtu si gjuhën shqipe që e ka mësuar para se të vijë në Tiranë, duket se ambasadori ka mësuar edhe disa zakone që janë bërë edhe nga paraardhës të tij me qëllimin për t’u parë më shumë si një personazh publik sesa si një diplomat. E folura në gjuhën shqipe nuk do të thotë gjë, përkundrazi mund të jetë diçka e mirë, por fotot në backstage gjatë kohës që ai jepe mesazhin dhe dy tre element të tjerë si dreka në një restorant të Tiranës, duket sikur ambasadori e ka nisur shqiptarçe misionin e tij në Shqipëri”
Skënder Minxhozi, “Revista Java”:
Problem është të kuptojë mentalitetin e shqiptarëve
“Ajo që mund të them është se Donald Lu nuk gjen nëpër këmbë 21 Janarin, siç e gjeti Arvizu dhe kjo e bën më të relaksuar fillimin e mandatit të tij. Supozohet që të ketë pasur gjithë kohën e nevojshme për të mësuar shqip, për shkak se procedurat e aprovimit në senat bënë që ai të vijë më vonë nga sa ishte parashikuar. Është gjë e mirë që kupton gjuhën, problem është të kuptojë mentalitetin e shqiptarëve. Ky do të jetë provimi i dytë më i madh i ambasadorit. Do t’i uroja që kur të ikë të mos jetë në armiqësi me Berishën siç e bënë gjithë të tjerët”
Alfred Lela, “Gazeta Mapo:
Lu vjen me amerikanizëm
“Shqipja e Donald Lu-së është një lajm i mirë. Jo vetëm si sentimentalizëm, në kuptimin që çdokujt do t’i përkëdhelej sedra kur dikush i flet gjuhën, por edhe në rrafshin politk. Shqiptarëve u volit kur asgjë nuk ‘humbet në përkthim’. Gjuha është mjeti më i parë dhe më i mirë i kuptimit. Z. Lu mund të kuvendojë direkt me bashkëbiseduesit vendas, por edhe t’i kapë po drejtpërdrejt kuptimet apo nënkuptimet e saj që thuhen e ndodhin në sferën publike. Do të ketë më pak punë me sa duket për Brunën, përkthyesen simpatike të ambasadës amerikane, por më pak mundim edhe për gazetarët. Nuk mbaj mend ndonjë ambasador tjetër amerikan që fliste shqipen, kësisoj z. Lu vendos një precedent pozitiv. Shqipja e tij do ta ndihmojë gjithashtu të jetë më aktiv, dhe unë jam një ndër ata që mendojnë se aktivizimi i ambasadorëve amerikanë është një gjë shumë e mirë, dhe jo e kundërta. Amerikanët janë miqtë më të mirë të Shqipërisë, por edhe në terma të demokratikes ata kanë një kanon diplomatik më të hapur krahasuar me europianët. Për të mos thënë se janë më praktikë. Si me shqipen ashtu dhe me videon prezantuese të tij, duhet thënë se z. Lu vjen me stil dhe modernitet. Pra, me amerikanizëm”
l.mitro
Comments
Homer Simpson,

Homer Simpson, "Respublica"

Servilzimi ndaj nje ambasadori,turp kombetar!

Veshtire te thuhet se ai do

Veshtire te thuhet se ai do rroke ngjyresat gjuhesore te shqipes, pasi shqipja, ka frazeologjizmat dhe nuancat e veta qe kerkojne detyrimisht nje lexim gjere e gjate te literatures, por edhe njohje te mire te dialektizmave, sidomos te shqiperise se mesme. megjithate, start i mire. shpresoj me teper qe te lexoje libra dhe jo thjesht gazeta, sicc bejne rendom diplomatet qe mesojne shqipen. Sa per 'aman mos u perzi me shqiptaret' me duket banalitet, sepse sidoqofte Lu-ja eshte diplomat dhe ate pune ka, te perzihet.

Add new comment